.

.

BallinaTë pambajtura“Punësim dhe dinjitet”, qeveria shkeli zotimin për Ballshin e Poçemin

“Punësim dhe dinjitet”, qeveria shkeli zotimin për Ballshin e Poçemin

MARJO BRAKAJ

Punonjësit e rafinerisë së Ballshit dhe ata të nënstacionit hidrik-elektrik në Poçem përballen prej vitesh me mospagimin në kohë të rrogave. Vetëm një punonjës i nënstacionit të Poçemit sot, ka 1.3-1.5 milione lekë te reja paga të prapambetura. Në vitin 2016 kryeministri Rama, e garantoi këtë komunitet se do t’u shlyeheshin pagat e prapambetura dhe sigurimet. Çfarë ndodhi me premtimin e qeverisë për naftëtarët dhe pse nisi greva e urisë në Poçem?

—————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————————-

Më 4 nëntor 2016, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një takimi me naftëtarët në Ballsh, premtuan dhënien e rrogave të prapambetura dhe sigurimeve për punonjësit e rafinerisë.

Ajo që gjetëm ne ishte faktikisht, një situatë e tmerrshme ku jo vetëm rafineria nuk punonte më, por edhe ju kishit kaluar muaj e muaj pa marrë asnjë cent. Në fakt këta shokët më treguan edhe përpëlitjet për të ushqyer familjen me lista nëpër dyqanet e zonës. Kur ne kemi negociuar me këta investitorë, që dolën më të vendosurit dhe më seriozët për ta çuar këtë punë përpara, sepse kemi pasur gjithfarëlloj takimesh, gjithfarëlloj përpjekjesh, kushti ka qenë që ditën e parë, gjithë këtyre njerëzve siç ia premtova ju në takim, i duhen paguar rroga e prapambetur dhe duhen siguruar.”-tha kryeministri.

Gjiknuri shprehu agazhimin maksimal që rafinerisë të mos i mungonte nafta me qëllim funksionimin normal të punës.

Por, në shkurt të këtij viti, punonjësit e rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh dhe ata të nënstacionit elektrik-hidrik në Poçem nisën sërish protestën. Të pyetur nga “Faktoje”, mbi situatën e krijuar ata shprehen se kjo “histori” nis prej vitit 2015. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, në 4 vite, ata janë paguar vetëm për 21 muaj, ndërsa për 27 muaj të tjerë nuk i kanë marrë pagat. Sipas kësaj llogaritjeje, një punonjës i Poçemit, me pagë neto 50-60 mijë lëkë në muaj, duhet të marrë 1.3-1.5 milionë lekë (të reja). Për naftëtarët e Balshit, shuma e pagave të prapambetura arrin në 400  mijë lekë (të reja).

Më 13 shkurt të këtij viti, pas një sërë thirrjesh dhe mosreagimi nga institucionet shtetërore, 9 punonjës të nënstacionit elektrik dhe ata të pompave në fshatin Poçem hynë në grevë urie.

Asnjë lloj reagimi nga institucionet e larta, nga shteti, asgje fare.Ne nuk largohemi, mos kujtojnë ata se do tërhiqemi, do i shkojmë deri në fund, me vdekje qoftë. Duam lekët tona, nuk kemi ku vemi në shtëpi, na vjen turp…kaq”, shprehet njëri prej grevistëve.

Edhe pse nuk paguhen, punonjësit e stacionit në Poçem duhet të paraqiten në punë, ose në të kundërt rrezikojnë të ndiqen penalisht. Kjo për shkak të statusit të nënstacionit si “objekt strategjik” për rafinerinë dhe furnizimin me ujë dhe energji elektrike të Mallakastrës. Greva e urisë së puninjësve të nënctacionit elektrik dhe hidrik në Poçem u ndërpre më 28 shkurt pasi punonjësve iu premtua dhënia e tre rrogave. Të njëjtin vendim e morën edhe punonjësit e rafinerisë së Ballshit. Por, 3 rrogat e premtuara nuk u dhanë dhe për këtë arsye ata kërcënuan se do të rikthehen përsëri në protesta.

Shitja e ARMO-s dhe nënstacionit elektrik e hidrik të Poçemit në vitin 2008, është zanafilla e kalvarit të këtyre punëtorëve. Në muajin tetor të vitit 2019, pas një beteje kontraktuale midis prodhuesit më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum dhe Tosk Energji, kompanisë që ka marrë në menaxhim një pjesë të aseteve të ish kompanisë ARMO, rafineria ndaloi punën.

Foto greva në Poçem, Faktoje

Nisur nga verifikimi i “Faktoje”, premtimi i kryeministrit për garantimin e dhënies së pagave të prapambetura komunitetit të naftëtarëve në Ballsh, përfshirë edhe nënstacionin elektrik të Poçemit, rezuton i pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img