Donald Trump, kandidat për president të Amerikës tronditi këtë radhë me deklaratën se SHBA nuk do mbrojë asnjë anëtar të NATO-s që “nuk ka paguar faturat”. Shtëpia e Bardhë dhe BE dënuan mesazhin e Trump i cili shkoi edhe më tej duke kërcënuar se “do të nxiste Rusinë të bënte çfarë të donte” me shtetet “shkelëse”. Edhe sekretari i NATO-s, Stoltenberg argumentoi bindjen se SHBA  do vijojë të jetë aleat i vendosur i NATO-s. ‘Fatura’ që përmend Trump është 2% i PBB-së që anëtarët e aleancës kanë dakordësuar të paguajnë çdo vit, por ky nuk është një rregull përjashtues nga mbrojtja e përbashkët, çka përgënjshtron narrativën e Trump. Megjithatë diplomati Agim Nesho paralajmëron se provokimi i Trump mbart një mesazh për Europën.

Jona Plumbi

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka thënë se do të “nxisë” Rusinë të sulmojë këdo aleat të SHBA-së në NATO që ai konsideron se nuk i ka përmbushur detyrimet financiare ndaj aleancës.

“NATO ishte e shkatërruar derisa erdha unë” – tha Trump nga një tubim në Conway të Karolinës së Jugut. Kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të Nëntorit në Amerikë vijoi duke treguar një bisedë që kishte patur me presidentin e një shteti të madh, sipas tij.

“Unë thashë: të gjithë duhet të paguajnë” Ata thanë “po nëse nuk paguajmë a do vijoni të na mbroni?” Unë i thashë “Absolutisht jo.” Ata nuk mund ta besonin përgjigjen”. – deklaroi Trump.

Ai e vijoi fjalimin përpara mbështetësve të tij duke treguar se presidenti i shtetit të madh e pyeti: “Nëse nuk kam paguar dhe Rusia do më sulmojë, a do më mbronte SHBA-ja? “Nuk ke paguar? Je shkelës (fajtor)?” – tha Trump – “atëherë jo, nuk do t’ju mbroja, në fakt do e nxisja Rusinë të bënte çfarë dreqin të donte. Duhet të paguash! – përmbylli Trump.

Edhe pse kjo bisedë e servirur nga Trump nuk mund të verifikohet, ajo që është e vërtetueshme është se shtetet anëtare që nuk paguajnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për NATO-n, nuk mund të quhen në shkelje të rregullave, duke rrëzuar kështu narrativën e ish presidentit republikan.

Mbulimi mediatik dhe reagimet zyrtare

Deklarata e Trump mbushi titujt e lajmeve në të gjithë botën. Edhe mediat shqiptare vunë alarmin duke njoftuar se Trump do të nxisë Rusinë të sulmojë NATO-n, një interpretim i ekzagjeruar i deklaratës së ish-presidentit.

Reagimet e zyrtarëve europianë dhe amerikanë qenë të menjëhershme.

Shtëpia e Bardhë e quajti të çmendur dhe të rrezikshme deklaratën e Trump.

Inkurajimi i pushtimit të aleatëve tanë më të afërt nga regjimet vrasëse është i tmerrshëm dhe i çmendur — kjo rrezikon sigurinë kombëtare amerikane, stabilitetin global dhe ekonomine tonë”.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se çdo sugjerim se aleatët nuk do të mbrojnë njëri-tjetrin minon të gjithë sigurinë tonë, përfshirë atë të SHBA-së, dhe i vë ushtarët amerikanë dhe evropianë në rrezik të shtuar. Stoltenberg vijoi duke thënë se pavarësisht kush i fiton zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja do të mbetet një aleat i fortë dhe i përkushtuar i NATO-s.

Fakti qëndron se deklarata e Trump, që i drejtohet “shteteve të NATO-s që nuk paguajnë” është çorientuese. Kjo sepse kërkesa për investim në vlerën 2% të PBB-së, e vendosur prej vitit 2014 nga NATO, nuk është “faturë” antarësimi dhe nuk është detyes për shtetet anëtare të alancës.

Sipas diplomatit Agim Nesho, Trump bën deklarata të tilla në takime elektorale sepse e konsideron të vjetëruar NATO-n dhe si barrë për Amerikën.

Presidenti Trump e ka parë NATO-n si një organizatë të vjetër dhe irrelevante, që mbahet me fondet amerikane. Duke qenë një kampion i doktrinës ‘Amerika e para’ presidenti Trump e vlerëson këtë organizatë si një institucion që e ka përmbushur misionin e saj. Trump e ka parë arkitekturën mbrojtëse të Europës si një kosto për ekonominë amerikane ku europianët kanë kohë që punojnë për prosperitetin e popullsisë së tyre, duke e marrë për të mirëqenë ndihmën amerikane.”

Argumentat kundër Trump të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s

Në një deklaratë për media të datës 15 Shkurt, sekretari i përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg bëri një shpjegim të zgjeruar të situatës. Në deklaratë ai listoi tre arsye përse SHBA është një aleat i palëkundur i NATO-s.

“Së pari, është në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ketë një NATO të fortë. Së dyti në të vertetë ka mbështetje të gjerë dypartiake për NATO-n në SHBA. Së treti, kritikat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i drejtohen NATO-s, por vendeve anëtare që nuk shpenzojnë mjafueshëm para për NATO-n. Për këtë kemi një histori shumë të bukur për të treguar.” – tha Stoltenberg.

Ai vijoi duke shpjeguar se për vite me radhë, argumenti i SHBA-së se aleatët Europianë dhe Kanadaja nuk shpenzonin mjaftueshëm për NATO-n qëndronte.  “Por gjërat kanë ndryshuar.” – thekson Stoltenberg i cili kujton se me rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga Kanadaja dhe Europa dhe me investime rekord në këto vende, gjithmonë e më shumë aleatë po e përmbushin synimin për investim në masën 2% të PBB-së.

SHBA-ja përbën një të katërtën e Prodhimit të Brendshëm Bruto në nivel global. Së bashku me aleatët e NATO-s, ne kemi 50% të fuqisë ekonomike botërore dhe 50% të fuqisë ushtarake botërore,  Pikërisht kjo është në interesin e SHBA-së- argumentoi Stoltenberg.

Çfarë thotë neni 5 i rregullave të NATO-s

Parimi i mbrojtjes kolektive është në qendër të traktatit themelues të NATO-s. Ai mbetet një parim unik dhe i qëndrueshëm që lidh anëtarët së bashku, duke i angazhuar të mbrojnë njëri-tjetrin dhe duke vendosur një frymë solidariteti brenda Aleancës.

Neni 5 parashikon që nëse një aleat i NATO-s është viktimë e një sulmi të armatosur, çdo anëtar tjetër i Aleancës do ta konsiderojë këtë akt dhune si një sulm të armatosur kundër të gjithë anëtarëve dhe do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme për të ndihmuar aleatin e sulmuar.

Neni 5

“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve dhe për rrjedhojë ato bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive e njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën ose Palët e sulmuara në këtë mënyrë, duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkëpunim me Palët e tjera, veprime të tilla që e sheh të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut.Çdo sulm i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rezultat i tij do t’i raportohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Këto masa do të ndërpriten kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”

Ashtu si e theksoi edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg ky nen është aktivizuar vetëm një herë dhe ka qenë pikërisht pas sulmit të 11 shtatorit në SHBA.

Ju duhet të mbani mend se e vetmja herë që ne thirrëm nenin 5 ishte pas një sulmi në SHBA dhe qindra mijëra ushtarë nga Kanadaja dhe Europa luftuan përkrah ushtarëve amerikanë dhe shumë prej tyre paguan çmimin përfundimtar. Pra, është në interesin e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të ruajë NATO-n si aleancën më të suksesshme në histori, dhe prandaj kam besim se SHBA-ja do ta bëjë këtë.” – tha Stoltenberg.

Sa shpenzojnë shtetet anëtare për NATO-n

Gjatë samitit të vitit 2014, të gjithë anëtarët e NATO-s ranë dakord të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre për mbrojtje deri në vitin 2025. Në vitin 2017, vetëm katër vende arritën pragun: Shtetet e Bashkuara (3.6%), Greqia (2.4%), Mbretëria e Bashkuar (2.1%) dhe Polonia (2.0%).

Fakti qëndron se deri në vitin 2023, vetëm një e treta e antarëve të NATO-s e arrin synimin prej 2% të PBB-së.

*të dhënat e vitit 2023 marrë nga raporti i NATO-s 2014 – 2023

Shqipëria në vitin 2023 shpenzoi 1.76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, e barabartë me 371 milionë dollarë për mbrojtjen në NATO.

Në vitin 2024, pritet që 18 aleatë të shpenzojnë të paktën 2% të PBB-së së tyre në mbrojtje – një rritje gjashtëfish që nga viti 2014, kur vetëm tre aleatë plotësuan pragun 2% ose më shumë. Gjatë dekadës së fundit, aleatët e NATO-s në Evropë kanë rritur në mënyrë të qëndrueshme investimet e tyre kolektive në mbrojtje – nga 1.47% e PBB-së së tyre të kombinuar në 2014, në 2% në 2024, me një investim total prej 380 miliardë dollarësh në mbrojtje.

Pavarësisht kësaj, në këndvështrimin e diplomatit Agim Nesho, deklarata e Trump nuk duhet injoruar por duhet  të nxisë Europën drejt vetëmbrojtjes. “Duhet parë me seriozitet deklarata e tij se Amerika mund të mos e zbatojë artikullin 5 të mbrojtjes kolektive. Kjo duhet të çojë në një veprim të vendeve europiane për të realizuar sa më shpëjt projektin e mbrojtjes europiane.” – tha Agim Nesho për Faktoje.

Përfundim

Nisur nga të dhënat publike, reagimet e zyrtarëve të lartë dhe faktet historike mund të arrijmë në përfundimin se deklarata e Trump e dhënë përpara mbështetësve të tij në një tubim elektoral (edhe pse sipas ekspertëve është një paralajmërim i rëndësishëm për Europën), mbetet një deklaratë me sfond elektoral dhe e ekzagjëruar me disa të pavërteta.

Vendet anëtare të NATO-s të cilat nuk investojnë 2% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen e NATO, nuk janë “shkelëse” si i quan Trump. Kjo, sepse synimi i 2%-shit nuk është detyrues për aleancën. Në fakt, pjesa më e madhe e antarëve të NATO deri në vitin 2023 nuk e kanë përmbushur këtë synim edhe pse investimet e shteteve të Europës dhe Kanadasë janë shtuar nga viti në vit.

Në anën tjetër, sipas sekretarit të përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, është në vetë interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ketë një alenacë të fuqishme si ajo e NATO-s, e cila aktivizoi nenin 5 të mbrojtjes kolektive pas sulmit të 11 shtatorit në Amerikë.

Me fjalët e minstrit të mbrojtjes së Polonisë, vend që kryeson listën e anëtarëve të aleancës që jep përqindjen më të lartë të PBB-së edhe se vetë SHBA-ja “asnjë fushatë elektorale nuk është justifikim për të luajtur me sigurinë e Aleancës”.