BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookProva e pushkatimit të rremë të diktatorit rumun është pjesë e një filmi

Prova e pushkatimit të rremë të diktatorit rumun është pjesë e një filmi

Një video që duket se tregon skena nga ekzekutimi i diktatorit rumun Nikolai Çaushesku dhe të shoqes Elena po përdoret si dëshmi se ekzekutimi i tyre ishte një inskenim. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video është shkëputur nga një film i shkurtër nga 1991 i cili, për ironi, synon të ekspozojë fuqinë manipuluese të imazheve.

—————————————–

Një video me pamje nga ekzekutimi i diktatorit të Rumanisë Nikolai Çaushesku dhe gruas së tij Elena po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse si provë se ekzekutimi i tyre ishte në të vërtetë një inskenim.

Video, e cila është parë mbi 400 mijë herë dhe ka marrë mbi 2 mijë pëlqime, shoqërohet me përshkrimin: “A eshte vrare vertet Caushesku ,nje video qe tregon se gjithe skena ishte nje inskenim ,,,,,nuk dihet sa e vertet eshte kjo video ….??????Ne fund te dy ngrihen ne kembe dhe shkundin rrobat …”

Ky përshkrim i referohet një pjese të videos (03:04) në të cilën shihen çfarë duken si kufomat e Çausheskëve të ngrihen nga toka, shkundin rrobat dhe të largohen.

Ish-presidenti rumun Nikolai Çaushesku dhe gruaja e tij Elena u ekzekutuan më 25 dhjetor 1989, në një bazë ushtarake në qytetin e Targoviste. Gjyqi që i parapriu, dhe pasojat e ekzekutimit të tyre u filmuan nga një gazetar i ushtrisë. Ekzekutimi i tyre ishte aq i shpejtë sa ky i fundit arriti të filmonte vetëm të shtënat e fundit dhe trupat duke u shembur në tokë.

Kjo duhet të na bëjë të dyshojmë se pamjet e mësipërme, që tregojnë ekzekutimin e çiftit Çaushesku dhe më pas pamje të tyre duke u ngritur në këmbë dhe duke u larguar, nuk janë pamje nga 25 dhjetori 1989, kur ata u ekzekutuan.

Në fakt, këto pamje janë pjesë e një filmi të shkurtër artistik të vitit 1991 me titull “nicolae & elena”. Në 1992, filmi me regji të regjizorit zvicerian Richard Vetterli fitoi çmimin e parë në kategorinë e filmave ‘pa buxhet’ në Festivalin Kurzfilm në Hamburg.

Shikuesi i vëmendshëm mund të ketë vënë re një ndryshim në sfondin e dy skenave të filmit, që supozohet të jenë të njëpasnjëshme. Në skenën kur kamera afrohet tek kufoma e Nikolai Çausheskut, pllakat pas tij kanë formë të ndryshme nga pllakat në sfondin e skenës kur Çaushesku ngrihet në këmbë dhe ikën.

Kjo sepse, ndërsa pamjet në të majtë janë filmuar në Targoviste në Rumani, ndërsa pjesa tjetër janë filmuar në një godinë tjetër, në Gjenevë.

Targoviste, Rumani. Vendi ku u ekzekutuan Nikolai dhe Elena Çaushesku

Për realizimin e këtij filmi, Vetterli kombinoi pamje ekzistuese filmike nga gjyqi dhe ekzekutimi i Çausheskëve me skena fiktive të cilat i filmoi vetë. 

Qëllimi i tij, për ironi, ishte të shqyrtonte “besëtytninë që imazhet televizive, që na paraqiten si ilustrime të realitetit, janë të vërteta”. Ai donte të tregonte se këto imazhe janë të manipulueshme dhe mund të përdoren lehtësisht për të mbështetur interesa të ndryshme.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img