BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE rreme loja shpërblyese online nën logon e supermarketeve Spar Albania

E rreme loja shpërblyese online nën logon e supermarketeve Spar Albania

Rrjeti i supermarketeve Spar nuk po zhvillon ndonjë lojë shpërblyese me rastin e ditëlindjes, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me një faqe të rreme dhe kjo konfirmohet edhe nga përfaqësues të kompanisë.

Një postim i shpërndarë në Facebook më 28 gusht, pretendon se rrjeti i supermarketeve Spar ofron dhurata për këdo që thjesht bën një koment në faqen e tyre.

“Për të festuar ditëlindjen e @Spar albania, të gjithë ata që shkruajnë ‘Gëzuar ditëlindjen’ përpara datës 30 gusht 2023, do të marrin një dhuratë ekskluzive çanta dhuratash, para në dorë dhe kuponë blerjesh. Paç fat”-shkruan kjo faqe në Facebook që mban emrin ‘Spar Albania’.

Postimi i shpërndarë në Facebook

Faqja në fjalë ka më pak se 100 pëlqime, çka rrit dyshimet që kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi. Mirëpo, ajo që vihet re është se janë me qindra persona që kanë pëlqyer postimin dhe kanë komentuar, duke besuar se është një lojë e organizuar nga rrjeti i supermarketeve.

Më poshtë, në komente, përdoruesit e faqes shkruajnë: “Faleminderit për pjesëmarrjen në eventin tonë të ditëlindjes, kushti kryesor për të fituar çmime është ta shpërndani këtë postim! Paç fat”.

Ne bëmë një kërkim në Facebook, ku rezulton se faqja e vërtetë e Spar ka më shumë se 108 mijë pëlqime dhe në postimet e bërë së fundmi nuk flet për ndonjë lojë shpërbleyese, siç përmend faqja e rremë.

Ne kontaktuam edhe me Spar Albania për t’u interesuar për këtë postim. Një përfaqësues nga kompania pohoi për “Faktoje” se faqja dhe postimi nuk kanë asnjë lidhje me Spar.

“Faqja nuk është e Spar. Ne e kemi denoncuar në Facebook / Meta dhe presim që ta mbyllin. Edhe më parë ka patur faqe të tilla dhe janë mbyllur pas denoncimit tonë”, sqarojnë përfaqësues të kompanisë.

Faktoje” ka ka identifikuar një sërë skemash të tjera mashtrimi që qarkullojnë herë pas here në rrjete sociale. Në rastin e lojës shpërblyese, qëllimi i autorëve është rritja e shpejtë e aktivitetit të profilit dhe më pas shitja përkundrejt një shume të hollash tek përdorues privatë apo biznese të ndryshme. 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img