Protestat kundër ndryshimeve kushtetuese në Izrael, po keqinterpretohen në rrjete sociale. Pretendimet se izraelitët e ngritur kundër ndryshimeve kushtetuese janë rreshtuar krah Rusisë janë të pabaza.
Qindra mijëra njerëz në Izrael kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër ndryshimeve kushtetuese të kryeministrit Benjamin Netanjahu, por në rrjete sociale arsyet e protestave po keqinterpretohen.
“Edhe Israeli, populli i “perëndisë” proteston në favor të Rusisë.” – shkruan një përdorues në rrjetin social Facebook më 28 mars, teksa shpërndan videon nga protestat e 26 marsit në Izrael.
Video e postuar nga ky profil është marrë nga rrjeti social Tik Tok, ku një përdorues nga Spanja shkruan të njëjtin mesazh : “ Izrael populli i ‘zotit’ marshon në favor të Rusisë. Mijëra marshojnë kundër agjendës satanike 2030”.
E vërteta është se protestat masive në Izrael janë nxitur nga planet e qeverisë së Netanjahut për të të riorganizuar sistemin gjyqësor.
Midis një sërë propozimesh me shtrirje të gjerë nga qeveria e Netanyahut janë planet për të lejuar një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh të parlamentit izraelit për të shfuqizuar vendimet e gjykatës supreme dhe për të lejuar politikanët të emërojnë shumicën e gjyqtarëve.
Kjo reformë është një çështje e brendshme e lidhur më së shumti me vitet e gjata në pushtet të Netanjahut dhe hetimet e nisura ndaj tij për përfitime financiare dhe nuk kanë ndonjë lidhje me Rusinë apo “agjendat globaliste”.
- Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Foto kryesore e marrë nga webi.