BallinaDezinformimi në kohë krizashLufta në UkrainëPresidenti i Çekisë nuk njoftoi 'lodhjen' e NATO-s nga Ukraina

Presidenti i Çekisë nuk njoftoi ‘lodhjen’ e NATO-s nga Ukraina

Deklaratat e presidentit çek për një lodhje të NATO-s për mbështetjen ndaj Ukrainës rezultojnë se janë nxjerrë nga konteksti. Faktoje verifikoi se në të vërtetë, presidenti Pavel foli për mundësitë e vendit të tij për të ndihmuar Ukrainën, jo të NATO-s.

Jona Plumbi

Presidenti i Çekisë, Petr Pavel ka folur së fundi për ndihmat ushtarake dhe financiare që vendi i tij, por edhe shtete të tjera, i kanë dhënë Ukrainës që prej nisjes së sulmit nga Rusia në shkurt 2022. Këto deklarata janë keqinterpretuar nga kanalet proruse në rrjetet sociale si “lodhje e NATO-s nga Ukraina”. Një interpretim i tillë është ndarë në shqip edhe nga profili “Investiguesi Shkrimor”. “Presidenti i Çekisë deklaron për Süddeutsche Zeitung: NATO është lodhur nga Ukraina – Nuk kemi më armë për të dërguar. – kështu shkruan publikimi në rrjetin social Facebook në 28 mars.

Imazh i publikimit në Facebook nga Investiguesi Shkrimor

Një verifikim në rrjet mbi intervistën e dhënë nga presidenti çek Pavel, tregon se në fakt deklarata e tij për “lodhje” nga lufta bazohet në një parashikim që ai bën duke u nisur nga disa tregues politikë dhe jo një qëndrim i NATO-s.

Në intervistën për median gjermane Süddeutsche Zeitung, Petr Pavel thotë se Çekia jo vetëm furnizoi Ukrainën me gjithçka mundën nga stoku i vendit, por gjithashtu blenë materiale nga jashtë për t’ia dhënë Ukrainës. Ai vijon duke argumentuar se vitin e ardhshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë zgjedhje. Kjo, sipas Pavel, do të zhvendosë vëmendjen dhe interesin e votuesve amerikanë në punët dhe politikat e brendshme.

Nëse Shtetet e Bashkuara e ulin mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës, të njëjtën gjë do të bëjnë edhe disa shtete në Europë. Ukraina duhet ta marrë parasysh këtë gjë. Vitin e ardhshëm, me shumë mundësi ajo [Ukraina] nuk do ketë mundësi të nisë operacione të kushtueshme.” – shpjegon Pavel, i cili më herët ka shërbyer si gjeneral i NATO-s. Bazuar në këtë parashikim, në vijim të intervistës Pavel thekson se garancia e sigurisë që i duhet tashmë Ukrainës është antarësimi në NATO.

Deklaratat e Pavel dukshëm flasin për një parashikim të tijin mbi atë çka mund të ndodhë në vitin 2024 nëse lufta në Ukrainë vijon. Në asnjë moment presidenti çek nuk pretendon se po jep qëndrimin e Aleancës Euroatlantike, NATO mbi ndihmat që ajo i mundëson Ukrainës. Madje Pavel jep edhe një zgjidhje për “problemin” që ngre, duke sugjeruar antarësimin e Ukrainës në NATO, gjë që do i jepte shtetit të europës lindore një mbështetje të detyrueshme nga aleanca më e madhe ushtarake e botës.  

Për këto arsye pretendimi se “Presidenti i Çekisë deklaron për Süddeutsche Zeitung: NATO është lodhur nga Ukraina – Nuk kemi më armë për të dërguar” është i pavërtetë.

Njëkohësisht, edhe citimi që Investiguesi Shkrimor ka përdorur, duke ia “veshur” intervistës së presidentit çek në median gjermane është i pavërtetë.

Ukraina ka vetëm një mundësi për një kundërsulm të suksesshëm. Nëse Ukraina dështon, atëherë ndihma Perëndimore do të reduktohet.” – shkruan Investiguesi Shkrimor.

Në fakt, kjo deklaratë e presidentit çek nuk është dhënë për Süddeutsche Zeitung, por për gazetën polake Rzeczpospolita.

Gjatë intervistës Pavel theksoi se “Ne mund ta ndihmojmë Ukrainën me aq sa mundemi, me gjithçka që mund t’i ndihmojë ata për të arritur qëllimet e tyre për të çliruar territorin”. Pavel përmendi edhe në këtë intervistë mundësinë që SHBA-ja ta ketë më pak vëmendjen në Ukrainë gjatë vitit të ardhshëm, nisur nga fakti që ka zgjedhje për Presidentin. Nisur nga ky argument, Pavel mendon se Ukraina ka një “dritare” të hapur gjatë këtij viti për një kundërsulm të fuqishëm. Kjo do të jetë shumë më e vështirë pas dimrit të ardhshëm, sipas Pavel.

Edhe në këtë rast bëhet e qartë se Pavel nuk flet në emër të NATO-s. Ai ka dhënë një mendim të tijin, nisur nga mundësitë që vendi i tij ka për të ndihmuar Ukrainën, por edhe nisur nga aktualiteti i vendeve anëtare në NATO, gjë e cila është keqinterpretuar si “lodhje e NATO-s nga Ukraina”.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img