Protestuesit në Indi nuk ngatërruan flamurin italian me atë Palestinez

Protestat pro Palestinës

439

Video të ndryshme nga një tubim i Partisë së Mirëqenies në Kerala, Indi janë bërë virale në rrjete sociale pasi përdoruesit pretendojnë se tubuesit kanë ngatërruar flamurin e Palestinës me atë të Italisë.

“Partia e Mirëqenies në Kerala, Indi organizoi një tubim në favor të palestinezëve, por ata sollën flamuj ITALIANE në vend të flamurit palestinez.”, shkruan një përdorues i X, teksa e shoqëron videon me emojin e të qeshurës me lot.

Shumë përdorues të tjerë të X postuan postime të ngjashme, duke tallur partinë politike për mbajtjen e flamurit italian në vend të flamurit palestinez.

“Në INDI dalin në proteste për Palestinen GAZEN e ngatërrojnë flamurin e Palestines me atë të Italise , shkruan një përdoruese e rrjetit social facebook teksa ndan video nga marshimi. 

Në foto, protestuesit shiheshin të mbanin një numër të madh flamujsh tringjyrësh jeshil, bardhë dhe të kuq, që janë ngjyrat e flamurit italian, por njëkohësisht edhe të atij indian. Verifikimet tregojnë se në fakt nuk bëhet fjalë për një ngatërresë. 

Kolegët tanë të opindia.com kanë verifikuar videon virale dhe e vërteta është se flamujt që kanë shoqëruar tubimin i përkasin Partisë së Mirëqenies në Kerala, Indi. 

Flamuri i Partisë së Mirëqenies së Indisë ka ngjashmëri të jashtëzakonshme me flamurin italian, pasi të dy flamujt janë bërë nga panele vertikale me ngjyrë jeshile, të bardhë dhe të kuqe. Megjithatë, ka një ndryshim.

Në flamurin italian, të tre panelet janë bosh, por në flamurin e partisë indiane, ka elemente të dizajnit në pjesën e bardhë në mes. Ajo ka simbolin e gjetheve të ullirit në të verdhë dhe fjalët “Partia e Mirëqenies” të shkruar vertikalisht me të zezë brenda panelit të bardhë.

Meqenëse videot e shpërndara nga përdoruesit e mediave sociale janë me rezolucion të ulët, simboli i gjetheve të verdha kryesisht nuk është i dukshëm në sfondin e bardhë. 

Por pjesë të fjalëve “Partia e Mirëqenies” në të zezë duken në disa prej flamujve nëse videot vëzhgohen me kujdes. Madje, në pamjet dhe videot e tjera të protestës të postuara nga partia dhe të tjerë, shihet qartë se është flamuri i partisë, jo ai italian.

Në këtë video të postuar në X, shihet qartë simboli i gjetheve të verdha dhe shkronjat e zeza që thonë “Partia e Mirëqenies” në flamujt e mbajtur në një marshim pro Palestinës.