Ballkani i Hapur u ‘shemb’ në hendekun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

304

Në 16 tetor në Tiranë u mbajt samiti i procesit të Berlinit, 3 muaj pasi kryeministri Rama njoftoi se Ballkani i Hapur ishte një nismë që lindi nga nevoja për të çuar përpara Procesin e Berlinit dhe që e kishte përmbushur misionin për të cilin qe krijuar. Lexoni një përmbledhje të mesazheve kryesore të artikullit hulumtues mbi kapërcimin nga nisma Open Balkan tek Procesi i Berlinit, cili është roli i Shqipërisë, a do qëndrojë Serbia dhe Maqedonia tek nisma e parë, cila ka qenë qasja e SHBA dhe BE në këto nisma paralele, si ndikoi vrasja e policit të Kosovës në 24 shtator në Banjskë dhe rindezja e tensionit Kosove-Serbi? 

*Shënim: materiali është një përmbledhje e artikullit me titull “ Ballkani i Hapur u ‘shemb’ në hendekun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, botuar nga Insituti për Studime të Komunikimit në Maqedoninë e Veriut.

Klioni këtu për artikullin e plotë në shqip.

Klikoni këtu për artikullin e plotë në gjuhën origjinale, një bashkëpunim gazetaresk i Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë.

Nisma Open Balkan me gjithë përpjekjet, dështoi të përfshinte të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo pati vetëm 3 shtete anëtare, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova refuzoi aderimin që në krye të herës  me argumentin se ishte një mbivendosje e procesit të Berlinit, nismës së kancelares gjermane Merkel në 2014-n, ndërsa Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi nuk i qëndruan.

Por si ka ndryshuar perspektiva e 3 vendeve anëtareve të Open Balkan, me ndryshimin e kursit të kryeministrit Rama?

Pas ‘tërheqjes‘së Shqipërisë, edhe pse jo zyrtarisht, kanë mbetur vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat refuzojnë të pranojnë fundin e Open Balkan. Por  ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë të Mitrovicës së Veriut, tronditi edhe më shumë themelet e nismës teksa vuri në mëdyshje edhe vetë Maqedonin e Veriut. Shefi i diplomacisë në RMV, Bujar Osmani, i zemëruar deklaroi:

“Ballkani i Hapur ishte një ide dashamirëse, por mendoj se pas ngjarjeve në Kosovë të 24 shtatorit, Serbia vërtet duhet të bëjë përpjekje dhe të dëshmojë se nuk është e përfshirë në atë ngjarje.. Ajo që ndodhi në veri të Kosovës me sulmin, shpresoj se do të dëshmohet se nuk ka asnjë përfshirje shtetërore, por nëse vërtetohet, vërtet mendoj se duhet të rishqyrtojmë pjesëmarrjen tonë në Ballkanin e Hapur”.

Në Serbi, Dr. Dejan Bursaç, bashkëpunëtor hulumtues në Institutin e Filozofisë dhe Teorisë Shkencore nga Beogradi, vlerëson efektet pozitive të Open Ballkan, sidomos klimën në marrëdhëniet fqinjësore Serboi-Maqedoni e Veriut dhe opinionin e qytetarëve:

“Ballkani i Hapur kishte një qëllim vërtet të mirë, hapi tregtinë midis Shqipërisë dhe Serbisë, hapi turizmin, rriti besimin midis Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, së bashku me disa veprime të tjera si vaksinimi, zgjidhja e mosmarrëveshjes kishtare. Kështu në disa sondazhe të vitit të kaluar Serbia ishte në krye të opinionit të qytetarëve maqedonas si vendi më mik, që është një sukses për dy vendet fqinje të Ballkanit”.

Por drejtori i Institutit të Studimeve Politike në Tiranë, Afrim Krasniqi, thotë se fundi i Ballkanit të Hapur ishte i pritshëm, sepse jo vetëm që nuk dha rezultat, por shkaktoi edhe konflikte. Ai mbështet idenë se procesi i Berlinit është rruga e duhur për t’u ndjekur për shumë arsye.

“Procesi i Berlinit është një projekt evropian me fuqi të konsiderueshme politike, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e tij. Është një projekt që mbulon të gjithë sektorët dhe është qasja strategjike e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, Ballkani i Hapur është një iniciativë periferike, kryesisht mes Tiranës dhe Beogradit që nuk arriti asnjëherë të bashkojë të gjithë aktorët politikë. Në vend që t’i bashkonte vendet, ajo krijoi konflikte, veçanërisht në rastin e Kosovës. Kjo do të thotë se nëse nuk mund të funksionojë në fazën e saj embrionale, nuk mund të funksionojë as në afat të gjatë”, na tha ai.

Dr. Milan Krstiq, docent në Fakultetin e Shkencave Politike nga Beogradi nuk e pranon se Open Balkam ka marrë fund. Ai anlizon 2 nismat paralele në perspektivën e SHBA dhe BE, perspektivën ekonomike dhe ndikimin e konfliktit Beograd-Prishtinë si përcaktuese në këtë kontekst:

“Që në fillim në dinamikën e zbatimit të iniciativës Ballkani i Hapur kanë ndikuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe interesi amerikan për zbatimin e saj. Ballkani i Hapur ende nuk ka vdekur, edhe pse është kthyer në letargji. Nisma e Ballkanit të Hapur u krijua në fund të vitit 2019, kur tarifat 100 për qind të Prishtinës për mallrat serbe dhe boshnjake çuan në një krizë në sistemin CEFTA dhe në një bllokim të bashkëpunimit ekonomik rajonal. Mbështetja kryesore erdhi nga Uashingtoni, ku administrata e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Donald Trump, injoroi faktin se BE-ja kishte zhvilluar tashmë një koncept të ngjashëm për integrimin ekonomik rajonal përmes procesit të Berlinit.”

Për Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm nga Novi Sadi, Open Balkan ështëë një histori e mbyllur.  

“Mendoj se Ballkani i Hapur ka përfunduar, sepse nëse një nga tre vendet themeluese largohet nga ajo histori, pse do të hyjnë vende të reja? Përveç kësaj, nuk është e qartë pse u krijua Ballkani i Hapur mbi këtë bazë, nëse tashmë ekziston një proces si ai i Berlinit, i cili tashmë i bashkon të gjashtë vendet dhe i cili bën gjithçka që Ballkani i Hapur i ka vënë vetes si detyrë. E vetmja gjë që pati një avantazh procesi i Berlinit është se ka para evropiane pas tij” tha ai duke konstatuar:

“Ai (Open Balkan) u parashikua si një përshpejtues i bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale kur bëhet fjalë për lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Vetëm tre vende i janë bashkuar Ballkanit të Hapur deri më tani – Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa të gjashtë vendet nga Ballkani Perëndimor marrin pjesë në Procesin e Berlinit (i themeluar me iniciativën e ish-kancelares gjermane Angela Merkel në vitin 2014). Ende nuk është shpallur zyrtarisht fundi i Ballkanit të Hapur, por tërheqja e Shqipërisë është padyshim një hap në këtë drejtim.”-përfundon Popov.

Për të lexuar artikullin e plotë klikoni në linkun më poshtë:

https://faktoje.al/wp-admin/post.php?post=34728&action=edit#:~:text=https%3A//faktoje.al,a%20new%20tab)