Pandemia “Covid-19” nuk i ka ndaluar qytetarët të protestojnë. Edhe pse në kushte të kufizimit të liridaljes, duket se kërkesa për mbijetesë ka shtyrë qytetarët të protestojë. Punonjës të fasonerive dhe tregjeve kanë kërkuar gjatë ditëve të kaluar marrjen e “pagës së luftës” dhe rihapjen e vendeve të punës.
Çfarë mund ta detyrojë njerëzit të mposhtin frikën nga prekja e sëmundjes në kohë pandemie dhe të grumbullohen, në shkelje të masave në kohë pandemie?
Gjatë një vëzhgimi, “Faktoje” konstatoi se edhe në kushtet e ndalimit të daljes nga shtëpia, shumë qytetarë guxuan të protestojnë, si forma e vetme për të kërkuar të drejtën që mendojnë se u takon.
Më shumë se 80 punëtorë të një fasonerie në qytetin e Durrësit protestuan të premten e 24 prillit pasi iu refuzua “paga e luftës” në vlerën 40,000 lekë. Ata kërkuan përfshirjen në paketën e zgjeruar ekonomike si pasojë e pandemisë “Covid-19”.
80 punonjës fasonerie protestojnë në Durrës
Më herët, në 23 prill, 50 punëtorë të një fasonerie në qytetin e Korçës ku prodhohen çanta, protestuan duke u futur në godinën e Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve për të kërkuar marrjen e pagesës prej 40,000 lekë. Ata argumentuan se duhet të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike pasi janë ligjërisht të regjistruar.
Protesta e punëtorëve të fasonerisë në Korçë
Më shumë se 90 punonjës të Tregut të Orizit në Vlorë protestuan të enjten e 23 prillit duke kërkuar rihapjen e tregut. Pas më shumë se 12 ditësh nga momenti kur tregu pezulloi aktivitetin dhe meqë nuk u përfshinë në paketat e ndihmës ekonomike, ata zgjodhën të protestojnë.
Peticioni për rihapjen e Tregut të Orizit
Më shumë se 10 efektivë të Policisë së Shtetit shpërndanë grupin e protestuesve. Tregu i Orizit në Vlorë përbëhet nga më shumë se 107 tregtarë, të cilët paralajmëruan përshkallëzimin e protestave nëse nuk përfshihen në paketat e ndihmës financiare si pasojë e pandemisë “Covid-19”.
Të hënën më 20 mars, rreth 20 punonjës të Uzinës së Ballshit protestuan në pedonalen e qytetit të Fierit për të kërkuar përfshirjen në paketat ekonomike si pasojë e pandemisë “Covid-19”.
Naftëtarët e Ballshit në protestë, Fier
Pas protestës së organizuar, kryeministri Rama njoftoi edhe përfshirjen e tyre në paketë ne dytë të ndihmës ekonomike si pasojë e koronavirusit “Covid-19”.
Por, veç protestave që lidhen me nevoja ekonomike, një protestë ndryshe është zhvilluar në fshatin Hambar në qytetin e Fierit.
Banorët e fshatit Hambar në Fier në protestë
Rreth 60 banorë dolën në protestë të enjten e 23 prillit, pasi sipas tyre një kompani që ushtron aktivitetin në lumin Vjosa ka dëmtuar rrugën e fshatit. Ata ankohen edhe se gërryerja e lumit mund t’u sjellë përmbytje gjatë dimrit.
Me ndryshimet në Kodin Penal, edhe pse shpeshherë të nxitur nga nevoja, qytetarët e organizuar në protesta, rrezikojnë të ndiqen penalisht.