Një postim i shpërndarë në rrjetet sociale po ofron një preparat që pretendon se shëron prostatën duke e paraqitur si një produkt 100% natyral. Megjithatë, një kërkim i bërë në listën e barnave të lejuara në Shqipëri dhe një verifikim i mëtejshëm zbulohet se nuk ka asnjë medikament të licencuar me emrin “Ilaç për prostatë”.

Në postime të shpërndara në rrjetet sociale ofrohet një preparat që pretendohet se shëron prostatën.

Ilaç shërues për prostatë potencë. Thuaj mjaft problemeve me prostatë, potencë, infeksione, shërim i shpejtë 100 % natyral. Shëron prostatën plotësisht”-shkruhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.

Postimi i shpërndarë në Facebook

Ajo që vihet re është se produkti nuk ka një emër, por thjeshtë shkruhet: “Ilaç për prostatë”. Në një kërkim të bërë në listën e barnave të lejuara për import në Shqipëri, nuk rezulton të ketë një medikament me këtë emër. Në një kërkim të bërë online konstatuam se pretendimet në lidhje me këtë preparate janë verifikuar edhe nga kolegët e Kallxo.com në Kosovë.

Mjekët urologë kanë deklaruar për Kallxo se pacientët trajtohen në bazë të protokolleve, të cilat janë të bazuara në udhëzimet e fundit nga institucionet shëndetësore.

“Prostata nëse është e infektuar, por jo e rritur, mund të trajtohet me barna. Në momentin që rritet dhe bën pengesa në urinim, shërimi i vetëm mbetet intervenimi ku kanë disa metoda: prej më pak invazive në ato me operacion të hapur”, kanë bërë të ditur mjekët specialistë.

Gjithashtu, ata kanë argumentuar se ilaçet për sëmundjet e prostatës janë të licensuara. Në një sërë artikujsh të publikuar nga Faktoje, mjekët kanë këshilluar që të tregohet kujdes me përdorimin e këtyre suplementeve që shiten online, duke sugjeruar që të këshilloheni me mjekët specialistë.