Lajmi se një gjeneral amerikan i quajtur John Bigree është vrarë na Gaza mbetet i pakonfirmuar. Verifikimi i Faktoje zbuloi se lajmi është raportuar vetëm nga media ruse Pravda dhe foto që e shoqëron është e para 17 viteve dhe nuk tregon askënd të quajtur Bigree.

————————————

Në rrjete sociale po shpërndahet lajmi i vrasjes së “gjeneralit John Bigre, komandant i batalionit amerikan të detyrave speciale Delta” gjatë luftimeve në Gaza. Lajmi shoqërohet me foton e dy burrave të veshur me uniforma ushtarake amerikane. Nëse ky lajm do të ishte i vërtetë, do të ishte konfirmimi i akuzave se ushtria amerikane ka hyrë me trupa të armatosura të saj në territorin e Gazës si dhe që po pëson humbje të niveleve të larta gjatë luftimeve. 

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij lajmi, Faktoje përdori fillimisht motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search.

Rezultatet e kërkimit tregojnë se lajmi është shpërndarë fillimisht nga media ruse Pravda, e cilësuar si një burim dezinformimi. Duhet theksuar se asnjë media tjetër ndërkombëtare nuk e ka raportuar këtë lajm.

Vihet re se emri i gjeneralit në fjalë ndryshon nga John Beagrie, në versionin spanjisht të artikullit, në John Bigree në versionin e tij në anglisht

Artikujt e Pravda, nga ku duket se ka dalë ky lajm, përdorin po të njejtën foto të dy burrave me veshje ushtarake.

Megjithatë, Faktoje zbuloi, me anë të Google Reverse Image Search, se kjo foto është e 17 viteve më parë. Ajo është postuar në Wikipedia në 2011 dhe, sipas përshkrimit, tregon “dy ushtarë të Grupit të Forcave Speciale 19 në provincën Babil, Irak, 2007.” Forcat speciale Delta, ashtu siç pretendohet në lajmin e shpërndarë nga media ruse, kanë uniforma simbole të ndryshme nga grupi 19-të i ushtarakëve në foto. 

Më tej, asnjë nga burrat në foto nuk është gjenerali John Beagrie/Bigree/Bigre. Sipas një artikulli nga 2009, ne foto tregohen Christopher W. Sullenberger (majtas) dhe Robbie Doman (djathtas).

Pentagoni ka konfirmuar dërgimin e armatimit për ushtrinë izraelite si dhe ndihmën me teknologji për zbulimin e pengjeve civile që mbahen prej 7 tetorit të vitit të kaluar nga Hamas, por deri më sot mohon dislokimin e trupave ushtarake në territorin palestinez.