.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashPropaganda dhe dezinformimi rus në Shqipëri tregoi fytyrën e vërtetë pas sulmit në Ukrainë

Propaganda dhe dezinformimi rus në Shqipëri tregoi fytyrën e vërtetë pas sulmit në Ukrainë

Gjetjet

Propaganda ruse pasqyrohet në mediat shqiptare shpesh pa analizuar kontekstin:

Lajmet mbi zhvillimet në Rusi dhe Ukrainë pushtuan mediat shqiptare me nisjen e agresionit rus në Ukrainë  

Mosverifikimi i informacioneve nga mediat dhe shpërndarja copy-paste:

Mediat i kanë dhënë zë propagandës ruse, duke pasqyruar jo rrallë copy-paste informacionet e ardhura nga Kremlini, pa verifikuar vërtetësinë e tyre

Ndikimi i narrativave të rreme tek audienca:

Narrativat e rreme ndikojnë në opinionin e lexuesve, duke ndërtuar bindje të gabuara nëpërmjet informacioneve të manipuluara.

Në Shqipëri, çështja e dezinformimit nga Rusia e cila deri para nisjes së sulmit të shkurtit 2022 në Ukrainë, konsiderohej në mos jo ekzistente, shumë e vakët, tani është kthyer në realitet dhe madje me ndikim domethënës. Një numër hulumtimesh dhe gjetjesh, në Europë, rajon dhe në Shqipëri tregojnë se Rusia përdor mediat sociale dhe rrjetet e tjera për të përhapur narrativa të rreme, për të ndikuar në opinionin publik e për të përçuar mesazhe për interesat e tyre.

Këto përpjekje përfshijnë propagandën, dezinformimin e qëllimshëm dhe ndërhyrje të tjera në informacion.

Pikërisht lajmet për mercenarë shqiptarë të vrarë në Ukrainë pushtuan mediat shqiptare vetëm pak muaj pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë. Mediat shqiptare vendase pasqyruan dhe ricikluan në përiudha të ndryshme (madje deri në ditët e sotme) gjerësisht informacionet e shpërndara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë, ku theksohej se që prej fillimit të luftës në shkurt 2022, 150 shqiptarë kishin shkuar për të luftuar në Ukrainë. Madje, në të njëjtin njoftim pretendohej se 42 prej tyre kishin humbur jetën në këtë luftë.

Lajmet që u përhapën në media

“Në fakt, Rusia përdor të njëjtat taktika, madje edhe ato të përdorura gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik për të përhapur narrativat e dezinformimit. Dhe natyrisht ne përballemi me shumë narrativa dhe teknika të ndryshme që nga viti 2014, por kjo u shtua gjatë pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022,” thotë Olena Churanova, gazetare dhe editore në organizatën fact-checking “Stop Fake”.

E njëjta narrativë u risoll sërish në vëmendje nëpërmjet një postimi në rrjetin X, që mban datën 14 mars 2024. Në këtë postim, Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë pretendonte se prej nisjes së konfliktit, plot 13.387 mercenarë të huaj kishin mbërritur në Ukrainë. Më tej paraqitej një listë e shteteve që Ministria e Jashtme Ruse aludonte se ishin bërë pjesë e luftës, duke theksuar se 192 ishin shqiptarë dhe 87 prej tyre ishin vrarë. 

Lajmet që u përhapën në mediat shqipfolëse

Në shkurt të vitit 2022, Faktoje raportoi se si propaganda ruse ende pa nisur sulmi po përgatiste terrenin, me dezinformata për të justifikuar se ‘ishte e detyruar të reagonte ndaj Ukrainës, e cila po grumbullonte edhe mercenarë për të sulmuar Rusinë’.  Edhe ky pretendim u pasqyrua gjerësisht në mediat online në Shqipëri në variantin ‘copy-paste’ ashtu sikurse edhe në Kosovë, duke i dhënë zë propagandës ruse. 

Faktoje analizoi deklaratën e kryediplomatit rus Lavrov bërë më 18 shkurt 2022, se në Ukrainë po dërgoheshin mercenarë lufte nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina. Deklarata ishte publikuar edhe në faqen zyrtare të qeverisë ruse, por më pas rezultoi të ishte fshirë.

Mosverifikimi i informacioneve nga mediat në Shqipëri

Në Shqipëri, ndërhyrjet e mundshme ruse janë përshkruar si përpjekje për të influencuar politikën dhe opinionin publik, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Nga puna e përditshme që Faktoje bën për të identifikuar dhe përgënjeshtruar narrativat dezinformuese, rezulton se një nga kanalet që përhap këto narrative dhe propagandën ruse është edhe ambasada ruse.

Në të gjitha këto raste, media pasqyroi në masë një lajm që iu servir nga makineria e propagandës ruse, pa bërë ndonjë verifikim minimal të informacioneve, pa analizuar kontekstin dhe pa vëzhguar se cilat ishin qëllimet që fshiheshin pas tyre. Faktoje ka analizuar dhe përgënjeshtruar në disa raste përhapjen e informacioneve që vijnë nga Kremlini, duke iu referuar informacioneve zyrtare nga autoritetet shqiptare.

Në lidhje me pretendimet për mercenarë, ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtem Olta Xhaçka shkruante: “Nuk ka mercenarë shqiptarë në Ukrainë! Kjo është një gënjeshtër, që Moska vazhdon ta përsërisë pa turp! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe do të vazhdojë të punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të ndihmuar në përfundimin e agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj popullit të Ukrainës”.

Edhe burime zyrtare, të kontaktuar nga Faktoje kanë hedhur poshtë propagandën ruse, por edhe informacionet e shpërndara në mediat shqiptare.

“Ju bëjmë me dije se MEPJ nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë të dhënë zyrtare për të vrarë me nënshtetësi shqiptare, të përfshirë në konfliktin e armatosur Rusi-Ukrainë”, thekson Ministria e Jashtme. 

Verifikimet e bëra nga Faktoje

42 nga 150 mercenarë shqiptarë janë vrarë në Ukrainë Institucionet zyrtare: Deklarata është e pavërtetë

Autoritetet shqiptare rrëzojnë shifrën e 87 viktimave në luftime

Lajmet për kërcënimin rus për armët bërthamore rritën panikun mes lexuesve

“Deputeti” që akuzon Ukrainën për masakrën në Bucha, i arratisur në Rusi prej fillimit të luftës

Lufta me Ukrainën nisi sot, por konflikti ka kohë që ushqehet nga propaganda dhe dizinformimi rus

Propaganda e rusëve shënjestron organizatat fact-checking, ndër to dhe Faktoje

“Është e rëndësishme të kuptohet çfarë është dezinformimi, informacioni që përhapet qëllimisht për të shkaktuar dëme dhe cilido mund të përhapë këtë lloj informacioni të dëmshëm. Reagimi i duhur: është fakte të besueshme. Ne duhet të kuptojmë si ta rregullojmë, ta analizojmë për të identifikuar se çfarë narrativash fshihen pas këtyre lajmeve të rreme dhe të kuptojmë se si të përballemi”-argumenton editorja e “Stop Fake”.

Në vitet e fundit, autoritetet shqiptare dhe organizatat e shoqërisë civile, sidomos ato pak që promovojnë gazetarinë cilësore, kanë bërë përpjekje për të identifikuar dhe kundërshtuar këto përpjekje të ndikimit nga Rusia dhe aktorë të tjerë të ngjashëm. Kjo përfshin përmirësimin e kritikës së mediave, përmirësimin e dijes së qytetarëve për dezinformimin dhe përdorimin e mjeteve për të zbuluar dhe luftuar dezinformimin.

Ndikimi i narrativave të rreme te lexuesit

Pretendimi i autoriteteve ruse për vrasjen e mercenarëve u përhap edhe në postime të ndryshme në rrjetet sociale, ku kërkohej edhe një reagim nga pala shqiptare. 

“Dyfytyrësia e sistemit të drejtësisë shqiptare dhe mosreagimi i opozitës shqiptare lidhur me mercenarët shqiptarë të Shqipërisë e Kosovës që po luftojnë në Ukrainë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Ekspertja e komunikimit, Olena Churanova thekson: “Të gjithë duhet të kuptojmë pse është vërtet e rëndësishme që kur njerëzit duhet të marrin një vendim të rëndësishëm, ata ta bëjnë bazuar në informacione të besueshme dhe jo mbi dezinformimin”.

Statistika mbi dezinformimin

Prej nisjes së agresionit rus, Faktoje ka publikuar të paktën 200 verifikime në lidhje me narrativat e përhapura me këtë tematikë. Verifikimi i parë i përfshirë në kategorinë “Dezinformimi (dhe propaganda) në kohë krizash lidhet me pretendimin e kryediplomatit rus Lavrov, pak ditë para nisjes zyrtare të sulmit (24 shkurt 2022), se nga Shqipëria dhe vende të Ballkanit po dërgoheshin mercenarë në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë.

Kjo narrativë, ku agresori ‘maskohet‘ si viktima, sipas njohësve të taktikave dezinformuese, u pasua me dhjetëra të tjera ndërsa shpërndarjet në rrjetet sociale kapin minimalisht mijërat dhe shumëfish numër klikimesh.

Edhe databaza e krijuar nga Rrjeti Europian për Standarded Fact-Checking ku kontribuojnë të paktën 40 organizata Fact-Checking që operojnë në Europë pasqyron si narrativë mbizotëruese prej 19 shkurtit e deri sot se lufta në Ukrainë është tematika e ‘preferuar’ për të dezinformuar opinionin.

Burimi: https://elections24.efcsn.com/statistics

Propaganda e rusëve shënjestron Faktoje

Makineria e propagandës ruse gjatë luftës në Ukrainë ka qenë e një armë e fortë, për të ndikuar në dezinformim dhe krijimin e lajmeve të rreme.

Në maj të 2022, mediat ruse publikuan një raport ku shënjestruan rrjetin e organizatave fact-checking në gjithë botën, mes tyre edhe Faktoje, për censurë dhe propagandë veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.  

Nga verifikimet e kryera nga Faktoje asokohe rezultoi se instituti që ka kryer raportin ishte një burim i propagandës ruse, me ekspertë të punësuar në institucione publike, pa të dhëna se si financohet dhe mbështetëse e përhapëse e ideve megalomane të Putinit dhe qeverisë së tij.

*Ky artikull është pjesë e një projekti bashkëpunues të mbi 40 organizatave të udhëhequra nga Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve për të luftuar dezinformimin rreth Zgjedhjeve Evropiane 2024. Mund të mësoni më shumë në elections24.efcsn.com.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img