Makineria e propagandës ruse gjatë luftës në Ukrainë ka qenë e një armë e fortë, për të ndikuar në dizinformim dhe krijimin e lajmeve të rreme. Në fillim të muajit maj mediat ruse publikuan një raport ku shënjestruan rrjetin e organizatave fact-checking në gjithë botën, mes tyre edhe Faktoje, për censurë dhe propagandë veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë.  Nga verifikimet e kryera, Instituti që ka kryer raportin rezulton se është një burim i propagandës ruse, me ekspertë të punësuar në institucione publike, pa të dhëna për financim dhe mbështetëse e përhapëse e ideve megalomane të Putinit dhe qeverisë së tij.

——————————————————————————–

Në fillim të muajit maj mediat ruse filluan një fushatë propagande dhe dizinformimi duke përdorur një raport prej 32 faqesh, i hartuar nga Instituti i Ekspertëve të Kërkimeve Sociale (EISI), i cili ngre pretendime të pabazuara mbi punën dhe financimin e organizatave fact-checking.

“Verifikuesit e fakteve janë një instrument i Perëndimit, kundërpropagandë dhe censurë”, është ky tituli i raportit rus, ku ndër të tjera akuzohen ‘fact-checkers’ për dizinformim.

Sipas këtij raporti, i cili është sjellë edhe në anglisht nga bashkëpunëtorët e IFCN (International Fact-Checking Network) pretendohet se perëndimi po përpiqet të kontrollojë informacionin që qarkullon nga pala e Kremlinit, duke bllokuar transmetuesit rusë në Europë dhe në platformat sociale.

Nga një kërkim në faqen e tyre zyrtare rezulton se puna e Institutit EISI është e fokusuar në interesin e axhendës kombëtare ruse. Në artikujt të ndryshëm që gjenden në këtë faqe tregohet qartë qasja e tyre kundër Perëndimit.

Artikuj propaganda pro ruse

Ndërsa, materiale të tjera që gjenden në këtë faqe tregojnë mbi misionin e Rusisë në botë, ku sërish sulmohet Perëndimi.

Qasja e tyre e njëanshme dhe propaganda pro-ruse vihet re pothuajse në çdo material. Një tjetër njoftim tregon mbi diskutimin e bërë nga ekspertët e EISI mbi atë që ata e quajnë “dështimin” e bllokadës ekonomike ndaj Rusisë.

Një tjetër element që vihet re në faqen e EISI është fakti që nuk deklarohen të ardhurat, pra nuk dihet kush janë donatorët apo edhe projektet që kanë. Ndërkohë, ekspertët e Institutit që pretendohet se janë të paanshëm, janë të lidhur me poste publike në administratën ruse apo universitete.

Si qëndron IFCN në raport me këtë institut?

Një ndër pretendimet në raport është se: “Ky rrjet, IFCN mbështetet nga ‘The Poynter Institute for Media Studies’ Inc., merr grante nga rrjete të ndryshme sociale si Facebook, Twitter, media të mëdha amerikane, fondacione bamirëse të Bill Gates, Mark Zuckerberg”

E vërteta është se financimet e IFCN dhe gjithë organizatave te tjera që janë pjesë e tij, sipas “Code of principles” deklarojnë se cilët janë donatorët dhe burimi i të ardhurave, ndryshe nga ky institut.

Ndër të tjera në ‘Kodin e Parimeve’ përcaktohet: “Angazhim për të qenë jo-partiakë dhe të drejtë. Angazhim ndaj standarteve dhe transparencës së burimeve. Angazhim për transparencën e financimit dhe organizimit”.

Këto parime përmbushen plotësisht nga të gjitha organizatat që janë pjesë e IFCN, pasi janë kusht i panegociueshëm për t’u bërë pjesë e rrjetit.

Roli i Faktoje në luftën kundër dizinformimit

Faktoje, si pjesë e IFCN ka ndjekur hap pas hapi luftën në Ukrainë dhe faktin se si po përhapen lajme të rreme nga zyrtarët rusë dhe jo vetëm. Në një artikull që mban datë 24 prill 2022, Faktoje bëri një verifikm të thelluar në lidhje me deklaratën e politikanit ukrainas me bindje proruse, ish-kandidatit për president, Ilya Kiva, i cili theksonte se masakra në qytetin Bucha u krye nga vetë Ukraina dhe britanikët.

Mirëpo, burime zyrtare në Ukrainë i konfirmuan Faktoje se Kiva akuzohet për tradhëti kombëtare, ndërsa dëshmitarë të masakrës në Bucha tregojnë prova se si ushtria ruse kreu masakrën mes qytetarëve.

Në fund të muajit shkurt, Faktoje raportoi se si lufta e vërtetë i kishte dhënë shenjat më herët me deklaratat dhe raportimet keqinformuese nga Rusia. Ne morëm në analizë deklaratën e kryediplomatit rus Lavrov bërë më 18 shkurt, se në Ukrainë po dërgoheshin mercenarë lufte nga Shqipëria, RMV dhe Bosnje Hercegovina. Deklarata ishte publikuar edhe në faqen zyrtare të qeverisë ruse, por më pas rezultoi të ishte fshirë.

Pasqyrimi i së vërtetës dhe ngjarjeve në mënyrë korrekte është në fokusin e Faktoje dhe organizatave të tjera fakt-verifikuese në mbarë botën. Interesi i Rusisë për të mos pasqyruar të vërtetën për luftën, ka bërë që kjo e fundit të përfshijë organizatat fact-checking në listën e “rrjetit anti-rus”. Pjesë e kësaj liste anti-ruse sipas raportit është edhe organizata Faktoje, por në të gjithë studimin nuk jepen argumente konkretë dhe të besueshëm pse “fact-checkers” janë të rrezikshëm, kur qëllimi kryesor i verifikuesve të fakteve është të transmetojnë realitetin dhe jo propagandën te lexuesit.

Lista e organizatave fact-checking

Fushata kundër lajmeve dizinformuese

Mbi 3700 lajme janë verifikuar dhe prodhuara nga organizatat fact-checking në botë, mes tyre edhe Faktoje, ku raportohen artikujt dizinformues në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë. Një punë që ka dhënë një kontribut vërtetë të madh, për t’i dhënë mundësinë publikut që të lexojë informacion të verfikuar dhe të saktë.

Screenshot nga harta ku tregohet si ka qarkulluar dizinformacioni rreth luftës në Ukrainë

Ndërkohë, harta e mëposhtme, tregon si ka qarkulluar dizinformimi rreth pushtimit të Ukrainës, realizuar nga organizatat firmëtare të Rrjetit Ndërkombëtar të Verfikimit të Fakteve (IFCN Signatorie).