BallinaFaktometerPa kategoriA po i shtrin efektet pandemia edhe tek ndërtimi i rrugëve?

A po i shtrin efektet pandemia edhe tek ndërtimi i rrugëve?

Katër prokurime me vlerë 6,1 miliardë lekë për ndërtim rrugësh të reja që u hapën në mesin e muajit tetor nga ARRSH, rezultojnë të jenë pezulluar, sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimit Publik. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku javën e kaluar, teksa foli me rezerva për projektbuxhetin e vitit 2021 u ankua se për rrugët është akorduar vetëm 45 për qind e nevojave.


Autoriteti Rrugor Shqiptar, në mesin e muajit tetor hapi një valë prokurimesh për ndërtim rrugësh, por pak pasi u hapën, disa prokurime rezultojnë të jenë pezulluar.

Referuar të dhënave në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, e para procedurë e pezulluar është ajo për “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1,5 miliardë lekë, ndërkohë është pezulluar edhe procedura tjetër e lidhur me këtë tender. Me një fond limit 11.6 milionë lekë, edhe procedura me objekt “Supervizion punimesh, Ndërtim rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse te tij” e çelur në 15 tetor, është pezulluar.

Faqja e APP ku njoftohet pezullimi për ‘Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse”

E pezulluar rezulton edhe procedura tjetër e çelur në datë 15 tetor, e cila ka në objekt “Ndërtim i rrugës. lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë.

Faqja e APP ku njoftohet pezullimi Lidhja Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit

Në listën e tenderave të pezulluar është edhe ajo me objekt “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Pezullimi i saj vjen në një kohë kur, procedura tjetër e lidhur me të që është ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe e fituar nga kompania ANK, me ofertë 2.35 miliardë lekë, ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin. Zbatimi i kontratës nuk mund të bëhet pa pasur të përfunduar edhe pjesën e mbikëqyrjes, që aktualisht mbetet e pezulluar.

Faqja e APP, njoftim i pezullimit për ‘Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”

Edhe rruga Palasë-Dhërmi, me një fond limit 1.6 miliardë lekë apo rreth 13 milionë euro rezulton të jetë pezulluar.

ARRSH parashikonte të merrte oferta për këtë rrugë deri në 23 nëntor, por tashmë procedura mbetet e ngrirë. Ky projekt ishte ndër ata me vlerë më të lartë dhe të shpallur në 10-ditëshin e fundit të tetorit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë prezantimit të projekbuxhetit të vitit 2021 në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, u shpreh se për programin e transportit rrugor është akorduar vetëm 45 për qind e buxhetit të nevojshëm.

Ky Buxhet i akorduar për programet, arrin vlerën e 26.2 miliardë lekëve, nga nevoja reale që llogaritet prej 60.5 miliardë lekë pra vetëm 45% e nevojave. Për programin e transportit ne kërkojmë rritje të tavanit buxhetor për shpenzimet korrente me minimalisht 2 miliardë lekë” – u shpreh Balluku.

2 ditë më pas, Ministrja e Finacave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, të enjten në datë 29 tetor, gjatë një konference të Bankës së Shqipërisë paralajmëroi se ky do ishte viti më i vështirë për sa i përket rritjes ekonomike.

Ky është viti më i vështirë sa i përket rritjes ekonomike, ndërsa viti i ardhshëm është një sfidë e vërtetë, pasi askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë”- u shpreh Denaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img