.

.

BallinaPertejProcesi i vaksinimit në qendrat shëndetësore dhe sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Procesi i vaksinimit në qendrat shëndetësore dhe sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Vaksinimi masiv i popullsisë filloi me 25 mars pas mbërritjes së 192 mijë vaksinave “Sinovac” në aeroportin e Rinasit. Faktoje bëri një vëzhgim në terren nëpër qendrat shëndetësore të Tiranës dhe në sheshin “Skënderbej” se si po ecën vaksinimi dhe cilat kategori po e marrin vaksinën kineze “Sinovac”. Në qendrat shëndetësore të kryeqytetit ka filluar vaksinimi i kategorisë mbi 80 vjeç me vaskinën kineze. Ndërsa në sheshin Skëndërbej ka filluar vaksinimi i kategorisë mbi 70-vjeç.


Bazuar në strategjinë e vaksinimit, grupmosha që po i nënshtrohet injektimit të saj është ajo 70-80 vjeç e sipër. Sipas Instat grupmosha 70-85+ vjeç përfshin rreth 277 000 individë.

Faktoje bëri një vëzhgim të ecurisë në fund të javës së parë të këtij procesi në qendrat shëndetësore të kryeqytetit dhe në sheshin Skënderbej.

Fillimisht shkuam në qendrën numër 1 që ndodhet në bulevardin Zhan D’Ark, pranë urës së Tabakëve, ku konstatuam që vaksinimi bëhet në qendër vetëm për qytetarët e kategorisë mbi 70-vjeç.

“E bëjnë vaksinën mbi 70-vjeç e sipër. Akoma nuk ka filluar vaksinimi i personave në moshën 60-vjeç.”- tregon recepsionistja e qendrës gjatë komunikimit me një pacient.

Ajo i drejtohet një banori që interesohet për hollësi lidhur me vaksinën:

“Ju lajmëron mjeku i familjes se kur do ta bëni. Nuk e vendosni ju se çfarë vaksine bëni.”

Qendra tjetër ku bëmë vëzhgimin ishte ajo numër 10, pranë Oxhakut. Faktoje konstatoi që në qendër bëhet vaksinimi i kategorisë mbi 80-vjeç.

“Këtu e bëjnë vaksinën mbi 80-vjeç e sipër. Lajmërohen nga mjeku i familjes dhe më pas vijnë të bëjnë vaksinën.”-tregon një infermiere për Faktojen. Përgjatë vaksinimit të kësaj grupmoshe Faktoje komunikoi dhe me qytetarët të cilët e kishin marrë dozën e parë të vaksinës “Sinovac”.

“Jam 81 vjeçe sapo e mora dozën e parë, ndërkohë dozën e dytë më thanë që do e marr pas një muaji. Po pres këtu jashtë se më thanë që të qëndroj afërsisht 15-30 min, në qoftëse më jep ndonjë efekt anësor.”-tregon 81 vjeçarja pas injektimit të dozës së parë.

Qendra numër, 10 zona ku bëhet vaksinimi,foto:Aurora Shpataj

Faktoje vijoi vëzhgimin në qendrën numër 3, në rrugën Siri Kodra.

“Këtu bëhen 80 vjeç e sipër. Tek sheshi “Skëndërbej” e bëjnë grupmosha 70 e sipër.”-shprehet një infermiere, ndërsa po plotëson formularin e miratimit të vaksinës së një pacienti.

Qendra shëndetësore numër 3, foto Aurora Shpataj

Vëzhgimin e vijuam në qendrën numër 9 që mbulon afërsisht mbi 68 mijë banorë dhe ka 19 mjek familje, 9 infermierë që shërbejnë për vaksinimin. Këtu bëhen vetëm për grupmoshat mbi 80 vjeç. Gjithsej që nga fillimi e deri më tani që flasim janë bërë 351 vaksinime.”-tregon kryeinfermirja e qendrës.

Faktoje shkoi dhe në qendrën numër 8 në zonën e Bllokut. Edhe aty vaksinimi i qytetarëve mbi 80 vjeç po vijonte prej disa ditësh, siç na konfirmoi një infermiere.

Qendra shëndetësore nr.8, foto:Aurora Shpataj

 

Faktoje shkoi edhe në qendrën shëndetësore numër 7, në zonën e Laprakës. Ku edhe aty konstatoi që vaksinimi bëhet për grupmoshëm mbi 80 vjeç. Faktoje komunikoi me një qytetar ndërkohë që po firmoste formularin e miratimit për të bërë vaskinën.

“Erdha për ta bërë. Më lajmëroi mjeku i familjes më tha që më takon meqë jam mbi 80 vjeç.Uroj të më mbrojë se ky virus është i ligë. Unë që në kohën e komunizmit jam vaksinuar, njëherë për turbekulozin e kam shenjë akoma.Nuk e kuptoj pse bëhet kaq e madhe për vaksinën kineze e ruse. Ne gjithë jetën jemi vaksinuar me to e ja ku jemi 80 vjeç”-thotë një i moshuar.

80 vjeçari duke marrë dozen e parë të vaksinës kineze në qendrë nr.7, foto:Aurora Shpataj

Siipas informacioneve që Faktoje mori, në qendrën nr. 7 deri të premten ishin kryer 213 vaksinime.Gjithashtu nga komunikimi me grupmoshën mb 70 vjeç ata shprehen që nuk kanë frikë nga bërja e vaksinës edhe pse shpesh herë lexojnë lajme kundër bërjes së saj.

“Nuk është se kam frikë me thënë të drejtën,ndoshta se jam e vjetër edhe pjesën më të madhe të jetës e kam jetuar.Por,ndonjëherë kur lexoj lajmet që dalin në televizor frikësohem,por prapë dua ta bëj se nuk dua të infektohem.”-tregon 79- vjeçarja.

Faktoje e përmbylli vëzhgimin në sheshin Skënderbej ku fluksi i qytetarëve kishte rënë ndjeshëm.

Qytetarët duke pritur për injektimin e dozes së parë në sheshin Skëndërbej, foto:Aurora Shpataj

Faktoje komunikoi me disa vaksinatorë në sheshin Skënderbej.

“Vaksinimi këtu bëhet për moshën 70 vjeç e sipër.Vijnë nga mjekët e familjes, por edhe vetë se shikojnë lajmet në media.”-thonë ata.

Qytetarja para marrjes së dozës së parë, plotëson formularin e gjendjes shëndetësore, foto:Aurora Shpataj

Bluzat e bardha theksojnë:

“Secili prej qytetarëve që vjen për të bërë vaksinën i bëhen pyetjet, plotësohet një formular specifik për secilin dhe më pas bëhet injektimi i dozës së parë të “Sinovac”. Pas injektimit ata presin deri në 30 min për të shikuar në qoftëse kanë ndonjë efekt anësor, por deri me tani nuk kemi pasur asnjë rast. Ndërsa për çdo person i cili ka dyshime ose mund të sqarohen me mjekun e familjes.”

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img