BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaNë Fushë-Krujë e Bubq asnjë shtëpi individuale e përfunduar edhe pas afatit të radhës

Në Fushë-Krujë e Bubq asnjë shtëpi individuale e përfunduar edhe pas afatit të radhës

JOEL ÇELA & EDIT NIKOLLI

Në Fushë Krujë dhe Bubq 206 familje presin ende të futen në shtëpitë e reja. Sipas tabelës informuese të punimeve në kantieret e rindërtimit, brenda shkurtit të vitit 2021 duhet të përfundonin 128 banesa individuale në Fushë-Krujë dhe 78 banesa individuale në Bubq. Ministri Ahmetaj e kishte shtyrë afatin e dorëzimit për shtëpitë në Fushë-Krujë, brenda muajit mars. Por edhe në përfundim të këtij afati, asnjë shtëpi nuk është gati.


29 dhjetor gjatë një inspektimi në kantierin e rindërtimit në Fushë-Krujë, së bashku me kryeministrin Rama, ministri i Rindërtimit Ahmetaj garantoi se brenda muajit mars të këtij viti, 128 shtëpitë individuale në këtë zonë do t’u dorëzoheshin familjeve që mbetën pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

“Besoj që me këto njësi banimi, edhe me të gjitha ambientet akomoduese shoqëruese komunitare, ne mbarojmë në fund të marsit. Brenda marsit i kemi të dorëzuara.”

Me këtë deklaratë, zoti Ahmetaj shtyu afatin e vendosur në tabelën e punimeve për kantierin e shtëpive individuale të Fushë-Krujës dhe Bubqit, të dy zona të administruara nga Bashkia Krujë.

Tabela e punimeve për kantierin e shtëpive individuale në Fushë-Krujë dhe Bubq, 4 shkurt

Punimet në këto kantiere parashikohej të fillonin në shtator të vitit 2020 dhe të zgjasnin deri në shkurt të vitit 2021, sipas tabelës së punimeve.

Faktoje shkoi fillimisht më 4 shkurt në kantierin rindërtimit të Fushë-Krujës për të parë ecurinë e rindërtimit të shtëpive individuale.

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 4 shkurt

Gjatë verifikimit të kryer në fillim të shkurtit, dukej se përfundimi i punimeve nuk mund të arrihej në fund të atij muaji.

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 4 shkurt

Ne u rikthyem sërish në Fushë-Krujë më 31 mars, një muaj pas skadimit të afatit të vendosur në tabelën e punimeve dhe në përfundim të afatit të radhës që u premtua nga ministri Ahmetaj.

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 31 mars

Ndonëse puna kishte përparuar, veçanërisht në shtëpitë që ishin më afër tabelës informuese, asnjë shtëpi e vetme nuk mund të konsiderohej e përfunduar.

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 31 mars

Ne pyetëm një punëtor në kantierin e ndërtimit mbi kohëzgjatjen e nevojshme për mbylljen e punimeve.

“Rreshti i parë i shtëpive individuale përfundon për një muaj e gjysmë.” – tha ai për Faktoje.

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 31 mars

Kantieri i shtëpive individuale në Fushë-Krujë, 31 mars

Pas Fushë-Krujës, ne vijuam verifikimin edhe në Bubq, ku shtëpitë individuale duhet të kishin përfunduar brenda muajit shkurt, në bazë të tabelës së punimeve. Pavarësisht se këtë tabelë nuk e gjetëm në kantierin e Bubqit, i jemi referuar asaj që ndodhet në Fushë-Krujë, e cila specifikon se objekt i saj janë si kantieri i Fushë-Krujës, ashtu edhe i Bubqit.

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars

Punimet për rindërtimin e banesave individuale në Bubq ishin edhe më prapa se ato në Fushë Krujë.

Jo vetëm që shtëpitë nuk kishin përfunduar, por përfundimi dukej ende larg.

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars

Punëtorët në Bubq refuzuan të flasin për Faktoje, por pamjet në terren ishin mjaft të qarta. Përveç shtëpive individuale, nuk kishte filluar as puna për infrastrukturën rrugore në këtë lagje të rindërtimit, ndryshe nga kantieri i Fushë-Krujës.

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars

Nga verifikimi në terren konstatuam se pas afateve të shkelura për përfundimin e rindërtimit në tabelat e punimeve, u shkel edhe afati i ‘rinovuar’ nga ministri Ahmetaj, ndaj do ta konsiderojmë premtim të pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img