.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPrincesha Kate nuk manipuloi videon ku pranoi sëmundjen e saj

Princesha Kate nuk manipuloi videon ku pranoi sëmundjen e saj

Pretendimi: Video e princeshës Kate Middleton ku pranoi se është e sëmurë është e manipuluar me inteligjencën artificiale

Verdikti: E pavërtetë

Video e princeshës Kate Middleton nuk është e manipuluar, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë. Verifikimet e kryera dhe konfirmimi nga BBC tregojnë se video është autentike.

———————

Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se video e Princeshës së Uellsit, Kate Middleton, ku ajo deklaron se po trajtohet për kancer, është e manipuluar.

Kate AI Middleton robot e veshur me të njëjtat rroba në videon e djeshme me ato që kishte veshur para 7 vitesh. … asnjë lule përreth saj nuk lëviz nga era që fryn, sepse ikona që shohim pas Kate është thjesht një pikturë”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Më 22 mars 2024, Princesha Catherine e Uellsit publikoi përmes BBC-së një video deklaratë se ajo njoftonte se po trajtohej për kancer.

Por kaq mjaftoi që të shfaqeshin pretendime në rrjetet sociale se video është e manipuluar, duke treguar si “provë” bluzën, që thuhet se Kate e ka veshur edhe në vitin 2016 në një promo për një fushatë të shëndetit mendor.

Me sa duket, për t’i dhënë fund spekulimeve mbi vërtetësinë e video-deklaratës të Kate, “BBC Studios” lëshoi një deklaratë në të njëjtën ditë me videon, duke theksuar: “BBC Studios filmoi një mesazh nga Princesha e Uellsit në Windsor këtë javë. Ne dëshirojmë t’i urojmë Lartmadhërisë së saj shërim të shpejtë”.

Kolegët e “Logically Facts” kanë bërë një analizim të pamjeve, ku konfirmuan se nuk ka asnjë shenjë manipulimi të saj, përveç editimeve normale të prodhimit të videove.

“Është një video e krijuar në mënyrë profesionale dhe është bërë një përpunim i zakonshëm (si në audio ashtu edhe në pamje). Analiza jonë e videos tregon se është origjinale dhe ne nuk gjetëm asnjë shenjë manipulimi”, tha Mayank Vatsa nga Itisaar për “Logically Facts”.

Si provë se video nuk është autentike, postimet në internet tregojnë bluzën e Kate, duke pretenduar se ajo kishte veshur të njëjtën bluzë në një promovim të vitit 2016 për fushatën “Heads Together”.

Mirëpo, një krahasim i videos promocionale me atë të videos së deklaratës së fundit të Kate tregon se nuk është e njëjta bluzë. Zbukurimet në trup dhe mëngët e bluzës së veshur nga Kate në videon e fundit janë dukshëm më të gjera dhe vijat e zeza nëpër bluzë janë dukshëm më të holla se ato që shihen në bluzën në promo. Bluza në videon e fundit gjithashtu duket se ka një formë më të lirshme.

Teoritë konspirative rreth shëndetit dhe vendndodhjes së Princeshës Kate filluan të qarkullojnë pasi ajo ishte jashtë syrit të publikut, pas një operacioni abdominal që iu nënshtrua më 16 janar.

Pretendimet në internet u intensifikuan, kur një foto e publikuar nga “Kensington Palace” më 10 mars 2024, që tregonte Kate dhe fëmijët e saj, u tërhoq nga disa agjenci të lajmeve për shkak se fotografia ishte manipuluar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img