BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookYulia Navalnaya nën shënjestrën e propagandës ruse për tradhti bashkëshortore

Yulia Navalnaya nën shënjestrën e propagandës ruse për tradhti bashkëshortore

Yulia Navalnaya, e veja e Alexei Navalny nuk është shfaqur së fundmi në krahët e një burri tjetër. Faktoje verifikoi se foto i përket vitit 2021 dhe milioneri rus është mik i familjes së Navalny.

Yulia Navalnaya, e veja e liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, u zotua të vazhdojë luftën e burrit të saj kundër presidentit Vladimir Putin, pasi ai humbi jetën në një burg të largët të Arktikut. Vetëm pak ditë nga kjo deklaratë e saj, në rrjetet sociale shpërthyen foto, që pretendohet se dëshmojnë shfaqjen e saj në krahët e një burri tjetër në plazh, vetëm pak ditë pas vdekjes së bashkëshortit.

Unë dhe i dashuri im i ri milioner me banim në Londër jemi shumë të trishtuar nga humbja e burrit tim’ – Yulia Borisovna Navalnaya. I ka ideali këto punë”- shoqëron me tekst shpjegues postimin e një fotoje të “çiftit” një përdorues i Facebook.

Ky citim i Yulia Navalnaya nuk shoqërohet me ndonjë burim të besueshëm dhe ngjall dyshime për vërtetësinë e tij.

Foto dhe postimi i ndarë në rrjetet sociale

Ne bëmë një kërkim nëpërmjet Google Reverse Image ku rezulton se imazhi i përket vitit 2021. Foto rezulton të jetë publikuar për herë të parë në 17 gusht të vitit 2021 në Instagram nga Evgeny Chichvarkin, burri në foto, i cili është një milioner rus që jeton në mërgim.

“Me zonjën e para të ardhshme të bukur të Rusisë”, shkruan ai kahas postimit, duke etikuar si vendndodhje qytetin letonez të Jurmala.

Chichvarkin është bashkëthemeluesi dhe ish-pronari i Euroset, distributori i parë rus i telefonave celularë. Ai braktisi Rusinë pas refuzimit për të punuar me grupet pranë qeverisë dhe u zhvendos në Britani në vitin 2008. Tani një tregtar vere, Chichvarkin është bërë një kundërshtar i zjarrtë i Putinit.

Revista Time raportoi se ai i dha Navalnyt më shumë se 100,000 dollarë për të financuar luftën e tij. Reuters gjithashtu raportoi se ai ndihmoi në përballimin e një pjese të kostove mjekësore pas helmimit të Navalny në 2020. Fotoja me Navalnaya bëri bujë kur u publikua për herë të parë në 2021.

Chichvarkin bëri shaka me radiostacionin e pavarur “Echo of Moscow” se: “Jurmala nuk është marrë ende nga talebanët, atje mund të ecësh me një grua të martuar”. Ai tha se ata nuk ishin vetëm dhe se njerëzit që e gjykonin foton ishin thjesht xhelozë.

“Ata do të donin të ecnin buzë detit me Yulia Navalnaya, një grua e bukur dhe e fortë, potencialisht një zonjë e parë”, tha Chichvarkin.

Autoritetet ruse nuk ia kanë dorëzuar ende familjes trupin e Navalny, duke thënë se mund të mbahet për “të paktën dy javë”. Shumë udhëheqës perëndimorë kanë fajësuar Moskën për vdekjen e tij, me Shtetet e Bashkuara që po planifikojnë të shpallin sanksione të reja dhe një sërë qeverish evropiane që po thërrasin diplomatë rusë.

Navalnaya, e cila prej vitesh tha se nuk e shihte veten si figurë politike, më 19 shkurt premtoi të vazhdonte punën e tij.

Në një video-mesazh të shpërndarë në X ajo akuzoi Putinin për vrasjen e burrit të saj dhe siguroi se ekipi i saj do të gjente rrethanat e sakta dhe autorët e kimit.

“Ne të gjithë duhet të bashkohemi në një grusht të fortë dhe ta përdorim atë për të goditur këtë regjim të çmendur”, u shpreh ajo.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e hodhi poshtë deklaratën e Navalnaya se Putin vrau burrin e saj, duke e cilësuar si “të pabazë dhe vulgare”.

Artikulli është verifikuar edhe nga kolegët e tjerë të verifikimit të fakteve në Europë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img