.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPresidenti Bush nuk pranoi që kullat binjake u shpërthyen me eksploziv

Presidenti Bush nuk pranoi që kullat binjake u shpërthyen me eksploziv

Një video e ish-presidentit amerikan George W. Bush po përdoret nga konspiracionistët për të pretenduar se Kullat Binjake në 11 shtator u shkatërruan nga eksplozivët. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se Bush nuk po i referohej 11 shtatorit, por një sulmi tjetër terrorist, i cili ishte parandaluar nga CIA.

———————————-

Edhe këtë vit, përvjetori i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në 11 shtator 2001 ringjalli një sërë teorish konspirative në rrjet. 

Një nga teoritë konspirative që rrethojnë sulmin e 11 shtatorit pretendon se kullat binjake nuk u shembën si pasojë e përplasjes së dy avionëve të marrë peng nga terroristët, por sepse godinat ishin pajisur fshehurazi me eksploziv si pjesë e një komploti qeveritar. 

Si ‘provë’ për këtë teori, po shpërndahet në rrjet një video e presidentit Bush me pretendimin se, në të, ai “pranon se Qendrat Botërore të Tregtisë u shkatërruan nga eksplozivët.”

Në videon e mësipërme, Bush dëgjohet të thotë:

“Informacioni që Agjencia Qendrore e Informacionit (CIA) ka përftuar duke marrë në pyetje burra si Khalid Sheikh Mohammed ka ndihmuar në prishjen e komploteve terroriste, përfshi edhe sulme brenda Shteteve të Bashkuara. Për shembull, Khalid Sheikh Mohammed përshkroi planin e sulmeve të planifikuara kundër godinave brenda ShBA dhe si agjentët ishin udhëzuar t’i ekzekutonin. Ky është informacion i vlefshëm për ata nga ne që kanë përgjegjësinë të mbrojnë popullin amerikan. Ai na tha se agjentët ishin udhëzuar të siguroheshin që eksplozivët të shpërthenin në një pozicion që ishte mjaftueshëm lart sa do t’i ndalonte njerëzit që kishin ngecur sipër të shpëtonin.”

Konspiracionistët kanë zgjedhur të përqendrohen vetëm tek fjalia e fundit e Bush, e, në ngazëllimin e madh për komplot, duket se kanë shpërfillur pjesën që e paraprin këtë fjali, ku shpjegohet qartë se po flitet për komplote terroriste të parandaluara nga informacioni që CIA ka nxjerrë nga Khalid Sheikh Mohammed, i ashtuquajturi “arkitekt i sulmeve të 11 shtatorit”. 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se ky klip është shkëputur nga një deklaratë për shtyp që Bush mbajti më 15 shtator 2006.

Në këtë deklaratë, ndër të tjera, Bush po promovonte një projektligj të propozuar nga ai, që pritej të votohej në Kongresin amerikan në atë kohë. “Projektligji që kam propozuar do të sigurojë që të dyshuarit për terrorizëm do të kenë gjyqe të plota dhe të drejta pa i treguar atyre sekrete të ndjeshme kombëtare,” tha ai. “Projektligji do të përcaktonte gjithashtu rregulla të qarta për personelin tonë të përfshirë në arrestimin dhe marrjen në pyetje të terroristëve që janë kapur.”

Projektligji, të cilit i referohet Bush, ishte Akti i Komisioneve Ushtarake (MCA), i cili u miratua nga Kongresi amerikan në 17 tetor 2006. 

Në atë kohë, kritikët e projektligjit të propozuar nga Bush e quanin atë si mbështetje ndaj torturës, dëshmisë nën presion, dhe gjyqeve të fshehta. 

Kjo, pjesërisht, sepse MCA ndryshoi përkufizimin e krimeve të luftës për të cilat zyrtarët qeveritarë amerikanë mund të procedohen. Legjislacioni ekzistues e konsideronte çfarëdo shkeljeje të Nenit 3 të Konventës së Gjenevës si krim lufte, dhe shkas për procedim penal. Seksioni 6 i MCA amendoi këtë legjislacion në mënyrë që vetëm veprimet e përkufizuara specifikisht si “shkelje të rënda” të Nenit 3 mund të quheshin bazë për procedim penal. Ky ndryshim ligjor ishte i aplikueshëm në mënyrë retroaktive deri në 26 nëntor 1997. 

Në 2004, dy vite përpara miratimit të këtij ligji, u publikuan një sërë fotosh nga burgu Abu Ghraib në Irak, të cilat tregonin oficerë të ushtrisë amerikane dhe CIA duke torturuar dhe poshtëruar personat që mbaheshin në këtë burg. Po atë vit, u publikuan edhe një numër memorandumesh të pagëzuara “Memot e Torturës” në të cilat zyrtarë të Departamentit amerikan të Drejtësisë këshillonin CIA, Departamentin e Mbrojtjes, dhe presidentin mbi përdorimin e “teknikave të zgjeruara të marrjes në pyetje” dhe pohonin se këto teknika, të konsideruara gjerësisht si tortura, mund të ishin të lejueshme ligjërisht nën një interpretim të gjerë të autoritetit presidencial.

Në kontekstin historik, është edhe më e dukshme se Bush nuk po fliste për sulmet e 11 shtatorit. Ai po sillte shembuj të komploteve të parandaluara nga CIA pas marrjes në pyetje të ‘arkitektit të 11 shtatorit’, për të justifikuar propozimin e një projektligji që do të zbuste pasojat për personelin ushtarak që mund të tejkalojë kufinjtë e torturës së lejueshme përgjatë marrjes në pyetje të terroristëve të mundshëm.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img