Kosova e treta ndër vendet e Gadishullit të Ballkanit për investime në Shqipëri

814

Në vizitën shtetërore të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani në Tiranë, Presidenti Bajram Begaj deklaroi se Kosova është investuesi i tretë më i rëndësishëm ndër vendet e Gadishullit Ballkanik në Shqipëri. Verifikimet e Faktoje, zbuluan se deklarata e Presidentit është e vërtetë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se investimet nga Kosova po rriten ndjeshëm, nga viti në vit.

Esmeralda Topi 

“…Kosova renditet si investuesi i tretë më i rëndësishëm ndër vendet e Gadishullit të Ballkanit në Shqipëri, me një stok investimesh të kënaqshëm.” deklaroi Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj gjatë fjalës së mbajtur në pritjen shtetërore që i bëri Presidentes Vjosa Osmani më 4 shtator në Tiranë. 

Referuar të dhënave të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në raport me vendet e Gadishullit Ballkanik, Kosova mban vendin e tretë sikurse deklaroi Presidenti Begaj. Pozicioni i Investimeve të huaja të drejtpërdrejta në tremujorin e parë të vitit 2023 nga vendet e Gadishullit Ballkanik në Shqipëri liston si investitorë të parë Turqinë me 877 milion euro; Bullgarinë në vend të dytë me 725 milion euro, Republikën e Kosovës në vend të tretë me 225 milion euro; dhe në vend të katërt Greqinë me 217 milion euro, etj. 

Ndërsa në raport me vendet e rajonit, Kosova mban vendin e parë. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të këtij viti, investimet e huaja nga Kosova arrijnë vlerën e 225 milionë eurove, duke e renditur të parën ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas Kosovës vjen Maqedonia e Veriut me 78 milionë euro investime dhe në vend të tretë rezulton Serbia me 45 milionë euro. 

Burimi: Banka e Shqipërisë

Edhe nëse analizojmë të dhënat për pesë vitet e fundit, pozicionimi i Kosovës në vendin kryesues nuk ndryshon në raport me vendet e tjera të Ballkanit.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Çfarë thonë ekspertet?

Investimet e Kosovës në Shqipëri në pesëvjeçarin e fundit po ndjekin një tendencë në rritje duke e renditur të parën ndër vendet e rajonit. Safet Gërxhaliu, ekspert i çështjeve ekonomike në Kosovë, thotë se Shqipëria është kthyer në një treg tërheqës për kompanitë kosovare. 

“Shqipëria ka bërë hapa pozitivë në veçanti sa i përket turizmit. Kjo nënkupton që hoteleria dhe gastronomia janë dy fushat në të cilat interesi është primar. Në vend të dytë, është në aspektin e veprimtarisë; blerja e banesave apo shtëpive është mjaft me interes. Dhe e treta që do të jetë me siguri me efekte pozitive për të dyja vendet është fakti se kompanitë më të fuqishme të prodhimit në Kosovë janë duke menduar që kapitalin dhe prodhimet t’i mbartin edhe në Shqipëri. Qoftë në prodhimet bujqësore, po ashtu edhe në prodhime të tjera. Dhe unë besoj që nga viti në vit do të kemi rritje të investimeve të Kosovës në Shqipëri, sikurse do të ishte shumë mirë nëse do të kishim edhe investime të Shqipërisë në Kosovë. – argumenton ndër tjera Gërxhaliu për Faktoje. 

Përfundim

Nga verifikimi dhe të dhënat e grumbulluara nga Faktoje, deklaratën e Presidentit Begaj se ‘Kosova është investuesi i tretë më i rëndësishëm ndër vendet e Gadishullit Ballkanik në Shqipëri’, do ta kategorizojmë të vërtetë.

Korrigjim:

Në artikullin e publikuar në datë 15.09.2023 në lajmin me titull “Kosova renditet e para dhe jo e treta ndër investitorët ballkanas në Shqipëri” kemi shkruar: “Ndryshe nga ç’deklaroi Presidenti Begaj, Kosova mban vendin e parë dhe jo të tretin për sa i përket fluksit të investimeve në Shqipëri.
Edhe nëse analizojmë të dhënat për pesë vitet e fundit, pozicionimi i Kosovës në vendin kryesues nuk ndryshon në raport me vendet e tjera të Ballkanit. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, prej tremujorit të dytë të vitit 2017 Kosova kryeson me flukset më të larta të parave të investuara në Shqipëri krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje- Hercegovinën.”
Përmes reagimit zyrtar nga Zyra e shtypit të Presidentit të Republikës më datë 16.09.2023, u kërkua korrigjimi i lajmit me këtë argument: “Pasaktësia e Faktoje.al qëndron në atë se Presidenti i Republikës i referohet vendeve të Gadishullit të Ballkanit (sikurse thotë vetë Faktoje.al më lart) dhe jo vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Pozicioni i Investimeve të huaja të drejtpërdrejta (ose vlera e stok-ut) në tremujorin e parë të vitit 2023 nga vendet e Gadishullit Ballkanik në Shqipëri rendit (sipas rendit zbritës):
Turqinë në vend të parë me 877 milion euro; Bullgarinë në vend të dytë me 725 milion euro, Republikën e Kosovës në vend të tretë me 225 milion euro; Greqinë në vend të katërt me 217 milion euro, etj.
(Të dhënat janë të verifikueshme sipas link-ut në vijim
https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,8,0,17027&uni=20230916124810162158210194779035&ln=1&mode=alone)”.
Pas kësaj kërkese, Faktoje bëri korrigjimin e lajmit dhe kategorizoi deklaratën si të Vërtetë.