.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPresidenti Biden nuk është arrestuar, fotoja një manipulim i vjetër

Presidenti Biden nuk është arrestuar, fotoja një manipulim i vjetër

Një imazh i presidentit amerikan Joe Biden brenda një qelie po përdoret për të pretenduar se Biden është arrestuar ditët e fundit dhe mediat kryesore po e fshehin lajmin. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto është një fotomontazh i vitit 2020 nga faqja satirike “The Onion”.

———————————————–

Një foto që tregon presidentin Biden pas hekurave të një qelie po qarkullon në hapësirat online shqipfolëse si ‘provë’ se presidenti amerikan është arrestuar në 30 janar. 

Ajo është shoqëruar me përshkrimin “Thyerje! Biden sapo u arrestua!!! Ata po përpiqen të censurojnë këtë video dhe mediat kryesore NUK po e raportojnë këtë! Biden është akuzuar për lidhjet e tij të fshehura me Ukrainën.” Teksti qartazi është përkthyer shkel e shko nga anglishtja ku “breaking” përdoret për të nënkuptuar “breaking news” (lajmi i fundit), por ka kuptim të parë “thyerje”. Për fat të keq, ka edhe nga ata komentues në postim që e marrin të mirëqënë dhe ngrenë pyetje mbi këtë lajm.

Për të verifikuar vërtetësinë e fotos, “Faktoje” përdori motorin e kërkimit të imazheve TinEye. Nga ky kërkim rezulton se foto qarkullon në internet që nga Marsi i vitit 2020. 

Një kërkim më i thelluar në Google Images tregoi se foto është përdorur në 9 mars 2020 në faqen satirike “The Onion”, në një artikull me titull “Biden mban fjalim nga qelia e Afrikës së Jugut ku është ende në burg për mbështjetjen ndaj Nelson Mandelës.” Artikulli ironizon pretendimin e (në atë kohë) kandidatit për president që ai ishte arrestuar në Afrikën e Jugut në vitet 1970 duke u përpjekur të takonte Mandelën.

Artikulli i “The Onion”

Nëse ka ende dyshime, shfaqja më e fundit publike e Biden, dy ditë më parë në 4 shkurt 2023, konfirmon më tej se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është arrestuar.

Presidenti Joe Biden në 4 shkurt 2023

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img