BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTesti i përbashkët nuk vërteton se Covid-19 është grip normal

Testi i përbashkët nuk vërteton se Covid-19 është grip normal

Një komplet testi i shpejtë për Covid-19, i përfshirë në të njëjtin paketim me testimin e gripit sezonal, po shërben për të mbështetur pasaktësisht teorinë se të dyja viruset janë të ngjashme. Prej muajit dhjetor, në media të ndryshme sociale po shfaqet një foto e një testi të shpejtë që mund të bëhet në kushte shtëpie, si për COVID-19 ashtu edhe për gripin.

Imazhi është shpërndarë edhe nga përdorues të rrjetit social Facebook në Shqipëri, duke aluduar se autoritetet kanë miratuar të njëjtin test që përdorej për Covid-19, edhe për të identifikuar gripin këtë sezon. “Sapo ndryshuan paketimin” – shkruhet në postimin që shoqëron foton.

E njëjta foto dhe postime të ngjashme janë ndarë edhe nga ndjekës të tjerë kundër vaksinimit duke pretenduar një provë të mëtejshme të “pranisë së Covid-19 si një grip i zakonshëm stinor”.

Kolegët tanë nga USA Today dhe Open Online kanë verifikuar vërtetësinë e fotos dhe pretendimit të mësipërm. Më konkretisht, kompleti që shfaqet në foto është prodhuar nga Fanttest, një kompani bioteknike me bazë në Kinë. Pavarësisht se paketimi shitet në format të përbashkët, kompleti përmban një pajisje që teston për COVID-19 nga njëra anë dhe gripin nga ana tjetër. Pra, kompleti i antigjenit teston viruset veçmas. Kjo sepse të dy viruset janë të ndryshme.

Sipas udhëzimeve në paketim, përdoruesit futin një tampon në të dy vrimat e hundës dhe më pas mostrën e marrë e shtojnë në një test për COVID-19 dhe më pas në një test të gripit. Përdoruesit duhet të presin 15 minuta përpara se të shfaqen rezultatet.

Kompleti i testimit të dyfishtë i Fanttest është i çertifikuar nga Administrata e Mallrave Terapeutike të Australisë, jo nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA. Kompleti nuk është i disponueshëm për blerje në SHBA.

Në fakt, asnjë test i gripit në shtëpi nuk është miratuar nga FDA për shkak të shqetësimeve në lidhje me mungesën e saktësisë dhe ndjeshmërisë së ndryshme, sipas Stat News.

USA TODAY hodhi poshtë më parë pretendimet se të kesh grip mund të rezultojë në një test pozitiv për COVID-19.

“Asnjë test për këtë virus nuk mund të marrë miratim nëse jep rezultate false me viruse të tjera të zakonshme të frymëmarrjes,” është shprehur për USA TODAY, Dr. Stephen Morse, profesor i epidemiologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Kolumbisë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img