Pretendimi: Presidenca e Maqedonisë së Veriut ka fshirë gjuhën shqipe nga faqja zyrtare online.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————–
Më 30 maj 2024, një numër portalesh shqipfolëse raportuan se faqja zyrtare e presidencës së Maqedonisë së Veriut kishte hequr opsionin për ta parë faqen në gjuhën shqipe pas emërimit të presidentes së re Gordana Siljanovska-Davkova. Disa tituj ia veshin drejtpërdrejt përgjegjësinë për këtë skandal të pretenduar presidentes Siljanovska-Davkova.
Artikujt e mësipërm nuk ofrojnë ndonjë detaj të mëtejshëm apo imazh të faqes zyrtare të presidencës ku mungon opsioni që shfaq përmbajtjen në gjuhën shqipe.
Megjithatë, Faktoje gjeti se, më 29 maj 2024, versioni shqip i faqes zyrtare së presidencës shfaqte një mesazh që lajmëronte se faqja e kërkuar nuk mund të gjendej.
Gjithsesi, në kohën e shkrimit të këtij artikulli, më 31 maj 2024, faqja zyrtare e presidencës së RMV jep opsionin për ta parë në shqip dhe anglisht, krahas gjuhës maqedonase.
Versioni i faqes së presidencës në gjuhën shqipe, gjithashtu, shfaqet tashmë i plotë.
Gjasat janë që mungesa e përkohshme e faqes në shqip nuk ka qenë pasojë e ndonjë dashakeqësie që shënjestron shqiptarët, por një defekt teknik ose ndryshim i përkohshëm i informacionit në faqe, që tashmë duket se është ndrequr.
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli