.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPremtimet e kreut të bashkisë Korçë që mbetën projekte në letër

Premtimet e kreut të bashkisë Korçë që mbetën projekte në letër

Gjatë fushatave zgjedhore lokale në 2015 dhe 2019, kreu i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, premtoi për bashkëqytetarët e tij një sërë investimesh që do të sillin përmirësimin e jetës dhe shtimin e turistëve në qytet. Sot, premtimet për rikonstruksionin e pishinës së qytetit në Korçë, ndërtimi i muzeut të rakisë në Boboshticë dhe restaurimi i lulishtes rreth bustit Asdrenit në Drenovë mbeten përsëri ende projekt-ide.


“Do të restaurojmë lulishten përreth bustit Asdreni në Drenovë”, shkruante në një postim në Facebook, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo më 13 qershor 2015.

Faktoje, në fund të muajit tetor ishte në Korçë për të verifikuar premtimet e kryebashkiakut Filo në lidhje me restaurimin e lulishtes përreth bustit të Asdrenit në Drenovë.

 

Foto të bustit të Asdrenit

Nga vëzhgimi në terren “Faktoje” nuk konstatoi të ishte bërë ndonjë ndërhyrje për restaurimin e lulishtes. Këtë konfirmim e morëm edhe nga banorët e fshatit, të cilët thanë për Faktoje se nuk kanë parë të ndërhyhet për rikonstruksion. Kjo vërehet dhe nga papastërtitë që e kishin rrethuar bustin Asdreni.

“Nuk është bërë asnjë rikonstruksion, unë si banore nuk kam parë asgjë. Me sa mbaj mend unë disa pastrime tek kjo lulishte janë bërë para 7 vitesh, më pas asgjë.”- shprehet një banore e zonës.

Ndërsa një grup fëmijësh shprehen se e pastrojnë vetë këtë ambient.

“E pastrojmë ne, sepse këtu vijmë e luajmë futboll shpesh me shokët. E me atë rast e pastrojmë të gjithë bashkë”, – na thotë Klei, 14 vjeç nga Drenova.

Foto nga busti i Asdrenit

Në korrik të vitit 2019, pasi ishte rikonfirmuar në krye të Bashkisë Korçë, zoti Sotiraq Filo, gjatë një vizitë në fshatin Boboshticë bashkë me kryeministrin Rama dhe ministren e Kulturës, zonjën Elva Margariti, prezantoi strukturën që do shndërrohej në Muzeun e Rakisë. Ngritja e këtij muzeu parashikohej të rriste numrin e turistëve në zonë.

“Ky është objekti që e kemi propozuar për Muzeun Kombëtar të Rakisë. Tani është jashtë funksionit dhe kemi bërë një para projekt për shndërrimin e tij në Muze të Rakisë. Besoj që falë këtij muzeu do kemi më shumë fluks vizitorësh.” – tha zoti Filo.

Objekti që do shndërrohej në Muzeun e Rakisë në Boboshticë

 “Këtu nuk është bërë asgjë, madje për Muzeun e Rakisë e kemi të dëgjuar para shumë vitesh, por nuk kemi asnjë informacion se çfarë është bërë me të.”- tregon një banore e zonës rreth të 50-ave.

Një tjetër premtim i kryetarit të zotit Filo që u zotua që do ta bënte përgjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019 ishte pishina e qytetit. Vendi i planifikuar për ndërtimin e pishinës së qytetit ishte thuajse ngjitur me stadiumin “Skëndërbeu”.

“… Pishina e qytetit, zgjerimi i Parkut Olimpik dhe një qendër e madhe edukimi dhe trajnimi për teknologjitë e informacionit, janë disa nga projektet madhore të bashkisë, që kryeministri premtoi t’i mbeshtesë me financim për 4 vitet e ardhshme” – shkruante kryebashkiaku Filo në një postim në rrjetin social Facebok më 16 qershor 2019.

Zona e planifikuar për ndërtimin e pishinës së qytetit

“Ka qenë një plan për tu ndërtuar këtu, por deri tani nuk kanë ardhur as për ta shikuar si vendodhje.”- tregon për Faktojen një banor i zonës rreth të 65-ave.

Lidhur me këto premtime, Faktoje i dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Bashkisë Korçë duke pyetur se në çfarë faze është projekti për restaurimit të lulishtes përreth bustit Asdreni në Drenovë, kur do të niste puna për pushinën e qytetit dhe për hapjen e muzeut të Rakisë në Boboshticë.

Screenshot nga kërkesa për informacion

Sipas përgjigjes zyrtare këto premtime janë akoma projekt-ide.

“Përsa i përket projekteve që na keni kërkuar informacion si restaurimi i lulishtes përreth bustit Asdreni në Drenovë, pishina e qytetit dhe muzeu i rakisë në Boboshticë ju bëjmë me dije se janë ende projekt-ide.”-thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë.

Përgjigjja e Bashkisë Korçë, 19 Gusht

Faktoje ka ndjekur edhe më parë përmes artikujve premtimet e pambajtura të kryetarit të Bashkisë Korçë, e duket se në vitin 2021 asgjë nuk ka ndryshuar.

Faktoje bazuar në informacionet që ka grumbulluar në terren dhe pas përgjigjeve zyrtare këto grup premtimesh do t’i kategorizojë si Të Pambajtura.


“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img