BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë provë për shërimin e gjunjëve me të verdhën e vezës

Asnjë provë për shërimin e gjunjëve me të verdhën e vezës

Një tjetër artikull që promovon kura natyrale për probleme mjekësore këshillon përdorimin e vezëve dhe kripës për të ‘shëruar’ dhimbjen e gjunjëve. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se nuk ka asnjë provë se kjo përzierje kuron dhimbjen e gjunjëve.

—————————

Mjekimet popullore janë shpesh alternativë ndaj vizitave mjekësore dhe trajtimit më medikamente të kushtueshme. Në rastin e këshillës për mjekimin alternativ të këshilluar nga portali onlinenews5.com trajtimi nuk është dhe aq pa kosto. Shkrimi në fjalë këshillon: “Shërojenii Dhimbjen E Gjunjëve Me Të Verdhë Të Vezës: Recetë Super E Lehtë!”. 

“Faktoje” ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme për kura natyrale çudibërëse të publikuara në këtë portal. Edhe në këtë rast duket se kemi të bëjmë me një këshillë që nuk mbështetet në asnjë studim serioz apo përvojë jetësore.

Në brendësi të artikullit përshkruhet një ilaç natyral për të trajtuar dhimbjen e gjunjëve. Kura përgatitet duke rrahur të verdhë vezësh dhe duke i përzier me kripë. Ky ilaç këshillohet të aplikohet lokalisht, duke e vendosur në gju.

Artikulli pretendon se ilaçi funksionon sepse magnezi që gjendet në kripë përthithet nëpërmjet lëkurës dhe ul inflamacionin. Njëkohësisht, e verdha e vezës përmban proteina dhe minerale, të cilat “forcojnë indet, venat dhe eshtrat në pjesën e trupit ku e aplikoni”.

Megjithatë, artikulli nuk citon asnjë studim shkencor që provon efektivitetin e kësaj përbërjeje.

Ndërkohë, pyetur nga “Faktoje”, reumatologia Blerina Dhamo tha se në studimet e Aleancës Europiane të Shoqatave të Reumatologjisë dhe ato të Kolegjit Amerikan të Reumatologjisë, “nuk ekziston kjo përzierje”. Ky trajtim duket i panjohur në Shqipëri edhe në rrafshin e mjekimeve që transmetohen brez pas brezi apo mjekët alternativë. 

Edhe në këtë rast, këshilla më e mirë mbetet ajo për t’iu drejtuar mjekëve profesionistë për çdo shqetësim që mund të haset si dhe të mos braktisen mjekimet e provuara shkencërisht për këshillat e ofruara falas në internet.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img