.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet keqinterpretojnë astronomët për fundin e botës

Portalet keqinterpretojnë astronomët për fundin e botës

Një titull sensacionalist që insinuon se botës po i vjen fundi ka qarkulluar në rrjetet sociale duke krijuar panik të panevojshëm. Në të vërtetë, artikulli flet për një studim astronomik për mundësinë e shuarjes së yjeve, njëri prej të cilit edhe dielli ynë, një ngjarje që mund të ndodhë plot rreth 5 miliardë vite më pas.

——————-

Studimet shkencore shpesh përdoren nga media dhe portalet për të bërë deklarime të pabaza e sensacionaliste që përçudnojnë rezultatet dhe qëllimet e vetë studiuesve. 

Botës po i vjen fundi!? E thonë shkencëtarët: Ja kur mbyllet cikli i jetës” paralajmëron titulli i artikullit të Korrieri.com.al i cili është shpërndarë në disa faqe në rrjetin social Facebook.


Artikulli vijon në brendësi, por lexuesit që e “hëngrën karremin” e titullit dhe presin të zbulojnë kur dhe pse parashikohet të ndodhë ndonjë katastrofë do të mbeten të zhgënjyer.

Në brendësi flitet për një model shkencor nga një grup astronomësh, përfshirë edhe  profesor Albert Zijlstra nga Universiteti i Manchester. Synimi i studimit nuk ka të bëjë me fundin e botës, apo ciklin e jetës. Ai ka qëllim specifik të parashikojë se çfarë do të ndodhë pasi Dielli, ylli përreth të cilit rrotullohet planeti ynë, të shkatërrohet, gjë që pritet të ndodhë pas rreth 5 miliardë vitesh. Eshtë e kuptueshme që periudhat kohore për të cilat flitet në studim janë aq të gjata sa nuk kanë asnjë lidhje me urgjencën që shtron artikulli i portalit tek lexuesit për të ardhmen e tyre. 

“Çfarë do të ndodhë kur dielli ynë të vdesë?” – Deklarata për shtyp e Universitetit të Manchester mbi studimin në fjalë.

Titulli sensacionalist i përdorur nga portali për të mbledhur klikime, pra, nuk ka të bëjë fare me punën e shkencëtarëve që ai i referohet. Ky titull jo vetëm përhap panik dhe dizinformon, por edhe trajton me mungesë respekti punën serioze të astronomëve, studimi i të cilëve mori mbi një dekadë kohë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img