.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëPolicia Rrugore: Radarët automatikë në gjendje pune

Policia Rrugore: Radarët automatikë në gjendje pune

ANXHELA RUCI

Në një dalje për mediat (22 nëntor 2017) specialisti i Policisë Rrugore, Ervin Dervishi deklaroi se prej 20 ditësh kishte nisur funksioni i radarëve automatikë dhe dërgimi i masës administrative me gjobë nëpërmjet Postës. “Faktoje” u përpoq të vërtetonte funksionalizimin e radarëve “spiunë”, duke kontaktuar me burimet respektive.

Policia e Shtetit tha për “Faktoje” se numri i konstatimeve në opsionin automatik është i kufizuar dhe për këtë arsye radarët janë në matje në opsionin manual, për të shmangur vonesat e dërgimit tek adresari, deklaratë e cila hedh dyshimet e para se radarët “spiunë” nuk janë në funksionim. Më tej Policia shton se ka marreveshje specifike me Postën Shqiptare për kryerjen e njoftimit të shtetasve,  shkelës të ligjit në fushën e kundravajtjeve rrugore si dhe një tarifë të mirëpërcaktuar për shërbimin që ofron policia e shtetit ndaj të tretëve.

Posta Shqiptare “rrëzon” pretendimin e Policisë së Shtetit

Në informacionin e  marrë në rrugë zyrtare, Posta Shqiptare ka mohuar të ketë një marrëveshje specifike për dërgimin e gjobave të regjistruara nga radarët automatikë tek adresari. Ndërsa citon ligjin 46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë” i cili garanton fshehtësinë e korrespodencës, ky institucion pranon se nuk është në dijeni të përmbajtjeve të zarfeve të tjerë që lëvrohen nga Policia e Shtetit.

Një pikë tjetër ku Policia e Shtetit bie ndesh me Postën Shqiptare është vështirësia në gjetjen e adresarit. Në përgjigjen e saj Posta deklaron se pavarësisht mungesave të regjistrimit të adresave, ky institucion ka arritur të përmbushë misionin duke përdorur forma të ndryshme. Ndërsa Policia e Shtetit deklaron se mungesa e adresarit ka penguar funksionimin e radarëve nën modulin automatik.

Që prej muajit mars është njoftuar se në akset të identifikuara si “njolla të errëta” ka nisur funksionimi i radarëve automatikë, të cilët bëjnë të mundur identifikimin e automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit. Në një prononcim për  ‘’Faktoje.al’’, një nga efektivët e rrugores në Lezhës, i cili monitoronte me radarë aksin “ Fushë-Krujë – Lezhë”, i njohur ndryshe dhe “Aksi i vdekjes”, pohoi deklaratën e Ervin Dervishajt se radarët funksionojnë në modulin automatik. Më tej efektivi shtoi se ishte në dijeni të faktit se policia rrugore që prej muajit gusht kishte një kontratë me Postën Shqiptare e cila ishte rinovuar përsëri në fund të muajit dhjetor.

Radarët kanë kapacitet të realizojnë 700 shkrepje të pamjeve të automjeteve në të cilat konstatohet qarkullimi mbi normat e lejuara, përdorimi i aparatëve celularë gjatë drejtimit të automjetit apo mospaisja me rripa sigurimi. Me funksionimin e radarëve automatikë, synohet të mos jetë e nevojshme prania e patrullave të policisë në akset rrugore.

Dikush nuk po thotë të vërtetën

Në përfundim të hulumtimit, “Faktoje.al” nuk mund të japë një përgjigje nëse projekti për radarët në modulin automatikë, funksionojnë plotësisht apo jo, për shkak të marrëveshjes “fantazmë”. Dy institucione, dy përgjigje të ndryshme. Për shkak të fakteve të renditura më lart, deklaratën e specialistit të Rrugores,  Ervin Dervishi do ta klasifikojmë si GJYSMË TË VËRTETË. Gjithsesi rekomandojmë shoferët të qarkullojnë me kujdes se edhe nëse gjoba nuk u shkon në adresën postare, ajo figuron dhe regjistrohet në sistem.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img