BallinaBurokraciSi gjithmonë Ministria e Arsimit vonon në përgjigje

Si gjithmonë Ministria e Arsimit vonon në përgjigje

INVA HASANALIAJ

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, është institucioni i radhës i cili ka ngadalësuar procesin e verifikimit të fakteve për “Faktoje’’ përmes burokracive. Në datën 12 shkurt 2018 “Faktoje” i dërgoi një kërkesë për informacion koordinatorit të së drejtës për informim nga i cili mori si përgjigje vetëm numrin e protokollit të kërkesës në fjalë.

Kërkesa kishte të bënte me një listë të tarifave që studentët e të gjitha programeve master paguajnë në çdo universitet publik në Shqipëri. Deri në datën 28 shkurt, nga ky institucion nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje tjetër edhe pse është shkelur afati i përcaktuar me ligj.

Nisur nga ky fakt, “Faktoje” procedoi duke dërguar një ankesë për shkeljen e të drejtës së informimit tek komisioneri për të drejtën e informimit. U desh të ndërmerrej një hap i tillë,  që më pas Ministria e Arsimit  “të kujtohej” të kthente një përgjigje ndonëse jo ajo që kishim kërkuar.

Koordinatori i këtij institucioni na liston një numër pikash ligjore, të cilat të përmbledhura në pak fjalë tregojnë se janë vetë universitetet ato të cilat përcaktojnë tarifat. Padyshim kjo ishte një përgjigje e panevojshme, pasi ne kërkuam të njiheshim me listën e tarifave dhe jo për mënyrën sesi apo kush vendos tarifat universitare.

Në fund të përgjigjes shkruhet se: “Në këtë kuadër ju lutem drejtohuni Universiteteve Publike në Republikën e Shqipërisë për të marre këtë informacion”.

Pyetja që lind në një rast të tillë është : “A nuk ka dijeni Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për tarifat që universitetet vendosin? ”

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img