Pretendimi: Qënie jashtëtokësore të quajtura Plejadianë ekzistojnë mes njerëzve dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e planetit
Verdikti: E paprovuar
—————————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi (arkivuar këtu) i pazakontë se qënie jashtëtokësore të quajtura Plejadianë lëvizin mes njerëzve “për t’i monitoruar ata dhe për të parë vetë progresin dhe informacionin e tyre në lidhje me situatën planetare.”

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet provë, burim apo referencë, aq më pak e jashtëzakonshme.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi që shoqëron pretendimin është një skenë e shkëputur nga seriali fantastiko-shkencor Defiance, dhe tregon aktorët Tony Curran dhe Jaime Murray, të cilët luajnë personazhet Datak dhe Stahma Tarr, anëtarë të racës aliene Votan.
Ndërkaq, Pleiadianët janë një racë e pretenduar aliene humanoide që vijnë nga grupimi yjor i Plejadave.
Persona që pretendojnë se kanë patur kontakte me to, i përshkruajnë ata si qenie më të gjata se njeriu mesatar, me një gjatësi përafërsisht 1,8–2,1 metra, të cilat shfaqin tipare që konsiderohen stereotipikisht “europiane” ose “të bardha”, siç janë flokët e gjatë, të drejtë e biondë, sytë blu dhe lëkura e çelët.
Në vitet 1950, George Adamski, një ufolog polako-amerikan, ishte ndër të parët që raportoi publikisht për kontaktin e tij të pretenduar me qenie të tilla. Studiuesit vërejnë se mitologjia rreth vizitave të qenieve jashtëtokësore të këtij lloji (të cilat kanë tipare fizike që përshkruhen sipërfaqësisht si “ariane”), shpesh përmend aftësi telepatike, dashamirësi, si dhe bukuri e hir fizik.
Gjatë viteve 1950, shumë njerëz që pretendonin se kishin pasur kontakte, veçanërisht në Europë, raportuan takime me qenie që përputheshin me këtë përshkrim. Këto pretendime u bënë relativisht më të rralla në dekadat pasuese, pasi “alieni gri” zëvendësoi “alienin nordik” në shumicën e rrëfimeve mbi takimet me qenie jashtëtokësore.
Megjithatë, nuk ka prova konkrete materiale që mbështesin këto teori të pazakonta.
Pleiadat, në realitet, janë një grupim i hapur yjesh, që ndodhet rreth 400 vite-dritë larg Tokës. Ato përbëhen nga 7 yje të dukshëm me sy të lirë, si dhe nga një numër tjetër yjesh që janë tepër të zbehtë për t’u parë pa teleskop.
Ky grupim është shumë i ri; mosha e tij nuk i kalon 150 milionë vitet. Çdo planet që do të orbitonte rreth yjeve të këtij grupimi do të ishte, gjithashtu, po aq i ri. Në fakt, kur Toka ishte 150 milionë vjeçe, ajo ndodhej ende në eonin Hadean, një periudhë e karakterizuar nga goditje të shpeshta prej asteroidësh dhe kometash. Sipërfaqja e saj ishte, në pjesën më të madhe, në gjendje të shkrirë për shkak të këtyre goditjeve të vazhdueshme e të pandërprera. Do të duheshin edhe dy miliardë vite të tjera para se oksigjeni të shfaqej për herë të parë në atmosferën e saj.
Me fjalë të tjera, nëse në ndonjë prej planeteve hipotetike të grupimit të Pleiadave do të ishin zhvilluar forma jete jashtëtokësore, ato do të ishin të barazvlershme me baktere.






