Qyteti Studenti pas sulmeve ndaj konvikteve

Studentët largohen të frikësuar, ndërsa rrjetet sociale përhapin pretendime të pavërtetuara për rrëmbime. Autorët e sulmeve mbeten të paidentifikuar.

23
godina 14

Nga Jona Cenameri

Mëngjesin e së premtes, 16 tetor, Qyteti Studenti në Tiranë dukej më shumë si në një ditë fundjave sesa në një ditë të zakonshme mësimi. Rrugëve shiheshin pak të rinj. Tek-tuk, ndonjë student dilte nga godina me çantë në shpinë apo tërhiqte valixhen, në pritje të një taksie ose të familjarëve që do të vinin ta merrnin.

Një natë më parë, disa prej konvikteve ishin goditur me gurë, ndërsa në rrugët përreth ishin djegur kosha mbeturinash dhe ishin dëmtuar pjesë të infrastrukturës (tabela rrugore, etj). Frika e krijuar nga ngjarjet, por edhe shqetësimi i familjarëve që kishin ndjekur pamjet në rrjetet sociale, kishin shtyrë shumë studentë të largoheshin.

Në disa godina, xhamat e dyerve dhe dritareve vijonin të ishin të thyer. Punonjëset e pastrimit mblidhnin copat e xhamit nëpër rrugë. Në hyrjen e njërës prej godinave, një poster dhe shirit ngjitës ishin përdorur për të mbuluar përkohësisht pjesën e thyer të derës.

Në një tjetër konvikt, dera prej xhami ishte shkatërruar pothuajse tërësisht, duke lënë një hapësirë aq të madhe sa mund të kalohej përmes saj. Nga rruga mund të shihej ambienti i lavanderisë së godinës.

Gjurmët e sulmeve të një nate më parë ishin ende të dukshme.

Çfarë ndodhi mbrëmjen e 15 tetorit?

Sipas dëshmive të mbledhura nga Faktoje dhe informacioneve të drejtuesve të Qytetit Studenti, një grup të rinjsh ka lëvizur përgjatë rrugëve të kompleksit, duke goditur me gurë xhamat e disa konvikteve dhe kamerat e sigurisë dhe duke u vënë zjarrin koshave të mbeturinave.

Dëmtimet nuk janë kufizuar vetëm te konviktet e vajzave, siç u raportua fillimisht në rrjetet sociale.

Sipas koordinatorit të Qytetit Studenti dhe vëzhgimit të Faktoje në terren, janë dëmtuar godinat 9-10, 11-12, 14, 15, 16, 17 dhe 18. Godinat 16 dhe 18 janë godina djemsh, të tjerat vajzash. Godinat janë goditur njëra pas tjetrës përgjatë itinerarit të ndjekur nga grupi, ndërsa konviktet më të veçuara nga kjo rrugë, si ato me numra 21-29, nuk kanë pësuar dëmtime të ngjashme.

Mes godinave të prekura është edhe godina 14, ku strehohen studentë të Kolegjit të Europës. Sipas koordinatorit, godinat më të reja, ato nga numri 14 deri te 18, kanë pësuar dëme më të kushtueshme, përfshirë xhamat dopio, kamerat, etj.

Në hyrjen e godinës 14, mëngjesin e së premtes, një grup studentësh të huaj bisedonin në anglisht rrethuar nga çanta, ndërsa një puntor po nxirrte nga vendi derën kryesore të dëmtuar rëndë.

Dëshmitë e studenteve: frikë, korridore të mbushura dhe telefonata nga familjarët

Rexhina, studente masteri që banon në godinën 15, e përjetoi situatën nga brenda konviktit.

Në komunikimet me Faktoje, ajo tregoi se studentet ishin frikësuar nga goditjet dhe zhurmat jashtë godinës. Disa prej tyre kishin qëndruar në korridore, duke u përpjekur të kuptonin çfarë po ndodhte.

Sipas Rexhinës, nga informacionet që kishte marrë prej shoqeve të saj, personat që kishin hedhur gurë dukeshin shumë të rinj, ndoshta edhe rreth 13 vjeç. 

Ajo tregoi gjithashtu se në zonë ishin djegur kosha mbeturinash dhe se drejtuesit e godinës kishin ndërhyrë për të menaxhuar situatën. Në vendngjarje kishin mbërritur edhe shërbimet e emergjencës.

Frika nuk përfundoi me shuarjen e zjarreve

Në mesazhet e shkëmbyera me Faktoje, Rexhina shkruante: “Kemi frikë”.

Studentja tregonte se vajzat po largoheshin njëra pas tjetrës dhe se familjarët ishin të shqetësuar nga lajmet.

“Po ikin të gjitha”, shkruante ajo, duke shpjeguar se disa prindër po kërkonin që vajzat të ktheheshin në shtëpi.

Edhe vetë Rexhina planifikonte të largohej drejt Vlorës. Ajo shqetësohej se mos mamaja e saj e shikonte këtë lajm dhe frikësohej. 

Në komunikimet e mëvonshme, studentja shprehej se kishte qëndruar pothuajse pa gjumë gjithë natën dhe mëngjesin e sotëm (16 tetor) ishte kthyer për në Vlorë.

Një tjetër studente, e cila po largohej drejt Tropojës bashkë me shoqet, i tha Faktoje se shumë prej vajzave kishin vendosur të largoheshin nga frika. Sipas saj, edhe nëse nuk do ta merrnin vetë vendimin për t’u kthyer në shtëpi, familjarët do të vinin t’i merrnin.

Një studente tjetër, që po priste taksinë pranë godinës 15, tregoi se gjatë ngjarjes kishin qëndruar rreth një orë së bashku në korridor, të frikësuara nga ajo që po ndodhte jashtë. 

Një studente përjetoi ankth, u asistua nga psikologu

Sipas koordinatorit të Qytetit Studenti, një studente e godinës 15 përjetoi një gjendje të fortë ankthi gjatë ngjarjes. Ajo kishte qenë brenda godinës teksa kjo e fundit goditej me gur nga persona të paidentifikuar. 

Pas ndërhyrjes së stafit, asaj iu ofrua asistencë psikologjike. Koordinatori konfirmoi për Faktoje se studentja ishte në gjendje të stabilizuar.

Ai tha gjithashtu se stafi i konvikteve kishte qëndruar pranë studentëve dhe se policia ishte njoftuar menjëherë pas ngjarjes.

Nga rrëmbimi i tri vajzave te akuzat për serbë dhe policë civilë

Ndërsa studentët përpiqeshin të kuptonin çfarë po ndodhte, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin pretendime gjithnjë e më alarmante.

Screenshot-e të ndryshme u shpërndanë në Instagram, TikTok dhe WhatsApp, ku pretendohej se persona kishin thyer dyert e dhomave dhe kishin rrëmbyer vajza. Një publikim shkonte deri te pretendimi se ishin marrë me forcë 3 studente nga konviktet.

Në postime të tjera flitej për shtetas serbë që kishin hyrë në godinat e vajzave, ndërsa disa përdorues pretendonin se personat e filmuar ishin policë civilë.

Paralelisht, e njëjta video u përdor për të përhapur akuza politike kontradiktore. Disa postime ua atribuuan sulmet protestuesve, ndërsa të tjera pretendonin se autorët ishin paguar nga grupe kriminale apo nga persona të lidhur me Partinë Socialiste për të diskredituar protestën.

Nga verifikimi në terren dhe komunikimet me studentët e drejtuesit e godinave, Faktoje nuk konstatoi asnjë rast rrëmbimi. 

Po ashtu, nuk u paraqitën prova që të vërtetonin përfshirjen e shtetasve serbë apo lidhjet e pretenduara politike të personave që dëmtuan konviktet.

Ndërkohë, organizatorët e protestës janë distancuar publikisht nga sulmet ndaj godinave, duke mohuar përfshirjen e tyre dhe duke theksuar se studentët kërkojnë përmirësimin e kushteve të konvikteve, jo shkatërrimin e tyre.

Policia: Një grup protestuesish të maskuar dëmtoi godinat

Pas përhapjes së videove dhe pretendimeve në rrjetet sociale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë reagoi zyrtarisht për ngjarjet e 15 tetorit.

Sipas policisë, një grup protestuesish të maskuar kishte shkuar në Qendrën Studentore gjatë orëve të mbrëmjes dhe kishte thyer xhamat dhe dyert e disa godinave.

Policia njoftoi se kishte kryer veprimet procedurale dhe po vijonte punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Pavarësisht cilësimit të personave si protestues të maskuar në njoftimin zyrtar, identiteti i autorëve të sulmeve ndaj konvikteve nuk është bërë publik dhe hetimet vijonin.

Kush i sulmoi konviktet?

Disa dëshmitarë i përshkruan personat që hodhën gurë si adoleshentë, ndërsa një i ri, i cili kishte komunikuar me shokun e tij në konviktin 18, i tha Faktoje se sipas informacioneve që kishte marrë, sulmuesit mund të kishin qenë gjimnazistë.

Koordinatori i Qytetit Studenti tha se kishte dëgjuar pretendime nga studentët dhe banorët pranë qs. për përfshirjen e të rinjve nga komuniteti rom, si dhe për sjellje të pazakontë (si në ndikimin e ndonjë substance) të personave të përfshirë. Megjithatë, këto mbeten informacione të pakonfirmuara, që nuk provojnë as identitetin, as përkatësinë e autorëve apo përdorimin e substancave.

Rexhina tregoi gjithashtu se kishte komunikuar me studentë të përfshirë në organizimin e protestës për të pyetur nëse njihnin ndonjërin nga personat që kishin shkuar pranë konvikteve. Sipas saj, ata i kishin thënë se nuk i njihnin.

Studentët largohen, dëmtimet mbeten

Të premten, Qyteti Studenti ishte dukshëm më i qetë. Në disa prej godinave të dëmtuara vijonin të dukeshin xhamat e thyer, ndërsa studentët që kishin vendosur të largoheshin prisnin transportin drejt qyteteve të tyre.

Largimet kishin nisur që të enjten dhe vazhdonin gjatë paradites së së premtes. Për disa, fundjava ishte një mundësi për t’u kthyer në shtëpi; për të tjerë, vendimi lidhej drejtpërdrejt me frikën dhe shqetësimin e familjarëve.

Sipas informacioneve të marra nga drejtuesit e Qytetit Studenti, komisariati i policisë brenda kompleksit nuk kishte qenë funksional prej rreth dy vitesh e gjysmë. Studentët me të cilët komunikoi Faktoje shprehën nevojën për prani më të vazhdueshme të patrullave policore pranë godinave deri në rregullimin e dyerve të godinave.

Sulmet e 15 tetorit lanë pas dëme të dukshme materiale, por edhe një ndjenjë pasigurie që nuk u zhduk me përfundimin e ngjarjes. Studentët friksohen se prindërit nuk do duan t’i lënë të kthehen prap në Tiranë pa u qetësuar situata. Për protestuesit ky ishte një sulm i kordinuar për të frikësuar të rinjtë dhe për t’i larguar ata nga protesta.

Artikulli paraprakPërplasje dhe gaz lotsjellës në ditën e 4-t
Artikulli tjetërPlejadianët, ende asnjë provë për ekzistencën e tyre
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.