Nga Jona Cenameri
Pak pas orës 11:00 të së shtunës, 17 tetor, protestuesit nisën të mblidheshin sërish përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
Ishte dita e pestë e protestave të dhunshme të nisura më 13 tetor.




Thirrja më e përsëritur dhe kërkesa më e artikuluar e turmës mbetej ajo që kishte shoqëruar protestat prej muajit qershor: “Rama, jep dorëheqjen!”
“Poshtë patronazhistët”, “Polici e krimit”, “O sa turp me qenë civil” (referuar policëve civilë) dhe “O sa turp me qenë polic” ishin disa nga thirrjet më të përdorura.
Në hyrje të godinës qëndronin efektivë policie, ndërsa forca të tjera ishin pozicionuar në rrugicën anësore.


Në anë të saj, protestuesit filluan të krijonin një pengesë në mes të rrugës me bordura të trotuarit të shkulura nga vendi. Pranë tyre u vendosën disa kosha mbeturinash, të cilëve më pas iu vu flaka.










Rreth orës 12:00, një tjetër objekt përfundoi në flakë. Protestuesit i vunë zjarrin një valixheje dhe e hodhën brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit, duke e paraqitur si simbol të emigrimit.

Përballë kësaj pamjeje, nga krahu tjetër i protestës u shfaq autoboti i policisë.
Gurë nga njëra anë, gaz nga tjetra
Teksa autoboti afrohej, një pjesë e protestuesve nisën ta qëllonin me gurë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës.






Turma u zmbraps me vrap.
Gazi ndryshon menjëherë mënyrën se si përjetohet protesta. Të djeg sytë dhe fytin, të mbush sytë me lot dhe, për minuta, ta bën thuajse të pamundur të shohësh se ku po shkon.
Në Rrugën e Durrësit, ky cikël u përsërit disa herë: protestuesit afroheshin drejt Ministrisë së Arsimit, hidhnin gurë, sende të forta apo molotovë; policia përdorte gazin dhe ujin me presion; turma largohej me vrap dhe, pas pak, përpiqej të kthehej.
Rreth orës 14:00, u raportua një tjetër sulm me molotovë ndaj efektivëve, pas të cilit policia përdori gaz dhe ujë, duke e shpërndarë përkohësisht turmën në rrugicat pranë Ministrisë së Arsimit dhe drejt hyrjes së sheshit “Skënderbej”.




Në një moment, përqendrimi i gazit pranë ministrisë ishte aq i lartë sa afrimi më tej se dalja e rrugës bëhej thuajse i pamundur.
Por brenda të njëjtës turmë ku fluturonin gurët kishte edhe një tjetër realitet.
Ujë, maska dhe solucion fiziologjik
Disa protestues kishin ardhur të përgatitur me shishe uji dhe solucion fiziologjik për t’ua pastruar sytë personave të ekspozuar ndaj gazit.
Në momentet kur turma shpërndahej me vrap, njerëz që nuk njiheshin me njëri-tjetrin ndalonin për të pyetur: “Je mirë?”, “Do ujë?”, “Duhet të pastrosh sytë?”, “Të duhet maskë?”.


Të tjerë shpërndanin ushqime, ujë dhe maska.
Pak biznese që qëndronin hapur në anë të rrugës shërbenin ndërkohë si vende ku protestuesit merrnin diçka për të ngrënë, për të pirë apo kryenin nevoja personale përpara se të ktheheshin sërish drejt përplasjes.
Plumbat e gomës hyjnë në protestë
Gjatë pasdites, në pamjet e publikuara nga terreni nisën të shfaqeshin protestues që tregonin plumba gome apo shenja goditjeje në trup.
U raportua se policia kishte përdorur plumba gome për të shpërndarë protestuesit, krahas gazit lotsjellës dhe ujit me presion.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha më vonë se përdorimi i këtyre mjeteve kishte qenë i kufizuar dhe se Policia përdorte vetëm pajisje të certifikuara.
U raportuan edhe raste të protestuesve me shenja goditjeje në pjesën e sipërme të trupit.



“Na goditën nga lart”
Një tjetër element i përshkruar nga protestuesit ishte drejtimi nga vinte gazi dhe sende të tjera të përdorura gjatë ndërhyrjes.
Një i ri i tha Faktoje se gjatë përplasjes “jemi gjuajtur me gaz dhe sende të tjera nga lart”. Ai pretendon se ky gaz nuk ka datë prodhimi apo skadence.
Rreth orës 15:00, gjatë marshimit drejt Kryeministrisë, efektivë policie u fotografuan në tarracën e Ministrisë së Brendshme duke hedhur bombola gazi lotsjellës drejt bulevardit.
Pak më vonë, pamje të tjera tregonin efektivë edhe në tarracën e Kryeministrisë duke hedhur gaz drejt turmës që ndodhej poshtë.


Një ambulancë mes protestuesve
Në mes të përplasjeve, një qytetar nuk u ndje mirë.
Ambulanca mbërriti pranë protestuesve, por edhe aty u shfaq mosbesimi që kishte pushtuar turmën. Personi që kishte nevojë për ndihmë hezitonte të hynte në ambulancë nga frika se mund të arrestohej më pas. Vetëm pas këmbënguljes së njerëzve përreth pranoi të merrte ndihmë.
U raportuan gjithashtu raste të personave që humbën ndjenjat gjatë ekspozimit ndaj gazit dhe u morën nga ambulanca.
Më vonë, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore reagoi publikisht pas një incidenti ku një ambulancë ishte penguar nga disa protestues.
“Ambulancat janë në shërbim të jetës”, ishte mesazhi i QKUM-së, e cila u kërkoi protestuesve të mos pengonin lëvizjen e tyre.
Sipas Qendrës, gjatë protestave ekipet e urgjencës po përballeshin jo vetëm me rastet e shkaktuara nga tubimet, por edhe me urgjencat e zakonshme. QKUM tha se në Tiranë, mbi fluksin e zakonshëm prej rreth 250–280 vizitash dhe ndërhyrjesh në ditë, ishin shtuar rreth 100 raste të tjera gjatë ditëve të protestave.

Nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë
Pas rreth katër orësh përplasjesh te Ministria e Arsimit, turma nisi të lëvizte drejt Kryeministrisë.
Gjatë marshimit vazhdonte të dëgjohej kërkesa që mbeti boshti politik i protestës: “Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!”
Pranë selisë së Partisë Socialiste kishte forca policore dhe një tjetër automjet ujëhedhës.




Në segmentin pranë Kishës Ortodokse, lëvizja e turmës kaloi pa përplasje. Por qetësia nuk zgjati.
Teksa protestuesit lëviznin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gazi lotsjellës nisi të hidhej nga tarraca e Ministrisë së Brendshme.
Pas orës 15:30, përplasja u zhvendos përpara Kryeministrisë.
Policia përdori sërish ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa nga grupet e protestuesve vazhduan hedhjet e gurëve, pllakave të trotuarit dhe sendeve të tjera.
Rreth orës 16:00, tre automjete ujëhedhëse po vepronin njëkohësisht në bulevard, ndërsa zona ishte mbuluar nga gazi lotsjellës. Protestuesit, nga ana tjetër, shkëpusnin pllaka dhe i hidhnin drejt forcave të rendit.
Edhe pas ndërhyrjes me gaz dhe ujë, turma nuk u shpërnda menjëherë.
Në minutat që pasuan, policia nisi të futej mes protestuesve dhe të kryente shoqërime, ndërsa pati edhe përplasje fizike mes efektivëve dhe personave në turmë.
Një makinë shtyhet drejt policisë dhe më pas digjet
Rreth orës 17:00, përplasjet përpara Kryeministrisë morën një tjetër kthesë.
Sipas raportimeve nga terreni, një automjet u shty nga protestuesit në drejtim të pozicioneve të policisë. Më pas, mjetit iu vu flaka në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Pamjet e makinës së përfshirë nga flakët u bënë një prej imazheve të pasdites, ndërsa përplasjet vijuan në bulevard.






Policia: 167 të arrestuar në 5 ditë
Ndërsa përplasjet vazhdonin, Policia e Shtetit publikoi edhe bilancin e pesë ditëve të protestave.
Në një konferencë për mediat rreth orës 16:30, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, tha se gjatë këtyre ditëve ishin arrestuar 167 persona dhe proceduar penalisht 388 të tjerë.
Sipas tij, 132 punonjës policie ishin dëmtuar gjatë protestave, kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër dhe Lezhë.
Policia tha se punonjësit e saj ishin sulmuar me gurë, pllaka, sende metalike, mjete piroteknike, molotovë dhe sende të tjera.
Në të njëjtën deklaratë, Hita tha se 7 punonjës policie ishin pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre kishte nisur hetim disiplinor për tejkalim të detyrës, mosrespektim të proporcionalitetit apo mënyrën e trajtimit të protestuesve.
Hita këmbënguli se efektivët nuk kishin marrë urdhër për të vepruar jashtë procedurave standarde dhe tha se përgjegjësia për shkeljet ishte individuale.
Ndërkohë, Policia ngriti edhe një tjetër alarm. Sipas saj, në grupe të krijuara në Telegram po bëheshin thirrje për dhunë ndaj efektivëve dhe për përdorimin e lëndëve djegëse dhe plasëse.
Policia u kërkon prindërve të mbajnë larg të miturit
Një pjesë e dukshme e protestës gjatë këtyre ditëve kanë qenë adoleshentët.
Në deklaratën e tij, drejtori i Policisë u kërkoi prindërve që të mos lejonin përfshirjen e fëmijëve të mitur në protesta ku ekzistonte rreziku i përshkallëzimit.
“Fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezikut dhe as të përdoren si mburojë”, deklaroi Hita.
Edhe bilancet e spitaleve tregojnë se të miturit kanë qenë mes personave të lënduar në ditët e protestave.
Përplasjet vazhdojnë edhe pas orës 17:00
Përplasjet nuk u mbyllën me konferencën e Policisë dhe as me bilancin shëndetësor të orës 17:00.
Rreth orës 18:00, policia ndërhyri sërish për të zmbrapsur turmën dhe për të shoqëruar protestues. Pothuajse në të njëjtën kohë u raportua se 1 protestues i moshuar kishte humbur ndjenjat dhe ishte larguar me ambulancë.
Pak pas orës 18:00, molotovët vazhdonin të hidheshin pranë makinave ujëhedhëse.


Të lënduarit
Bilanci i të lënduarve u rrit gjatë pasdites dhe mbrëmjes së 17 tetorit, ndërsa përplasjet vijonin në qendër të Tiranës.
Rreth orës 15:00, Ministria e Shëndetësisë raportoi se 3 protestues sapo kishin mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës dhe ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Njëri prej tyre deklaronte se ishte lënduar një ditë më parë, por ishte paraqitur në spital më 17 tetor.
Në përditësimin e orës 17:00, në Spitalin Universitar të Traumës ishin paraqitur 9 protestues, nga të cilët një ishte shtruar dhe 3 kishin marrë mjekim e ishin larguar.
Po aty ishin paraqitur 4 efektivë policie, nga të cilët 2 kishin marrë mjekim dhe ishin larguar, si dhe 1 kalimtar. Në QSUT po ekzaminohej edhe 1 efektiv tjetër.
Bilanci u rëndua më tej pas orës 17:00.
Sipas përditësimit më të fundit të strukturave shëndetësore, nga ora 17:00 e në vijim, në Spitalin Universitar të Traumës u paraqitën 16 efektivë policie dhe 2 protestues, ndërsa në QSUT 1 efektiv policie dhe 2 protestues. Bilanci i përgjithshëm kishte arritur në 21 efektivë policie dhe 13 protestues të lënduar.
Ndër personat e transportuar për ekzaminime dhe kujdes të specializuar mjekësor në QSUT ishte edhe një 53-vjeçar me inicialet S.K., i marrë nga ekipi i Urgjencës Kombëtare në zonën pranë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas mjekut të Urgjencës në QSUT, Dr. Euglert Karriqi, pacienti ishte i vetëdijshëm, pa deficite neurologjike dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Ai ndodhej nën monitorim mjekësor, po merrte trajtim mbështetës dhe po i nënshtrohej ekzaminimeve të nevojshme.
Bilanci mbetej në përditësim, ndërsa strukturat shëndetësore vijonin të raportonin persona të paraqitur për trajtim pas përplasjeve.
Në mbrëmje situata u rëndua në rrugën “Myslym Shyri”. U dogj bodrumi i Gjykatës së Lartë bashkë me dosjet. Pas rënies së zjarrit, në terren zbritën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat RENEA.
Pas përshkallëzimit të protestës dhe zjarrit pranë Gjykatës së Lartë, reagoi ministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai theksoi se Gjykata e Lartë dhe Banka e Shqipërisë janë institucione të pavarura dhe jo zyra të qeverisë.
“Dy institucione të pavarura. Asnjëri nuk është zyrë e qeverisë. Të dy i shërbejnë vendit dhe qytetarëve”, deklaroi Gogu.
Ai dënoi aktet e dhunshme, duke theksuar se protesta është një e drejtë, por se dhuna nuk mund të konsiderohet protestë. Sipas tij, dëmtimi i Gjykatës së Lartë nuk godet qeverinë, por institucionet e drejtësisë dhe qytetarët që u drejtohen atyre.






