JOEL ÇELA
Qeveria prezantoi 1 muaj më parë platformën online ku të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit mund të ndiqnin ecurinë e aplikimeve për të përfituar nga grantet për rindërtimin. Por kur klikon në aplikacionin “Shtëpia ime”, “Transparenca” apo çdo opsion të kësaj platforme, shfaqen vetëm aktivitete e foto të kryeministrit dhe qeverisë. Platforma, sipas Ministrisë së Rindërtimit ka qenë aktive që prej 29 janarit.
………………………………………………………………………………………………………………………………………
Platforma ‘online’ e rindërtimit e prezantuar më 26 janar nga ministri Arben Ahmetaj, do t’i shërbente jo vetëm qeverisë për të grumbulluar aplikimet, por edhe qytetarëve të prekur nga tërmeti, për të gjurmuar statusin e aplikimit për përfitimin e fondeve të rindërtimit.
“Platforma e aplikimeve online, është detyrim ligjor dhe shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e procesit të mëtejshëm.”-tha ministri Ahmetaj gjatë këtij prezantimi të transmetuar edhe në ERTV.
Si ndiqet ecuria e aplikimit përmes platformës online?
Dokumenti që vërteton regjistrimin e kërkesës për programet e granteve përmban një kod, të cilin qytetari e merr kur bën aplikimin në zyrat e bashkive apo njësive vendore. Çdo aplikues mund të skanojë barcode-in dhe të ndjekë ecurinë e procesit për shtëpinë e tij. Statusi i aplikimit del online menjëherë pas skanimit, sipas shpjegimit të ministrit Ahmetaj.
Ilustrimi i dokumentit nga ministri Ahmetaj me barcode që skanohet online
Në prezantimin e platformës, ai specifikoi se procesi i parë, ai i aplikimit, do të zgjasë 30 ditë dhe më pas do të vijohet me vlerësimin dhe apelimin. Vlerësimi dhe apelimi janë të nevojshme sipas tij pasi jo çdo qytetar mund të rezultojë fitues i programit të granteve. Procesi i aplikimit përfundon më 28 shkurt, sipas një lajmërimi që ministri Ahmetaj bëri në faqen e tij në Facebook dy ditë më parë, por qytetarët duhej të ishin në gjendje të kontrollonin online statusin e aplikimit të tyre që në momentin që e marrin barcode-in. Këtë fakt e qartësoi vetë ministri në fjalën e tij gjatë prezantimit të platformës:
“Sipër do të kenë një kod. Atë do ta marrë qytetari, por do jetë edhe online me atë barcode në krahun e djathtë dhe çdo qytetar mund ta skanojë barcode-in dhe të ndjekë të gjithë situatën e vet, si përfiton nga programi, si po ecën programi, si po ecën vlerësimi, si po ecën apelimi dhe në fund do të ketë gjithë dosjen e vet ligjore.”
A funksionon platforma online e rindërtimit?
Në mbledhjen e katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që u mbajt më 12 shkurt, zoti Ahmetaj u ndal sërish tek platforma online e rindërtimit:
“Portali unik që iu referua kryeministri, ne tani e kemi aktiv, por gjithsesi edhe kjo është punë në proces. Praktikisht këtu do të kemi të gjithë informacionin për rindërtimin, zonë më zonë, proces për proces, shtëpi për shtëpi, donacion për donacion, aktivitet për aktivitet.”
Nga prezantimi i ministrit Ahmetaj gjatë Komitetit Kombëtar të Rindërtimit
Ne e kontrolluam platformën e rindërtimit, rindertimi.gov.al të premten më datë 21 shkurt, por i vetmi informacion që shfaqej pas klimit të adresës ishte emri dhe logoja e faqes.
Deri të hënën e 24 shkurtit, kjo faqe shfaqej në të njëjtën formë.
“Faktoje” iu drejtua Ministrisë së Rindërtimit me një kërkesë për informacion, duke e pyetur pse kjo faqe nuk ishte funksionale, siç u deklarua nga ministri i Rindërtimit Ahmetaj.
Një ditë pas dërgimit të kërkesës, ende pa marrë një përgjigje nga ministria, më 25 shkurt, kur klikuam në të njëjtën adresë, u shfaq platforma me aplikacionin “Shtëpia ime” dhe disa opsione të tjera dhe shënimi se faqja është në përditësim. Çdo klikim mbi seksionet e platformës “Shtëpia ime”, “Transparenca” dhe të tjerat, të kthejnë te faqja kryesore që shfaq vetëm aktivitete dhe foto të kryeministrit dhe qeverisë që kanë lidhje me tërmetin.
Më vonë gjatë ditës morëm përgjigje zyrtare nga Ministria e Rindërtimit ku theksohej se platforma ishte aktive që prej datës 29 janar, dhe çdo individ që aplikonte mund të ndiqte ‘online’ statusin e aplikimit.
Iu rikthyem sërish platformës, pas përgjigjes zyrtare më 25 shkurt, por opsionet e saj bashkë me aplikacionin “Shtëpia Ime” rezultojnë jo funksionale. “Faktoje” bëri një verifikim të fundit të mërkurën e 26 shkurtit për t’u bindur se është e pamundur ndjekja online e statusit te aplikimit të paktën deri më sot. Videoja më poshtë ilustron verifikimin e bërë.