.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë‘Ping pong’ me dhënien e certifikatave të pronësisë për banorët e Shijakut

‘Ping pong’ me dhënien e certifikatave të pronësisë për banorët e Shijakut

Në shkurt të vitit të kaluar kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana u premtoi banorëve të prekur nga tërmeti pajisjen me certifikatat e pronësisë, bashkë me apartamentet e reja, në gusht 2021. Por kur ka kaluar më shumë se një vit nga ky afat, shumica e banorëve të shijakut as kanë hyrë në banesat e reja dhe as janë pajisur me certifikatat e premtuara të pronësisë. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, bashkia ia delegon përgjegjësinë për mosdhënien e certifikatave Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Në muajin gusht do të jetë Bashkia e Shijakut që do të ndajë apartamentet dhe certifikatat e pronësisë sipas vlerësimit të dosjeve për çdo familje”- shkroi Arbana në një postim në Facebook në shkurt të vitit 2021.

Screenshot, postimi i kryebashkiakut Arbana në Facebook

Në lidhje me këtë zotim të kryebashkiakut Arbana, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë Shijak. Ne e pyetëm këtë institucion nëse kishte përfunduar procesi i shpërndarjes së certifikatave të pronësisë për banorët.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 28 shtator 2022

Zyrtarisht Bashkia Shijak pranon se nuk është realizuar shpërndarja e tyre, duke theksuar se institucioni përgjegjës për këtë çështje është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Procesi i shpërndarjes së certifikatave të pronësisë nuk ka përfunduar ende, pasi Fondi i Zhvillimit është njësia e prokurimit për zbatimin e tyre. Ai është institucioni që duhet të kryejë aplikimet për certifikatat e pronësisë për banesat e përfunduara”, sqaron Bashkia Shijak për Faktoje.

Më tej shton se në këtë bashki kanë përfunduar së ndërtuari të gjitha banesat individuale, që ishin përfituese nga procesi i rindërtimit.

“Në Bashkinë Shijak janë përfitues nga procesi i rindërtimit 819 banesa me nivel dëmi DS4 shembje. Në Shijak janë përfunduar të gjitha banesat individuale që janë përfituese nga procesi i rindërtimit”, njofton zyrtarisht ky institucion.

Përgjigjia e Bashkisë Shijak, 7 tetor 2022

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe FSHZH-së duke kërkuar përse nuk janë dhënë certifikatat e pronësisë për banorët e Shijakut dhe kur planifikohet të shpërndahen.

“Procesi i rindërtimit të banesave individuale në Shijak që u dëmtuan nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 është drejt përfundimit.

Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore’, FSHZH në rolin e njësisë zbatuese i dërgon Komitetit Shtetëror të Rindërtimit (KSHR) listën e banesave të rindërtuara. KSHR miraton me VKM kalimin e këtyre banesave tek Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (NJVV).

Referuar aktit normativ të mësipërm, NJVV-të ndjekin procesin e regjistrimit dhe çertifikimit të pasurive duke u dhënë çertifikatat banorëve përkatës”, njofton zyrtarisht FSHZH.

Faktoje ishte në Shijak më 4 nëntor, për të parë nga afër dhe biseduar me qytetarë, nëse i kishin marrë certifikatat e pronësisë.

Banorë të lagjes “Erzen” në Shijak thanë për Faktoje se kishte përfunduar ndërtimi i banesave individuale, që ishin prekur nga tërmeti i 3 viteve më parë, por ata nuk kishin marrë ende certifikatën e pronësisë.

Xheladin Domi është një prej qytetarëve të kësaj lagjeje, i cili ka përfituar banesë të re, por ende nuk e ka në dorë certifikatën e pronësisë.

Banesë private e rindërtuar në lagjen “Erzeni”

“Kam 3-4 javë që jam futur në shtëpi. Bëra ca rregullime dhe vura disa gjëra që i kishin lënë mangut, por tani jemi në shtëpinë tonë. Certifikatën e pronësisë akoma s’e kam marrë. Do bëhet rinovim na kanë thënë, do futen të gjithë në hartën e re dhe pastaj do bëhen dokumentet e shtëpisë. Nuk e dimë kur, nuk na kanë dhënë një datë”, thotë ai.

Banesë private e rindërtuar në lagjen “Erzeni”

Edhe banorë të pallateve të rindërtuar në Shijak thanë se nuk i kanë marrë certifikatat e pronësisë.

“Tani po bëhet ndarja e shtëpive, por çelsat nuk na i kanë dhënë akoma. Më 26 nëntor sikur thanë që do marrim çelsat. Pallatet pothuajse janë gati, vetëm pak nuk kanë përfunduar. Për certifikatat e pronësisë nuk dimë gjë kur do i marrim, presim të na dorëzojnë çelsat njëherë”, thanë qytetarë të ‘Lagjes Popullore’ në Shijak.

Pallate të rindërtuara në Shijak, 4 nëntor 2022 

Pallate ende nw rindërtim në Shijak, 4 nëntor 2022

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që premtimin për dhënien e certifikatave të pronësisë banorëve të Shijakut ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img