BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëBashkia Lushnjë shkeli premtimin për shtrimin e disa segementeve rrugore

Bashkia Lushnjë shkeli premtimin për shtrimin e disa segementeve rrugore

Rreth 60 milionë lekë vendosi të investojë Bashkia për sistemimin dhe asfaltimin e disa segmenteve rrugore në Lushnje. Sipas premtimit të kryebashkiakes Eriselda Sefa do të ndërhyhej për shtrimin brenda vitit në segmentet “Taulla Sinani – Esma Dervishi”, rrugën “Shpresa”, rrugën e Repartit në Zhamë Sektor, rrugën “Jakov Xoxa” dhe vazhdimin e Unazës, si dhe një ndërhyrje në infrastrukturën unazës së ish Depos së Duhanit. Faktoje verifikoi se asnjëri prej tyre nuk ka përfunduar.

Jona Plumbi

Me 4 mars, pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme vendore në Lushnje, kandidatja Eriselda Sefa, fituese e mandatit për kreun e bashkisë premtoi ndër të tjera edhe riparimin e disa segemnteve rrugore në Lushnje, si ai “Taulla Sinani – Esma Dervishi”, rruga “Shpresa”, rruga e Repartit në Zhamë Sektor, rruga “Jakov Xoxa” dhe vazhdimi pas Unazës. Kur kanë kaluar gati 9 muaj nga ky premtim, me impakt për komunitetin, ne bëmë një verifikim.

Segmenti “Taulla Sinani – Esma Dervishi”

Festat e Vitit të Ri do duhej t’i gjenin me rrugën e re, por banorët e lagjes “Xhevdet Nepravishta” në Lushnje, sezoni i shirave i zuri “në punë e sipër”. Gjatë vëzhgimit në terren në muajin nëntor, rikonstrukioni i segmentit rrugor “Taulla Sinani – Esma Dervishi” në këtë lagje, dukej ende larg përfundimit.

Segmenti “Taulla Sinani – Esma Dervishi”, Lushnje, Nëntor 2022
Segmenti “Taulla Sinani – Esma Dervishi”, Lushnje, Nëntor 2022

 

Pas premtimit të kryebashkiakes Eriselda Sefa për rregullimin e këtij segmenti rrugor, Bashkia Lushnjë hapi garën për punimet. Në Gusht 2022 shpalli fitues kompaninë “COMPANY RIVIERA 2008 SHPK”. Edhe pse kontrata duhet të ishte publike, Agjencia e Prokurimit Publik nuk e ka shpallur atë në faqen e saj zyrtare.

Nisur nga të dhënat e tenderit, punimet për këtë segment rrugor zgjasin 75 ditë. Tabela e vendosur anës rrugës me informacionet e punimeve, nuk e njofton se në cilën datë kanë nisur punimet, duke e pamundësuar llogarinë e përfundimit të tyre për qytetarët. Ajo që dimë me siguri është se leja e ndërtimit për firmën fituese është dhënë në datën 8 shtator.

Dy muaj pas kësaj date, rreth 15 ditë përpara përfundimit të punimeve, asfaltimi i rrugëve nuk ka nisur ende.

Rruga “Jakov Xoxa”

Të njëjtin fat ka pësuar edhe një tjetër rrugë. Ajo që mban emrin e shkrimtarit të njohur “Jakov Xoxa”. Punimet për sistemimin dhe asfaltimin e kësaj rruge i fitoi kompania “SHKELQIMI 07 SHPK” në gusht të këtij viti.

Edhe kjo kontratë me vlerë 10 milionë lekë pa TVSH, nuk është bërë publike. Por Bashkia Lushnje, në 31 Gusht 2022 njoftoi nisjen e punimeve përmes një postimi në rrjetet sociale. Afati i punimeve ishte 56 ditë kalendarike, që do të thotë se rruga duhet të kishte përfunduar në 26 Tetor.

Gjatë verifikimit në terren, në muajin nëntor, Faktoje konstatoi se rruga ishte ende gërmadhë. Dy eskavatorë ishin të parkuar anës rrugës. Tre punëtorë që ndodheshin aty, po vijonin punën.

Punimet në rrugën “Jakov Xoxa”, Lushnje, Nëntor 2022

Tabela që njoftonte të dhënat e punimeve është hequr nga rruga “Jakov Xoxa”. Më shumë se 1 javë pas përfundimit të afatit, banorët vijojnë të bashkjetojnë me baltën e rrugës.

Punimet në rrugën “Jakov Xoxa”, Lushnje, Nëntor 2022

Rruga “Shpresa” dhe ajo e Repartit në Zhamë Sektor

Punimet në rrugën “Shpresa” në Lushnjë, Nëntor 2022

Sistemimi dhe asfaltimi i rrugës “Shpresa” dhe asaj të Repartit në Zhamë Sektor është një tjetër pjesë e premtimit të pambajtur të Bashkisë Lushnje ndaj banorëve të zonës. Në qershor 2022, garën për ndërtimin e kësaj rruge e fituan kompanitë “E N I” shpk – “FLED” shpk” me afat punimesh 56 ditë.

Thuajse 6 muaj më vonë, rruga është në gjendje të mjerueshme. Faktoje u interesua pranë Bashkisë Lushnje e cila në muajin tetor na njoftoi se ky segment është në proces punimesh. Por në nëntor, puna duket se ka mbetur në vendnumëro. As punëtorë dhe as makina nuk duken në gjithë gjatësinë e segmentit, të mbuluar nga balta dhe inertet.

10 milionë lekë janë dhënë nga paratë e taksapaguesve Lushnjarë për shtrimin e kësaj rruge, e cila duket se do qëndrojë në “proces punimesh” deri vitin tjetër.

Unaza e ish-depos së duhanit

Investimi me vlerën më të madhe është ai për infrastrukturën e rrugës Unazë të ish depos së duhanit në Lushnje. 21 milionë lekë tender fitoi kompania “ZDRAVO” në gusht të këtij viti. Punimet do të zgjasin 175 ditë, ose ndryshe për thuajse 6 muaj.

Në shtator të këtij viti, drejtuesi politik i Fierit për socialistët, Taulant Balla njoftoi nisjen e punës për këtë segment duke e quajtur “premtim të mbajtur”.

Faktoje verifikoi në terren vijimin e punimeve edhe në këtë segment. Pasi u informuam nga banorët për vendndodhjen e “ish-depos së duhanit” e cila ndodhet në rrugën “Darsia” në Lushnje, pamë se punimet për unazën vijonin vetëm në një segment të unazës.

Punimet në Unazën e ish-depos së duhanit në Lushnjë, Nëntor 2022

Sipas afatit të dokumentave të tenderit punimet pritet të përfundojnë në Mars të vitit 2023.

Bazuar në deklaratën e kryetares së bashkisë Eriselda Sefa gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore 2022, si dhe nga përgjigjet e marra nga Bashkia Lushnje, rezulton se shtrimi dhe sistemimi i këtyre segmenteve rrugore në qytetin e Lushnjes është një premtim i pambajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img