BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPijet me gaz nuk zbulojnë parazitët në mishin e derrit

Pijet me gaz nuk zbulojnë parazitët në mishin e derrit

Pretendimi se derdhja e pijeve me gaz mbi një copë mish derri të papërpunuar do të shkaktojë shfaqjen e krimbave është e rreme. Ky pretendim është një mit që është rrëzuar disa vite më parë, ndonëse në rrjetet sociale në vendin tonë po shitet si video aktuale.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale në Shqipëri më 3 gusht, pretendon se derdhja e pijeve më gaz mbi një copë mishi derri të papjekur nxjerr në sipërfaqe krimbat nga mishi.

Mishi i derrit është i mbushur me parazitë. Shikojeni videon deri në fund se si dalin kur ndjejnë sheqerin”-shkruan një përdorues në Facebook.

Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale

Në këtë video shfaqet një grua në kuzhinë, e cila derdh pijen me gaz mbi copën e misit, të cilin e kishte vënë në një pjatë. Ndërsa një burrë qëndron pas, duke xhiruar të gjithë këtë skenë.

Teksa ajo hedh pijen e gazuar mbi bërxollën e derrit, ndër të tjera thotë: “Kjo në fakt zbulon nëse ka parazitë në mishin e derrit”. Menjëherë pas kësaj, në sipërfaqen e mishit shfaqen njolla të bardha që duken si krimba.

Kur burri që regjistron videon e pyet se çfarë janë, ajo thotë: “Parazitë! Kjo është arsyeja pse nuk mund të hani mish derri të papjekur”. Veç kësaj, gruaja pretendon se e ka bërë edhe më parë këtë eksperiment dhe krimbat kanë qenë shumë më të mëdhenj.

Fillimisht, nëpërmjet mjeteve të verifikimit të videove ne bëmë një kërkim, për të gjetur videon e plotë të këtij eksperimenti të realizuar. Nga kërkimi vihet re se video qarkullon në rrjet që prej marsit të vitit 2021 Por, duket se kjo nuk është e vetmja video e realizuar në këtë formë, ku del se një “eksperiment” i ngjashëm është realizuar edhe në vitin 2007.

Në versionin e vitit 2007, një burrë derdh pije me gaz mbi bërxolla derri dhe pasi pamja hiqet nga xhirimet, e më vonë shfaqet mishi me njolla të bardha si krimba.

Duket se e gjitha kjo ishte një shaka dhe në përshkrimin e videos ai sqaron se ishte një mashtrim i qëllimtë, pasi një shok i tij nuk hante mish. Sipas tij, video ishte dukshëm false, sa askush, përfshirë shokun e tij nuk do besonte.

Në lidhje me këto pretendime, ne gjetëm dhjetëra video që rikrijuan eksperimentin, por në asnjërën prej tyre nuk u shfaqën krimba.

Uebsajti që merret me verifikimin e mashtrimeve dhe legjendave urbane “Waffles at Noon” shqyrtoi mbi 30 video që kishin kryer eksperimentin dhe asnjë prej tyre nuk tregonte shfaqjen e parazitëve në mish.

Ata arritën në përfundimin se “sukseset e supozuara” ishin mashtrime ose thjesht keqinterpretime.

Nga ana tjetër, Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC thekson se Trikineloz (sëmundja e mishit të derrit) dikur ishte më e zakonshme dhe zakonisht shkaktohej nga ngrënia e mishit të derrit të papjekur, por tani infeksioni është relativisht i rrallë.

Video është verifikuar edhe nga kolegë të tjerë të verifikimit të fakteve, të cilët kanë arritur në përfundimin se derdhja e pijeve me gaz mbi mishin e derrit nuk shkakton shfaqjen e krimbave.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img