Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga kryetari Gazment Bardhi, depozitoi të hënën në SPAK kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Grupi i PD-së i referohet financimit të rreth 4 milion euro të qeverisë për koncertin e këngëtarit Kanye West.
Përmes një akti normativ, me propozimin e ministrit Gonxhja, Këshilli i Ministrave vendosi financimin e pjesshëm të organizimit dhe mbarëvajtjes së koncertit të artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West (YE), që u mbajt të shtunën e javës që kaloi, në masën e 4.2 milionë Eurove.
Në kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile”.
Në rastin konkret, sipas PD, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore
“Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të”, thuhet në kallëzimin e PD
Nga sa me sipër, grupi parlamentar del në përfundimin se si Rama ashtu edhe Gonxhja kanë vepruar “në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit”






