Tirana po rritet më shpejt se çerdhet dhe kopshtet

Mijëra familje nuk arrijnë të regjistrojnë fëmijët në institucionet paraarsimore publike

14

Mbi 4300 fëmijë rezultojnë të regjistruar në listën e pritjes për të siguruar një vend në çerdhet dhe kopshtet publike. Ekspertët propozojnë një planifikim paraprak dhe monitorim kërkesash për të përballuar migracionin e vazhdueshëm drejt kryeqytetit

Deada Hyka

Tirana vijon të përballet me mbingarkesë në sistemin publik të arsimit parashkollor, pavarësisht zgjerimit të ndjeshëm të kapaciteteve gjatë viteve të fundit. Ky është një nga konkluzionet që del nga Raporti Kombëtar i Performancës së Bashkive, i cili evidenton se investimet në çerdhe dhe kopshte nuk kanë arritur ende të eliminojnë listat e pritjes në kryeqytet.

Fenomeni nuk është thjesht një çështje infrastrukture. Në ekonomitë moderne, aksesi në kujdesin dhe edukimin e hershëm konsiderohet një faktor që ndikon drejtpërdrejt në punësimin e prindërve, produktivitetin e ekonomisë dhe zhvillimin afatgjatë të kapitalit njerëzor. Për këtë arsye, organizata ndërkombëtare si UNICEF dhe Banka Botërore e trajtojnë zgjerimin e shërbimeve të kujdesit për fëmijët jo vetëm si politikë sociale, por edhe si politikë ekonomike.

Kopshtet shtohen, por më pak se kërkesat

Verifikimi i të dhënave tregon se Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm numrin e vendeve në institucionet publike parashkollore, por kërkesa për këtë shërbim është rritur po aq shpejt, e nxitur nga shtimi i popullsisë dhe migrimi i vazhdueshëm drejt kryeqytetit.

Numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe dhe kopshte publike është rritur nga 17,309 në vitin shkollor 2019–2020 në 24,650 në vitin 2024–2025. Brenda pesë vitesh, sistemi ka përthithur mbi 7,300 fëmijë më shumë, ose rreth 42% krahasuar me fillimin e periudhës.

Rritja e regjistrimeve tregon se gjithnjë e më shumë familje mbështeten te sistemi publik. Megjithatë, kjo nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me shtimin e lindjeve. Në nivel kombëtar, Shqipëria po përballet prej vitesh me rënie të lindjeve dhe plakje të popullsisë, por Tirana përfaqëson një realitet tjetër, pasi vijon të tërheqë migrimin e brendshëm nga qarqet e tjera të vendit. Pikërisht ky përqendrim i popullsisë shpjegon pse kërkesa për çerdhe dhe kopshte vazhdon të rritet edhe në një vend ku numri i fëmijëve në shkallë kombëtare është në rënie.

Paralelisht është zgjeruar edhe infrastruktura. Kapaciteti total i institucioneve publike parashkollore është rritur nga 19,660 vende në vitin 2019 në 28,410 vende në vitin 2024, një rritje prej rreth 44%. Gjatë kësaj periudhe janë hapur edhe 29 çerdhe dhe 27 kopshte të reja, duke përfaqësuar një nga investimet më të mëdha të Bashkisë në sektorin e edukimit të hershëm.

Por,  këto investime nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përmbushur plotësisht kërkesën. 

Sipas të dhënave të raportit, gjatë vitit 2024 rreth 1,950 fëmijë prisnin një vend në çerdhe, ndërsa rreth 2,400 të tjerë ishin në pritje për t’u regjistruar në kopshte publike. Në total, mbi 4,300 fëmijë mbeteshin në listat e pritjes, çka tregon se kapacitetet e reja janë mbushur pothuajse menjëherë pas hapjes.

Presioni lidhet ngushtë me zhvillimin demografik të kryeqytetit. Sipas të dhënave të Censusit 2023, popullsia e Bashkisë së Tiranës është rritur nga rreth 418 mijë banorë në vitin 2011 në afro 679 mijë banorë, ose mbi 62% në pak më shumë se një dekadë. Tirana vazhdon të jetë destinacioni kryesor i migrimit të brendshëm, duke përqendruar një pjesë të madhe të vendeve të punës, institucioneve arsimore dhe shërbimeve publike.

Raporti evidenton edhe një zhvillim pozitiv në aspektin e cilësisë së shërbimit. Raporti fëmijë-edukatore është përmirësuar gjatë pesë viteve të fundit. Në çerdhe ai ka rënë nga 7.6 fëmijë për edukatore në vitin 2019–2020 në 6.1 në vitin 2024–2025, ndërsa në kopshte nga 12.1 në 9.8 fëmijë për edukatore. Kjo tregon se investimet nuk janë kufizuar vetëm në ndërtimin e godinave, por janë shoqëruar edhe me shtim të stafit pedagogjik.

Megjithatë, listat e pritjes tregojnë se sfida kryesore mbetet balancimi mes ofertës dhe kërkesës. Ndryshe nga shumë bashki të tjera që përballen me rënie të lindjeve dhe ulje të numrit të fëmijëve, Tirana vazhdon të përjetojë efektin e përqendrimit të popullsisë dhe migrimit të brendshëm. Kjo bën që çdo investim i ri të absorbohet shpejt nga kërkesa ekzistuese.

Për nevojat e këtij shkrimi, Faktoje i drejtoi Bashkisë së Tiranës një kërkesë zyrtare për informacion, duke pyetur jo vetëm mbi kapacitetet aktuale të çerdheve dhe kopshteve, por edhe mbi mënyrën se si projektohen nevojat në raport me rritjen e popullsisë dhe cili është vizioni i institucionit për zhvillimin e arsimit parashkollor në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme. Në përgjigjen e saj me email, Bashkia përcolli të dhëna mbi numrin aktual të institucioneve dhe kapacitetet ekzistuese, por nuk iu përgjigj pyetjeve që lidhen me planifikimin afatgjatë të shërbimit, projeksionet e kërkesës apo strategjinë për përballimin e rritjes së vazhdueshme të popullsisë në kryeqytet.

Kosto ekonomike për familjet

Studimet e Bankës Botërore tregojnë se mungesa e shërbimeve të kujdesit për fëmijët është një nga faktorët që kufizon pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Investimet në çerdhe dhe kopshte nuk përmirësojnë vetëm zhvillimin e fëmijëve, por krijojnë kushte që prindërit, veçanërisht nënat, të rikthehen më shpejt në punë.

Ekonomisti Selami Xhepa vlerëson se një situatë e tillë është e pritshme në qytete që përjetojnë rritje të shpejtë demografike dhe migrim të brendshëm. “Kur një qytet rritet me ritme shumë më të larta se projeksionet fillestare, është normale që shërbimet publike të përballen me presion. Kjo nuk lidhet vetëm me ndërtimin e godinave të reja, por me aftësinë për të planifikuar paraprakisht zhvillimin urban dhe nevojat e popullsisë,” shprehet ai.

Sipas Xhepës, investimet në çerdhe dhe kopshte nuk duhen parë vetëm si një politikë sociale, por si një investim ekonomik afatgjatë. “Një vend në çerdhe i krijon mundësi një prindi, në shumë raste nënës, të rikthehet në tregun e punës dhe të vazhdojë aktivitetin ekonomik. Për këtë arsye, kapacitetet në arsimin parashkollor janë pjesë e infrastrukturës që mbështet zhvillimin e qytetit, njësoj si rrugët, transporti apo shërbimet e tjera publike. Sa më shpejt të rritet një qytet, aq më i madh duhet të jetë edhe ritmi i investimeve në këto shërbime,” thekson eksperti.

UNICEF Albania vlerëson se investimet në edukimin dhe kujdesin e hershëm krijojnë përfitime shumëdimensionale, pasi ndikojnë njëkohësisht në zhvillimin e fëmijëve, pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe produktivitetin afatgjatë të ekonomisë.

Çfarë mund të bëhet?

E.T., nënë e një vajze të vogël, tregon se sigurimi i një vendi në çerdhe publike nuk ishte aq i thjeshtë sa e kishte menduar. Pasi aplikoi pranë Bashkisë së Tiranës, iu komunikua se nuk kishte vende të lira dhe se duhej të priste derisa të krijoheshin kapacitete. Për disa muaj, familja u detyrua të gjente një zgjidhje alternative, duke e regjistruar vajzën në një çerdhe private. “Nuk ishte zgjedhja që kishim planifikuar, por nuk kishim mundësi tjetër. Mua më duhej të rikthehesha në punë dhe nuk mund ta shtynim më,” tregon ajo. Sipas E.T., tarifa mujore e çerdhes private u bë një shpenzim i konsiderueshëm për buxhetin familjar, por mungesa e një vendi në sistemin publik nuk u linte alternativa. Ajo thotë se shumë prindër që njeh janë përballur me të njëjtën situatë, duke pritur me muaj për një vend ose duke u mbështetur te gjyshërit për kujdesin ndaj fëmijëve, derisa të lirohej një vend në çerdhe publike.

Ekspertët vlerësojnë se përballimi i kërkesës për çerdhe dhe kopshte nuk mund të mbështetet vetëm te ndërtimi i godinave të reja, por kërkon një planifikim afatgjatë që lidh zhvillimin urban me zgjerimin e shërbimeve publike. 

Sipas arkitektes dhe urbanistes Megi Hoxha, kapacitetet për arsimin parashkollor duhet të planifikohen paralelisht me zhvillimin e zonave të reja të banimit dhe jo vetëm pasi ato të jenë populluar. Ajo argumenton se projeksionet demografike duhet të jenë pjesë e çdo plani urbanistik, në mënyrë që investimet në çerdhe, kopshte, shkolla, transport dhe hapësira publike të ecin me të njëjtin ritëm me zgjerimin e qytetit.

Nga këndvështrimi i arsimit, eksperti Ndriçim Mehmeti thekson se sfida nuk matet vetëm me numrin e godinave, por edhe me cilësinë dhe aksesin në shërbim. Sipas tij, një sistem funksional duhet të jetë në gjendje t’u ofrojë familjeve një vend pranë zonës ku banojnë, pa i detyruar të presin me muaj ose të orientohen drejt sektorit privat për mungesë alternativash. Ai nënvizon se planifikimi i kapaciteteve duhet të mbështetet në të dhëna të përditësuara për lëvizjet e popullsisë dhe zhvillimin e lagjeve të reja.

Në këtë kuadër, ekspertët sugjerojnë disa masa prioritare që mund të ndihmojnë në uljen e presionit mbi sistemin publik:

-hartimin e projeksioneve të popullsisë sipas çdo njësie administrative dhe planifikimin e kapaciteteve të çerdheve e kopshteve përpara se zonat të mbipopullohen;

-përshpejtimin e investimeve në lagjet që po përjetojnë rritjen më të shpejtë të familjeve të reja;

-krijimin e një sistemi monitorimi të vazhdueshëm të kërkesës dhe listave të pritjes, për të orientuar investimet aty ku nevoja është më e madhe;

-shtimin e investimeve në burimet njerëzore, në mënyrë që zgjerimi i kapaciteteve të shoqërohet edhe me rritjen e numrit të edukatoreve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit;

-shqyrtimin e formave të bashkëpunimit me sektorin privat ose të skemave të subvencionimit për familjet që nuk arrijnë të sigurojnë një vend në sistemin publik.

Ndërsa Tirana vazhdon të rritet, sfida nuk është më vetëm ndërtimi i më shumë çerdheve dhe kopshteve, por krijimi i një sistemi që arrin të parashikojë zhvillimin e qytetit dhe t’u përgjigjet nevojave të familjeve përpara se ato të shndërrohen në lista pritjeje.

Artikulli paraprakI rremë ky dekorim i reperit Kanye West me titullin “Nderi i Kombit‘
Atdhe
Atdhe Mulla është fotograf. Puna e tij fokusohet në peizazhin në shndërrim të vazhdueshëm të Kosovës së pas luftës së vitit 1999. Vepra e tij ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive në Pragë, Bratislavë dhe Prishtinë, si dhe është botuar në shumë revista dhe botime artistike si Revista e Fotografisë Dokumentare “Ojo de Pez”, Madrid dhe “Revolver Revue” një revistë tremujore e cila fokusohet në veprën e artistëve bashkëkohorë që punojnë në Republikën Çeke. Ai është diplomuar në departamentin e Fotografisë pranë Shkollës së Filmit dhe Televizionit të Akademisë së Arteve (FAMU) në Pragë.