Që në muajin shkurt 2023, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, u zotua se “në pranverë kur të pushojnë shirat do të pastrojmë përroin e Gurrës” Me ardhjen e pranverës, në prill 2023 Llatja vijonte të premtonte një projekt të madh për pastrimin e Gurrës. Në fund të vitit 2024 ky premtim mbetet ende i pambajtur


Gjatë fushatës së vitit 2023, teksa kërkonte mandatin e dytë, kryebashkiaku i Elbasanit Gledjan Llatja i premtoi banorëve të Shushicës pastrimin e përroit të fshatit të tyre, i cili përbën rrezik përmbytjeje, sidomos gjatë dimrit.

Që në Shkurt 2023, gjatë një takimi elektoral, Llatja u zotua se “në pranverë kur të pushojnë shirat do të pastrojmë përroin e Gurrës.” Me ardhjen e pranverës, në Prill 2023, Llatja vijonte të premtonte një projekt të madh për pastrimin e Gurrës, që kërkonte mbështetje edhe nga Ministria e Bujqësisë.

Megjithatë, në fund të vitit 2024, premtimi i kryebashkiakut mbetet i pambajtur.

Gjatë verifikimit në terren në fund të Shtatorit 2024, Faktoje vëzhgoi se përroi i Shushicës nuk ishte pastruar. Të dyja anët e tij ishin të mbushura me mbeturina, e njejta pamje si në verifikimin e fundit në terren, në Tetor 2023.

Përroi i Shushicës, 18 shtator 2024

Përroi i Shushicës, 18 shtator 2024

përgjigjen ndaj kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje në Shtator 2024, Bashkia Elbasan pranoi se nuk ka një projekt rehabilitimi për Gurrën e Shushicës, një përrua i përshkruar nga vetë Bashkia si “shumë i rrezikshëm, pasi gjatë periudhës së dimrit, nga prurjet e tepërta, del nga shtrati i tij dhe përmbyt gjithë fushën e Shushicës.”

Në një përgjigje të mëparshme, Bashkia Elbasan ka thënë se investimi i fundit për pastrimin e Gurrës është bërë në Janar 2022. Gati 3 vite më pas, përpos premtimit të kryebashkiakut Llatja, Gurra mbetet e papastruar duke mbetur një rrezik përmbytjesh.

Në këto rrethana, premtimi i kryebashkiakut të Elbasanit, Gledjan Llatja, për pastrimin e Gurrës së Shushicës mbetet i pambajtur.