Lajmi për zhytjen e një pallati nën tokë, i shoqëruar me një foto të ditëve të fundit të përmbytjeve nga rreshjet e shirave, rezulton të jetë një riciklim i ngjarjeve të tërmetit të vitit 2019.
Nevila Gjata
Ngjarjet meteorologjike të ditëve të fundit u shoqëruan me pasoja jo të vogla për banorët, gjënë e gjallë, mjedisin dhe territorin kryesisht në veri të vendit, duke bërë që vëmendja të jetë e madhe në këtë drejtim. Në këtë situatë të krijuar, një lajm i publikuar në portalin korrieri.com.al në 21 nëntor, shkon edhe më larg duke sinjalizuar në tone tronditëse “zhytjen e një pallati nën tokë”.
Screenshot e lajmit te publikuar ne portalin korrieri.com.al
Lajmi shoqërohet me një foto reshjesh duke të krijuar përshtypjen se ai ishte i vërtetë sa kohë që moti i trazuar me shi preku këto ditë edhe Durrësin.
Por, duke shkuar më tej në brendësi të tekstit, kuptohet se përmbajtja e artikullit është e dy viteve më parë dhe i referohet në fakt një tjetër ngjarje, që ka lidhje me pasojat e tërmetit të 2019-ës dhe dëshmive që u dhanë ato kohë nga ata që u prekën, po në Durrës.
Lajmi, i marrë nga gazeta “Shqip” me një tjetër foto, i referohet deklaratës së një banori të një pallati në Durrës i prekur nga tërmeti dhënë për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel. “Faktoje” sjell edhe videon e emisionit përkatës që daton në tetor të vitit 2020.
Foto e lajmit të publikuar nga gazeta Shqip
Riciklimi i ngjarjeve të rënda, duke i kamufluar nën tituj “tronditës” është një skemë e përdorur gjerësisht nga disa prej portaleve për të tërhequr klikime.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin