BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriParku Rinia ende jo funksional, dy muaj pas përfundimit të afatit për rehabilitimin

Parku Rinia ende jo funksional, dy muaj pas përfundimit të afatit për rehabilitimin

Këndi i Lojërave në Parkun Rinia nuk është hapur ende, ndonëse Bashkia e Tiranës njoftoi zyrtarisht për Faktoje se në muajin tetor do të ishte gati. Gjatë një verifikimi në terren konstatuam se zona ishte e rrethuar dhe sipas përgjigjes zyrtare nga Bashkia, po i jepej dora e fundit. Projektit rehabilitues me vlerë rreth 5 milionë lekë të reja, i ka përfunduar afati që në shtator. Tenderi për rehabilitim u hap vetëm 2 vite pas përurimit të projektit 1 miliardë lekë për rikonsruksionin dhe këndin e lojërave.

—————————————————————————–

Parku Rinia i cili gati dy vite më parë u rikonstruktua me një projekt 1 miliardë lekë, nuk është funksional prej disa muajsh. Ai iu nënshtrua një tjetër projekti rehabilitues me vlerë 4.9 milionë lekë, por duket se punimet po zgjasin përtej afatit.

Me anë të një kërkese për informacion, Faktoje pyeti Bashkinë e Tiranës në lidhje me ecurinë e punimeve për këndin e lojërave në Parkun Rinia.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Tiranë, 6 shtator 2022

Zyrtarisht Bashkia e Tiranës njofton se në muajin tetor do të hapej këndi i lojërave në këtë park.

“Bazuar në kontratën me numër protokolli 956/7, datë 01/08/2022 me objekt: Rehabilitimi I shtresave të lodrave tek Parku Rinia, afati për realizimin e punimeve objekt i kësaj kontrate është 2 muaj nga lidhja e kontratës (o1/08/2022-01/10/2022). Objekti operator ka përmbushur detyrimet e kontratës në afatin e caktuar. Tanimë ekipet e APR po punojnë për sistemimin e gjelbërimin dhe brenda muajit tetor pritet hapja e këndit”, njoftoi Bashkia Tiranë më 21 tetor.

Përgjigjia e Bashkisë Tiranë, 21 tetor 2022

Gjithashtu ky institucion bën të ditur se vlera e investimit për rehabilitimin e këndit të lojërave është 4,935,231.00 lekë me TVSH.

Faktoje bëri një verifikim mbi ecurinë e punimeve në datën 12 tetor të këtij viti, ku konstatuam se këndi i lojërave ende nuk kishte hapur, teksa e gjithë zona ishte e rrethuar.

Parku Rinia, 12 tetor 2022

Ndërsa në tabelën e punimeve përcaktohej se afati i projektit rehabilitues ishte 30 ditë dhe në shtator duhej të kishte përfunduar puna.

Parku Rinia, 12 tetor 2022

Ne bëmë një tjetër verifikim më 3 nëntor, ku konstatuam se këndi i lojërave ende nuk kishte hapur dhe zona ishte e rrethuar. Gjatë verifikimit në terren vumë re që kishte punonjës të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit që po punonin ende aty.

Parku Rinia, 3 nëntor 2022

Parku Rinia, 3 nëntor 2022

Në momentin e verifikimit takuam edhe një gjyshe, e cila ishte futur “fshehurazi” me nipin te këndi i lojrave, mirëpo u nxorr jashtë nga punonjësit e APR.

“Na nxorrën nga parku, nuk është hapur akoma thanë. Po e bëjnë gati për dimër, por atëherë është ftohtë, nuk i sjellim dot fëmijët”, tha e moshuara për Faktoje.

Në qershor të vitit 2019, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Parku Rinia do të shndërrohej në një hapësirë të jashtëzakonshme.

“Pra shpëtoi parku, por tani duhet që të investojmë, edhe aty të ketë një kënd lojërash, të ketë një minihapësirë që njerëzit të takohen, që të mund të bëhet ndonjë shfaqje, si një miniamfiteatër. Mezi pres”, tha Veliaj 3 vite më parë.

Më 31 maj të vitit 2020, Veliaj njoftoi se më 1 qershor të atij viti do të hapej këndi i lojërave për fëmijët në Parkun Rinia dhe premtimi u mbajt.

Mirëpo, investimi me vlerë 1 miliardë lekë u amortizua vetëm dy vite pas përurimit,  dhe një tjetër tender u hap nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit të për rehabilitimin.

Vlera e investimit

Sipas të dhënave nga Open Procurement,  investimi fillestar për ngritjen e këndit të lojërave në Parkun Rinia kapte vlerën e 104 629 747,00 lekëve. Ndërsa për rehabilitimin e tyre, sipas Open Procurement është shpenzuar 4 112 693,00 lekë pa TVSH.

Screenshot nga Open Procurement (Investimi i vitit 2019)

Screenshot nga Open Procurement, Rehabilitimi i Shtresave të Lodrave tek Parku Rinia (Vlera pa TVSH)

 

Lexo edhe:

Projekti i Parkut Rinia me vlerë 1 miliardë lekë dhe mungesa e parkingut të premtuar.

 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img