BallinaFaktometerE PavërtetëRaiffeisen nuk është sulmuar nga hackerat!

Raiffeisen nuk është sulmuar nga hackerat!

Banka Raiffeisen nuk është sulmuar nga hackerat. Lajmi i publikuar në portalin gijotina.com mbi hakerimin e bankës dhe rrezikun e depozitave të qytetarëve është i pavërtetë. Ky është rasti tipik i dizinformimit të qytetarëve dhe përhapjes së panikut përmes lajmeve të rreme.

Esmeralda Topi

“Mund t’ju vjedhin depozitat”, hackerat sulmojnë Raiffasen Bank.

Me këtë titull alarmues, portali gijotina.com pretendon se një nga bankat kryesore të vendit ka rënë pre e sulmeve kibernetike, duke përhapur panik tek lexuesit.

Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një sulm kundrejt Raiffaisen Bank, një ndër bankat më të njohura në vend, ku shumë shqiptarët kanë zgjedhur të depozitojnë paratë e tyre. Klientët janë përballuar me e-maile tek të cilët shkruhet “shërbimi juaj është gati të bllokohet” si pasojë e një sulmi të dyshuar të ardhur nga hackerat. Ndër të tjera, në email thuhet se të dhënat mund të vidhen lehtësisht.” – shkruhet në brendësi të lajmit duke e thelluar më tej dizinformimin me qëllim për të marrë sa më shumë klikime.

Artikulli i gijotina.com i referohet një njoftimi që banka Raiffeisen ka bërë këtë të premte për klientët, por shkrimi e nxjerr nga konteksti njoftimin duke ngritur alarmin edhe për sigurinë e depozitave.

“Aktualisht po qarkullon një “phishing page” ndaj të cilit duhet treguar kujdes për të mos klikuar në përditësim të të dhënave tuaja, pasi fare lehtësisht mund t’ju vjedhin depozitat bankare. – shkruhet ndër të tjera në artikullin që pretendon se nuk ka asnjë reagim nga banka.

Nisur nga rëndësia që ka kjo çështje për qytetarët dhe veçanërisht për klientët e bankës Raiffasen, redaksia e Faktoje kontaktoi me përfaqësues të bankës që sqarojnë se lajmi është i pavërtetë dhe ka për qëllim dizinformimin.

Më poshtë, gjeni njoftimin e plotë të bankës që informon klientët se Raiffeisen NUK ka dërguar asnjë e-mail zyrtar me tekstin “Shërbimi juaj do të mbyllet.”

4.11.2022

“Duam t’ju njoftojmë se ditën e sotme Raiffeisen Bank NUK ka dërguar asnjë e-mail zyrtar me tekstin “Shërbimi juaj do të mbyllet.!!!” nga adresa raiffeisen@meguro-torishin.com në lidhje me mbylljen e shërbimit.

Ju lutem të mos merrni në konsideratë asnjë e-mail apo faqe tjetër përveç kanaleve zyrtare të Raiffeisen Bank Shqipëri. Të gjithë komunikimet me e-mail të bankës dergohen vetëm nga adresat: @raiffeisen.al

Kujdes!

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj edhe njëherë disa nga principet e përdorimit të sigurt të internetit.

Asnjëherë mos e aksesoni llogarinë tuaj në Raiffeisen ON nëpërmjet linqeve që ju vijnë me email, forma pop-up në kompjuter apo nëpërmjet motorëve të kërkimit.

Asnjëherë mos aksesoni asnjë faqe që kërkon t’i jepni të dhëna personale apo konfidenciale apo ju mundësojnë të kryeni transaksione bankare.

Gjithmonë shkruani adresën e plotë të faqes që doni të aksesoni në fushën përkatëse në broëser.

Banka NUK ju kërkon asnjëherë fjalëkalimin tuaj, numrin e kartës së kreditit ose përgjigjen e një pyetjeje sigurie me e-mail. Kujdes nga mesazhe të tilla!

Mos hapni mesazhe e-mail/sms/WhatsApp/ apo kanale të tjera komunikimi, pa kontrolluar identitetin e dërguesit dhe titullin. Nëse keni ndonjë dyshim për origjinën e mesazhit, fshijeni atë menjëherë. Mos hapni asnjë file që mund te jetë bashkëngjitur dhe mos klikoni linqet që janë në mesazh.

Banka tashmë ka bllokuar faqen e dëmshme dhe sërish ju këshillojmë të ndiqni rregullat e përdorimit të sigurt të internetit.

Raiffeisen Bank garanton klientët e saj se gjithmonë merr masa që siguria dhe të dhënat tuaja të jenë mbrojtura maksimalisht.”-thuhet në deklaratën zyrtare.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Shënim:

Data 10 nëntor 2022: Portali gjijotina.com e ka korrigjuar dhe përmirësuar artikullin https://gijotina.com/depozitat-tuaja-jane-ne-rrezik-hackerat-sulmojne-raiffasen-bank/ pas verfikimit të lajmit nga ana e Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img