Imazhe të Papë Franceskut i veshur me një xhup të madh të bardhë si nga një sfilatë mode po qarkullojnë në rrjet. “Faktoje” shpjegon se këto imazhe nuk janë fotografi, por janë gjeneruar me anë të një programi të inteligjencës artificiale.
————————————————–
Megjithëse shumica e mediave shqipfolëse kanë sqaruar se imazhe të Papë Franceskut veshur me një xhup të fryrë të bardhë janë gjeneruar me anë të inteligjencës artificiale (AI), në rrjetet sociale shqipfolëse këto imazhe po qarkullojnë edhe pa këtë kontekst.
Imazhet në fjalë, që kanë argëtuar internetin ditët e fundit, tregojnë Papë Franceskun veshur me një xhup të madh futuristik, dhe me një varëse të gjatë me kryq në fund. Shumë e kanë etiketuar këtë pamje si “Papa repist”.
Në fakt, këto imazhe janë gjeneruar me programin e inteligjencës artificiale Midjourney. Ato u postuan fillmisht në kanalin në Reddit dedikuar punimeve me Midjourney, dhe më pas u shpërndanë në Twitter dhe më pas në rrjetet e tjera sociale, dhe në media.
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe të gjeneruar me AI që janë marrë për të vërteta në rrjete sociale.