Organizata Botërore e Shëndetit nuk ka mbushur një panel mbi shëndetin e fëmijëve me aktivistë transgjinorë. Komisioni në fjalë ka të bëjë me shëndetësinë e personave transgjinorë dhe, sipas vetë OBSh, specifikisht të rriturit transgjinorë. Megjithatë, një numër kritikësh, përfshi edhe Raporteren Speciale të OKB për dhunën kundër grave, kanë kritikuar përbërjen e panelit si të njëanshme.
—————————————————–
“Çmenduria OBSh: Ju jepet prioritet aktivistëve transgjinorë për të hartuar politikat e kujdesit shëndetësor për fëmijët” ngre alarmin një artikull i portalit Patriotik Media, botuar më 14 janar 2024.
Artikulli nis me pretendimin se OBSh “u ka dhënë aktivistëve transgjinorë shumicën e vendeve në një panel që po harton politikat e kujdesit shëndetësor për fëmijët.”
Si burim, në artikull, citohet tabloidi britanik Daily Mail. Si rrjedhim, për të verifikuar vërtetësinë e këtij lajmi, Faktoje u përpoq të gjente artikullin origjinal të Daily Mail.
Çfarë vumë re, megjithatë, është se artikulli i Daily Mail, botuar më 9 janar 2024, nuk flet për ndonjë panel për politikat e kujdesit shëndetësor të fëmijëve. Artikulli flet për komisionin e politikave shëndetësore për transgjinorë të OBSh.
“ZBULIM: GJYSMA e anëtarëve të komisionit për shëndetin transgjinor të OBSh nuk kanë trajnim mjekësor dhe shumica janë aktivistë.” – Artikulli i Daily Mail.
Në 18 dhjetor 2023, OBSh shpalli përbërjen e një paneli i cili ka për detyrë hartimin e udhëzimeve lidhur me shëndetësinë e personave transgjinorë në 2024.
Përbërja e këtij paneli u kritikua, përfshi edhe nga Reem Alsalem, Raportuese Speciale pranë OKB për dhunën kundër grave dhe vajzave, e cila e akuzoi OBSh se po adoptonte një qasje të “njëanshme” dhe pro-medikalizuese ndaj shëndetësisë së personave transgjinorë.
Alsalem, ndër të tjerë, e ka kritikuar përbërjen e komisionit për “konflikte interesi domethënëse.”
“Palët e interesuara që kanë pikëpamje të ndryshme nga ato që kanë organizatat aktiviste transgjinore nuk duket se janë ftuar. Këto palë përfshijnë ekspertë nga autoritetet publike europiane të shëndetit që kanë qenë pararojë në zhvillimin e një qasje të bazuar në prova, e si rrjedhim më të kujdesshme, ndaj tranzicionit gjinor të të rinjve (psh. Anglia, Suedia dhe Finlanda),” i shkroi Alsalem drejtorit te përgjithshëm të OBSh.
Shumica e anëtarëve të komisionit kanë “pikëpamje fort të njëanshme pro promovimit të tranzicionit gjinor hormonal dhe njohjes ligjore të gjinisë së vetë-deklaruar,” shkroi ajo, duke shtuar se nga 21 anëtarët e panelit “asnjëri nuk duket se përfaqëson një zë që këshillon kujdes lidhur me medikalizimin e të rinjve me disfori gjinore apo mbrojtjen e hapësirave vetëm për femra.”
Organizatat që kanë shprehur shqetësim mbi përbërjen dhe qëllimet e panelit të OBSh e kanë kritikuar agjencinë se e ka marrë njohjen ligjore të vetëidentifikimit gjinor dhe përfitimet e përkujdesit gjini-afirmues si pikënisje të pranuara, megjithëse këto qasje janë objekt debati të vazhdueshëm në shumë shtete.
Alsalem tha se ishte një “mangësi domethënëse” që paneli nuk përfshinte ekspertë në zhvillimin e adoleshentëve, duke qenë se “shumica dërrmuese e individëve që kontaktojnë shërbimet që lidhen me gjininë në botë janë tashmë adoleshentë dhe të rinj që nuk kanë histori të mëparshme disforie të lidhur me gjininë.”
Rrjeti Këshillimor Klinik mbi Seksin dhe Gjininë, një rrjet mjekësh kryesisht anglezë dhe irlandezë, vuri në dyshim pse OBSh duket se po promovon përkujdesin gjini-afirmues si qasja më e mirë. “Nuk ka studime serioze që mbështesin ndërhyrjet mjekësore dhe kirurgjike gjini-afirmuese, dhe si rrjedhim nuk ka studime që na tregojnë për efikasitetin e këtyre ndërhyrjeve, në fëmijë apo të rritur,” tha organizata në një deklaratë.
Në një publikim të 15 janarit, OBSh sqaroi se udhëzimet e prodhuara nga paneli do të kenë “një fokus specifik tek të rriturit dhe nuk do të adresojë çështje që lidhen me fëmijët apo adoleshentët.”
Kjo sepse, sipas OBSh, “tërësia e provave për fëmijët dhe adoleshentët është e kufizuar dhe varion sa i përket rezultateve afatgjata të përkujdesjes gjini-afirmuese për fëmijët dhe adoleshentët.”
OBSh po pranon reagime, kritika, dhe sugjerime nga komuniteti mbi ngritjen e këtij paneli deri më 2 shkurt 2023. Të gjitha komentet mund të dërgohen në hiv-aids@who.int.