BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAeroporti "Nënë Tereza" nuk po shet valixhet e humbura për vetëm 1 Euro

Aeroporti “Nënë Tereza” nuk po shet valixhet e humbura për vetëm 1 Euro

Kujdes nga ftesa online për blerjen e valixheve të humbura në aeroportin e Tiranës për vetëm 1 Euro. Faktoje verifikoi se kemi të bëjmë me faqe të rreme, që ka si qëllim marrjen e të dhënave private të qytetarëve.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po shet valixhet e humbura të klientëve me 1 euro.

Ka humbur çanta nga klientët e aeroportit në Shqipëri për vetëm 1€. Fatkeqësisht, në aeroport nuk ka ku të ruash bagazhet e humbura dhe kontejnerët me çanta dhe elektronikë të ndryshëm shiten vetëm për 1 euro! Vetëm online. Për të porositur, klikoni në butonin në reklamën e mësipërme dhe shkoni në faqe”-shkruhet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Krahas publikimit është edhe një foto ku duket një grumbull valixhesh dhe një tabelë që shkruan 1 euro, si edhe logo e Aeroportit Ndëkombëtar të Tiranës.

Ne bëmë një verifikim të postimit, duke kontrolluar fillimisht faqen nga ku vjen informacioni. Nga kërkimi shihet se faqja që e ka postuar ka 66 ndjekës në Facebook dhe ka pak postime. Të gjitha publikimet janë në lidhje me këto skema, ku ofrohen valixhe me 1 euro.

Postimi shoqërohet edhe me një link që të dërgon në një faqe të rremë që i ngjan faqes së TIA, ku ka edhe një sondazh. Duhet të tregoni kujdes që të mos plotësoni dhe të mos jepni të dhëna, sidomos ato që kanë të bëjnë me llogarinë tuaj bankare. Qëllimi i tyre është vjedhja e këtyre të dhënave.

Faqja reale e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në Facebook ka mbi 39 mijë ndjekës dhe nuk ka asnjë postim për skema të tilla.

Faktoje ka raportuar edhe më herët për skema të tilla mashtrimi, ku është përfshirë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, “Nënë Tereza”. 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img