Ish-presidenti Obama nuk ka vlerësuar me dekorime personazhet e njohur që rezultojnë si pjesë e regjistrit të fluturimeve të manjatit Jefrey Epstein. Verifikimet tregojnë se vetëm Bill Gates, një nga tetë personat që shfaqen në një video të bërë virale,  ka marrë nderime nga administrata Obama.

Kejsi Leka

Publikimi me urdhër të gjykatës i disa dokumentave nga hetimi për nxitje prostitucioni dhe pedofili ndaj miliarderit Jeffrey Epstein, ka ringjallur debatet për politikanët që janë bërë pjesë e festave dhe udhëtimeve të organizuar prej tij.

Nën këtë tymnajë akuzash, një përdorues i Facebook ka publikuar në 7 janar një video në të cilën shfaqet ish-presidenti Obama duke i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë disa figurave të njohura të kinematografisë, artit dhe biznesit. Mbi video shkruhet “Çdokush prej tyre ishte në regjistrat e fluturimit të Epstein.”

Pjesë e videos janë aktorët Robert De Niro, Tom Hanks dhe Meryl Streep, filantropisti Bill Gates, prezantueset Ellen DeGeneres dhe Oprah Winfrey, këngëtarja Barbra Streisand si edhe regjisori Steven Spielberg.

Sikur të mos mjaftonte dhimbja që shkaktonin te të miturit dhe familjarët e tyre, ky i jepte dhe medalje për arritje të larta”- shkruhet krahas videos.

Nga dokumentet e publikuara deri më sot, video përmban pasaktësi. Verifikimi dëshmon se Bill Gates është i vetmi person në video emri i të cilit shfaqet në regjistrat e fluturimit të Jeffrey Epstein.

Në gusht të vitit 2019 u publikua një pjesë e regjistrit të fluturimeve të Epstein, në të cilën shfaqej emri i Bill Gates. Sipas regjistrit, filantropisti udhëtoi me avionin e Epstein më 1 Mars të vitit 2013 nga New Jersey drejt Palm Beach.

Pas publikimit të këtij lajmi,  zëdhënësi i tij deklaroi se takimet e Bill Gates me Epstein kishin të bënin vetëm me filantropinë, dhe se mes tyre nuk kishte asnjë partneritet apo miqësi. Ai shtoi gjithashtu se Gates nuk ishte në dijeni se avioni ishte i Epstein.

Sakaq në vitin 2021, gjatë një interviste për BBC, Gates e konsideroi takimin e tij me Epstein një gabim.

“Kam bërë gabim që jam takuar me Jeffrey Epstein”- u shpreh Gates gjatë intervistës.

Ndërkohë, sa i përket personazheve të tjerë të shfaqur në video, sipas verifikimeve të bëra rezulton se asnjë prej tyre nuk është pjesë e këtyre regjistrave. Kjo nuk është hera e parë që kjo video publikohet. Për herë të parë ajo u publikua më 21 shkurt të vitit 2023.

Kolegët e Politifact dhe USA Today verifikuan se se videoja e publikuar përmbante një informacion të rremë dhe se nga gjithë personazhet e asaj videoje vetëm emri i Bill Gates është ai që shfaqet në regjistrin e fluturimeve të Epstein.

Historia e Jeffrey Epstein, financieri miliarder, figura e të cilit u bë akoma edhe më e njohur për shkak edhe të akuzave për trafikim seksual që rëndonin mbi të, bëri bujë në SHBA dhe jo vetëm. Ndonëse akuzat ndaj tij filluan vite më parë, ai u arrestua në vitin 2019. Në pritje të një vendimi nga gjykata në gusht të po të njëjtit vit ai kreu vetëvrasje në një qeli në New York.

Edhe pse kanë kaluar thuajse 5 vite që nga vdekja e tij, vëmendja mbi këtë ngjarje është rikthyer ditët e fundit për shkak edhe të provave të reja që po dalin në pah gjatë gjyqit të partneres së Epstein.

Më 4 Janar gjykatësja Loretta Preska, e cila ka marrë përsipër çështjen e Virginia Giuffre, publikoi një dokument prej 950 faqesh, në të cilin gjendeshin emrat e më shumë se 150 bashkëpunëtorëve dhe klientëve të abuzuesit seksual, Jeffrey Epstein.

“Lista” e Epstein, ashtu sikurse qarkullon sot në media përbën pikërisht këto dokumenta, përmes të cilave Virginia Giuffre, akuzoi në vitin 2015 Epstein dhe partneren e tij, Ghislaine Maxwell, për trafikim seksual. Kjo e fundit e dënuar me 20 vite burg për trafikim seksual të fëmijëve.