Shqipëria dështoi në përmbushjen e direktivës së vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për vaksinimin me dy doza të 70% të popullatës kundër Covid 19, deri në fund të qershorit të këtij viti. Të dhënat tregojnë se vetëm 44% e qytetarëve janë vaksinuar plotësisht, ndërsa shihet që interesi ka rënë ndjeshëm që prej marsit. Nga ana tjetër, ekspertët edhe pse theksojnë se pandemisë i ka ardhur fundi, këshillojnë se vaksinimi duhet të vazhdojë për kategoritë e rrezikuara.
—————————————————————————————————————————
Në muajin mars të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë shpërndau në qendrat shëndetësore një direktivë të OBSH, ku përcaktohej se deri në fund të muajit qershor 2022, në Shqipëri duhet të ishin vaksinuar me dy dozat e vaksinës anticovid, 70% e popullatës.
“Sipas direktivës së OBSH-së, deri në fund të qershorit 2022 në Shqipëri duhet të jenë të vaksinuar me dy doza 70% e popullatës, për të siguruar një mbulesë të tillë vaksinale, që të kemi imunitetin e grupit”- bëri të ditur mjekja Bruna Shiroka.
Por, sa është përmbushuar kjo direktivë e Organizatës Botërore të Shëndetëssë. Fillimisht Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Institutit të Shëndetit Publik në lidhje me përqindjen e popullatës së vaksinuar dhe jemi në pritje të një përgjigje nga ky institucion.
Kërkesa për informacion dërguar ISHP, 19 shtator 2022
Por, duke iu referuar të dhënave zyrtare nga ‘Our World in Data’ deri në muajin qershor 2022, përqindja e personave të vaksinuar në Shqipëri ishte 44%. Ndërsa 2.7% ishin pjesërisht të vaksinuar dhe nëse do e marrim në total arrinte në 46%.
Të dhënat e Our World in Data, qershor 2022
Të dhënat e Our World in Data, qershor 2022
Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Our World in Data i përkasin 4 shtatorit të këtij vit, ku rezulton se në total numri i të vaksinuarve është 47%, nga të cilët 44% janë vaksinuar plotësisht.
Nëse do të shohim të dhënat nga muaji qershor deri në shtator vihet re se numri i të vaksinuarve pothuajse nuk ka ndryshuar, çka tregon që interesi i qytetarëve ka qenë mjaft i ulët.
Të dhënat e Our World in Data për vaksinimin në Shqipëri deri më 4 shtator
Të dhënat e Our World in Data për vaksinimin në Shqipëri deri më 4 shtator
Pra, deri në shtator 2022 janë plotësisht të vaksinuar 1.26 milionë banorë, ndërsa në qershor ishin 1.25 milionë banorë.
Të dhënat tregojnë qartë që Shqipëria është shumë larg direktivës së vendosur nga OBSH për vaksinimin e popullatës.
Në një intervistë për “Wake Up” në fund të muajit qershor, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu dha shifrat zyrtare të të vaksinuarve në vendin tone: “Ne kemi 60% të popullatës target të vaksinuar dhe të popullatës totale po arrijmë në 49% për ata që janë të vaksinuar. Ndërkohë, kemi 11% të popullatës që kanë marrë dozat përforcuese”.
I pyetur nga Faktoje, eksperti Erion Dasho shprehet se Shqipëria ka dështuar që në nisje me “objektivin” e saj për të vaksinuar popullatën, duke përdorur vaksina që nuk janë të licencuara nga organizmat ndërkombëtarë.
“Mendoj që nuk mund të flitet në Shqipëri për objektiva lidhur me vaksinimin. Programi që në fillim u konceptua në mënyrë të gabuar, u bazua te vaksina kineze, e cila nuk ishte e miratuar as nga EMA as nga FDA dhe me një efektivitet të dyshimtë, pasi Kina edhe pse ka vaksinuar të gjithë popullatën me vaksinën e vet, vazhdon të aplikojë karantinën për çdo shpërthim. Pra tregon që edhe autoritetet kineze nuk i besojnë kësaj vaksine. Në këto kushte, mendoj se nuk ia vlen të flitet për objektiv të fushatës së vaksinimit në Shqipëri”, argumenton Dasho.
Por, a duhet të vazhdojë procesi i vaksinimit në Shqipëri. Në lidhje me këtë, Dasho sugjeron: “Mendoj se vaksinimi duhet të vazhdojë për të gjithë ata persona, të cilët i përkasin grupeve në risk, por edhe për çdo person tjetër që dëshiron të mbrojë veten. Covid-i tashmë është si të gjitha sëmundjet e tjera infektive, si të gjitha virozat e tjera të stinës, por që fatmirësisht ekziston vaksina. Në këtë mënyrë çdo person që dëshiron të mbrojë veten dhe sidomos personat që i përkasin grupeve në risk, apo personat që ushtrojnë profesione të caktuara, është e rekomanduar që të vaksinohen”.
Në përditësimin e fundit në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë, saktësisht 26 shtator 2022 theksohet se në total janë kryer 2,963,221 vaksinime.
“Në 24 orët e fundit janë kryer 92 vaksinime. Nga dozat e vaksinës antiCOVID janë kryer: 1,320,644 doza të para; 1,265,283 doza të dyta; 357,883 doza të treta”, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Në muajin prill, Faktoje raportoi se sipas të dhënave të Our World in Data deri më 14 prill në Shqipëri ishin vaksinuar plotësisht vetëm 43% e popullsisë, ose 1.22 milionë banorë.
Fundi i pandemisë
Në 14 shtator, OBSH theksoi se fundi i pandemisë Covid-19 ishte “në horizont”, duke shtuar se vdekjet javore nga virusi në të gjithë botën ishin në nivelin më të ulët që nga marsi i vitit 2020.
Më 19 shtator, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden deklaroi se pandemia Covid-19 kishte marrë fund në SHBA.
“Pandemia ka mbaruar. Ne ende kemi një problem me koronavirusin. Ne ende jemi duke punuar shumë në luftimin e këtij virusi, por pandemia ka mbaruar”, deklaroi Biden.
Mirëpo, si është situata në Shqipëri? Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho shprehet se është e qartë që pandemia ka përfunduar.
“Ajo që deklaroi presidenti Biden është një deklaratë që i përket jo vetëm Amerikës, por i përket të gjithë botës. Është e qartë që pandemia ka përfunduar tashmë si e tillë. Virusi ekziston, ai do të vzhdojë të përbëjë kërcënim për shëndetin e qetetarëve dhe të individëve, por për mendimin tim ai ka pushuar së qëni një problem për të krijuar pandemi në të ardhmen”, thekson Dasho.