Rikonstruksioni i stadiumit “Skënderbeu” dhe pallatit të sportit “Nikolla Tamara” ishin dy nga premtimet e fushatës elektorale në vitin 2015 të kyetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo. Pesë vite më pas, të dy objektet sportive rrezikojnë degradimin për shkak të mungesës së investimeve.
“Stadiumi ‘Skënderbeu’, pjesë e projektit ‘Sport Planet’ do të pësojë një tjetër ndërhyrje e cila do të sjellë modernizimin dhe zgjerimin e kapacitetit të tij. Një tjetër arenë triumfesh e qytetit tonë, siç është Pallati i Sportit “Tamara Nikolla” do të jetë subjekt rikonstruksioni. Hapësirat sportive nuk do të mungojnë në asnjë cep të bashkisë së madhe”,– shkruante në postimin në Facebook, pse vite më parë kryebashkiaku Filo.
Pesë vite më pas, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo “ricikloi” të njëjtat premtime gjatë fushatës elektorale të vitit 2019.
“Ndërtimi i Aeroportit, rikonstruksioni i Stadiumit ‘Skënderbeu’, ndërtimi i Skipistës së Nikolicës, Pishina e qytetit, zgjerimi i Parkut Olimpik dhe një qendër e madhe edukimi dhe trajnimi për teknologjitë e informacionit, janë disa nga projektet madhore të bashkisë, që kryeministri premtoi t’i mbeshtesë me financim për 4 vitet e ardhshme”, – shkruante në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku Filo më 16 qershor 2019.
Më 21 janar 20119, “Faktoje” pyeti në Bashkinë Korçë lidhur me zbatimin e projeteve të premtuara.
Nga Bashkia Korçë na u komunikua se për asnjë nga projektet e premtuara nga kryebashkiaku Filo në vitin 2015, që u përsëritën edhe në fushatën 2019, nuk kishte zbatim konkret.
“Rikonstruksioni i stadiumit “Skënderbeu” dhe pallatit të sportit “Nikolla Tamara” është projekt-ide”, – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Korçë.
Në fillim të muajit shtator 2020, “Faktoje” ishte në Korçë me qëllim verifikimin në terren të premtimeve.
Nga vëzhgimi në terren për gjendjen e Pallatit të Sportit “Nikolla Tamara” konstatuam se as në fasadë nuk ishte ndërhyrë, për rregullimin e ndërtesës së ngritur që në vitin 1975. Xhamat në anë të saj ishin të thyera, ndërsa në pjesë të ndryshme muret ishin plasaritur dhe suvaja kishten rënë. Të gjitha dyert ishin të mbyllura dhe verifikimi brenda objektit, ku nuk gjetëm as roje, ishte i pamundur.
Tavani në hyrje të Pallatit të Sportit ishte dukshëm i dëmtuar nga lagështira.
Në gjendje të ngjashme, madje më të rënduar ishte edhe stadiumi “Skënderbeu”, me një kapacitet 10 mijë vende që sipas premtimit të kryebashkiakut Filo që në 2015, do të rriteshin me investimet e reja.
Edhe tribuna ku qëndrojnë tifozët që llogaritet në 500 vende, ishte “pushtuar” nga shkurret.
“Faktoje”, më 28 tetor 2020 pyeti sërish mbi projektet e zbatuara për dy projektet e premtuara.
“Stadiumi “Skënderbeu” është rikonstruktuar para 5 vitesh dhe nuk ka një projekt afatshkurtër për të. Rikonstruksioni i pallatit të sportit “Tamara Nikolla” është në fazën e hartimit të projektit” – thuhej në përgjigjen e Bashkisë Korçë të datës 13 nëntor 2020.
Referuar të dhënave nga buxhetiti i vitit 2020 të Bashkisë Korçë nuk ka programe për investime në rikonstruksion apo punime të tjera të mundshme për stadiumin “Skënderbeu” apo pallatin e sportit “Nikolla Tamara”.
Si për ironi, teksa stadiumi dhe pallati i sportit janë thuajse të amortizuar, Bashkia Korçë ka programuar një vlerë prej 187,500 lekë me qëllim subvencionimin e biletave në stadium dhe pallatin e sportit, për pensionistët në masën 50 për qind.
Pas përgjigjeve zyrtare dhe vëzhgimit në terren, premtimet e kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo lidhur me rikonstruksionin e stadiumit “Skënderbeu” dhe pallatit të sportit “Nikolla Tamara” do t’i kategorizojmë si premtime të pambajtura.