BallinaPertejSa pajisje digjitale për mësimin online ka dhënë MASR në shkollat e Durrësit?

Sa pajisje digjitale për mësimin online ka dhënë MASR në shkollat e Durrësit?

AURORA SHPATAJ

Prej datës 1 dhjetor, me urdhër të Ministrisë së Arsimit nisi zhvillimi i mësimit pjesërisht online. Ndërsa mësuesit kanë udhëzuar nxënësit të regjistrohen në këto platforma, rikthehet shqetësimi sesi do të mësojnë ata që nuk i kanë mjetet e nevojshme digjitale. Pavarësisht fushatave të MASR për shpërndarjen e tabletave, rezulton se në Durrës ka zona ku nuk është shpërndarë asnjë mjet smart për mësimin online.


Durrësi është një nga qytetet ku para pandemisë, mijëra nxënës mbetën pa një vend ku të mësonin, për shkak se tërmeti dëmtoi shumë shkolla. Përveç kësaj ata mbetën gjithashtu të pastrehë dhe në kushte ekstreme jetese. Gjysmën e vitit të kaluar shkollor, për shkak të mbylljes së shkollave nga pandemia ata duhet ta kryenin online, por siç kemi shkruar edhe më herët, një pjesë e madhe e nxënësve nuk arritën të mësojnë në platformat e sugjeruara.

Prej 1 dhjetorit, nxënësit në të gjithë vendin i janë rikthyer mësimit online, për shkak të përhapjes së madhe të Covid-19 në shkolla. Mësuesit kanë shpërndarë më herët adresat e platformave online ku nxënsit do të log-ohen për orët e mësimit dhe detyrat.

Screenshot i njoftimit për detyrat e një klase

 

Screenshot i lëndëve për t’u log-uar në Akademia.al 

“Faktoje” bëri një vëzhgim në disa zona të qytetit të Durrësit, ku banojnë dhjetëra familje të varfëra dhe asnjë nxënës nuk ka përfituar tablet apo mjet smartphone që u mundëson mësim online.

“Faktoje” e nisi vëzhgimin në shkollën “Demokracia”, e cila ndodhet afër spitalit të Durrësit.

Në shkollën 9-vjeçare “Demokracia”, ku deri më tani zhvillohej mësim me 4 turne, rezulton të mos jetë dhënë ndonjë tablet apo smartphone nga MASR, as për nxënësit dhe as për mësuesit.

“Nuk kemi marrë asnjë tablet, mësimin online nuk e praktikojmë se ne jemi shkollë me 4 turne”- shprehet një mësues për “Faktoje”.

Vëzhgimin “Faktoje” e vijoi në shkollën 9-vjeçare “Met Hasa”, ku mësojnë 220 nxënës.

Nuk kemi marrë asnjë tablet, as smartphone. Mësimin online nxënësit përpiqen ta bëjnë me telefonat e prindërve. Pra, brenda mundësive familjare, por ishte dështim.”- konfirmon një mësues i cili dëshiron të mbetet anonim.

Edhe në gjimnazin “Dhosi Liperi” ku mësojnë 311 nxënës asnjë tablet nuk është dorëzuar, sipas konfirmimit nga stafi i mësuesve.

Asnjë nxënës në shkollën time nuk ka marrë tablet apo smartphone. Unë mund të kem diku tek 13 nxënës që janë me ndihmë ekonomike.”tregon një mësuese për “Faktoje”, e cila shton:

“Ne i kemi pyetur nxënësit kur ishim në karantinë, u bë si një tip anketimi sesa mundësi kanë për mësimin online, por nga MASR dhe nga ZVAP nuk na është kërkuar që të dërgojmë një kërkesë ose një informacion se sa nxënës me ndihmë ekonomike kemi.”

Edhe në gjimnazin “Leonik Tomeo” ku bëjnë mësim 980 nxënës nuk është dërguar ndonjë tablet apo smartphone për nxënësit.

“Jo nuk kemi marrë tableta, smartphone. Në shkollën tonë afërsisht po them mund të jetë një 10% që kanë nevojë për pajisje digjitale. Gjithsesi ne zhvillojmë mësimin online pasdite, kur prindërit të vijnë nga puna që dhe ato që janë pa telefona të komunikojnë me anë të telefonave të prindërve”-shprehet një mësues i gjimnazit.

“Faktoje” i dërgoi Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë një kërkesë zyrtare për informacion se sa tableta janë shpërndarë gjatë periudhës së pandemisë në shkollat e Durrësit ku ne bëmë vëzhgimin.

Kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Në përgjigjen e MASR thuhet:

“Gjatë kohës së pandemisë janë shpërndarë në shkollën “Met Hasa” 2 tableta, në Shkollën “Demokracia” 9 smartphone, “Stacioni Elektrik Xhafzotaj” 1 smartphone, kurse në shkollat “Dhosi Liperi” dhe “Leonik Tomeo” nuk janë shpërndarë pajisje digjitale.

Përgjigja nga MASR

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img