.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPaketa e Rezitencës sociale/ Shumë zhurmë, por vetëm 2 nga 7 masa janë të reja

Paketa e Rezitencës sociale/ Shumë zhurmë, por vetëm 2 nga 7 masa janë të reja

ESMERALDA TOPI

Pas protestave mbi rritjen e çmimeve, qeveria Rama doli me Paketën e Rezistencës Sociale. Faktoje verifikoi se vetëm 2  nga 7 masat janë të reja, përkatësisht; kompensimi i rritjes së çmimeve të shportës me 3000 lekë në muaj për shtresat në nevojë si dhe 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të transportit publik. Pesë pikat e tjera të kësaj pakete ndihmë kanë qënë të parashikuara më herët në buxhetin e vitit 2022. Edhe për këto 2 masa të reja, ekspertët kanë sugjerime që lidhen me gjithpërfshirjen e shtresave në nevojë, dhe më rritjen e kontrrollit dhe analizave të riskut përsa i përket importit dhe eksportit të çmimit të energjisë elektrike.

 “MIRËMËNGJES 😊 dhe me 7 masat e Paketës së Rezistencës Sociale, të cilat flasin vetë, edhe këtë herë, se kjo është qeveria që kurrë nuk i lë vetëm në ditët e vështira ata që kanë nevojë për mbrojtje, ju uroj një javë me më pak stres nga pasojat e padëshiruara të një lufte që as e nisëm, as e ndalim dot ne, por që do ta përballojmë patjetër me forcën e karakterit dhe të solidaritetit tonë me njëri-tjetrin”. – shkruante Kryeministri Edi Rama në rrjetin social Facebook në 14 mars 2022, ditën kur prezantoi Paketën e Rezistencës Sociale.

Foto nga faqja e Kryeministrit në Facebook

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje verifikoi pikat e Paketës së Rezistencës Sociale nga të cilat rezulton se vetëm dy prej tyre janë të reja, përkatësisht; kompensimi i rritjes së çmimeve të shportës me 3000 lekë në muaj për shtresat në nevojë; 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të transportit publik. Pesë pikat e tjera të kësaj pakete ndihmë kanë qënë të parashikuara më herët në buxhetin e vitit 2022.

Pika 1 e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, masë e cila në fakt është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 dhe do të hynte në fuqi në muajin prill. E vetmja e re në këtë pikë është shtimi i fondit të indeksimit nga 2.57 miliardë lekë në 3.3 miliardë lekë.

Ndërkaq, indeksimi i pensioneve është detyrim ligjor i përvitshëm i qeverisë. Referuar ligjit 7703 “ Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “ Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.”- shkruhet në nenin 61 të ligjit.

\

Foto e ligjit 7703 “Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”

Pika 2 e paketës parashikon kompensimin e rritjes së çmimeve të shportës me 3000 lekë për tre muaj për shtresat në nevojë. Kjo është masa e parë konkrete e Paketës së Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet. Faktoje ka arritur të sigurojë listën e detajuar të përfituesve. Në total qeveria do të jap 5.2 miliardë lekë për periudhën prill-qershor për 576 mijë persona në të gjithë vendin.

Por nga bonusi përjashtohen 231.289 mijë pensionistë që marrin pension më të lartë se gjysma e pagës minimale. Një prej tyre është Dhoksi Kërdhicka, pensioniste nga Berati. Ajo thotë për Faktoje se merr çdo muaj 20.000 lekë pension ndaj nuk përfiton nga kompensimi prej 3000 lekë i rritjes së çmimeve të shportës.“ Më duket vendim i padrejtë. Unë punoj çdo ditë me makinë qepëse që të arrij të shtoj sadopak të ardhurat mujore. Mezi punoj pasi nuk më shohin sytë…Kaq shumë i kushton qeverisë të na ndihmojë të gjithëve? ” – shton ajo.

Dhoksi Kërdhicka, pensioniste

Sipas përllogaritjeve të Faktoje, përfshirja e të gjithë pensionistëve në bonusin prej 3 mijë lekësh do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 2.16 miliardë lekë. “ Kjo shumë është gati tre herë më e vogël se rritja e të ardhurave të TVSH-së në buxhet si rezultat i rritjes së çmimeve”- thotë ekspertja Irena Beqiraj për Faktoje. “Për mendimin tim kjo kërkesë duhet të jetë e para në çdo set kërkesash apo rekomandimesh që i bëhen qeverisë”- shton ajo.

Pika 3 e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon 1.45 miliardë lekë mbështetje për fermerët me naftë pa taksa. Edhe kjo pikë ka qënë e parashikuar në buxhetin e vitit 2022, madje ky është viti i dytë që po aplikohet skema e subvencionimit të naftës falas për fermerët. E vetmja e re e kësaj mase në Paketën e Rezistencës është shtimi i fondit me 500 milionë lekë.

Foto nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

“ Referuar eksperiencave të vitit të kaluar, pa filluar kjo krizë, asnjëherë buxhetet e planifikuara në letër në planin fillestar nuk janë realizuar, janë rishikuar dhe shkurtimet gjithmonë janë bërë tek bujqësia. Shpërndahet lëng dhe ose shitet në treg ose i futet makinës, por as 10% e kësaj sasie nuk shkon për bujqësinë. Skema e mirëfilltë për ta çuar këtë para tek bujqësia do të ishte; nuk të japim as lëng as tollon as kupon por mbille tokën dil e verifikoje dhe për 5 hektar grurë të japim 50 mijë lekë në numrin e llogarisë së fermerit, ”- thotë për Faktoje, eksperti për çështjet e bujqësisë Ndoc Fasllia.

Pika 4 e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon 500 milionë lekë për kompensimin e rritjes së çmimit të transportit publik. Kjo është masa e dytë konkrete në përgjigje të rritjes së çmimeve.

“Çmimi i biletës do të qëndrojë i pandryshuar siç ka qenë edhe më herët, është mëse e mjaftueshme për një periudhë 3 mujore me vlerë 100 lekë për litër subvencioni për transportin. Shpresojmë që pas tre muajsh çmimi i naftës të bjerë që edhe ne mos të bëjmë rritje të çmimit të biletës,”- thotë për Faktoje përfaqësuesi i Unionit të Transportit Publik, Dashnor Memaj.

Pika 5 e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon; zero taksë për pagat deri në 40 000 lekë;përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 000 lekë; ulje e taksës mbi pagat nga 150 000 – 200 000 lekë.

Akti normativ i qeverisë për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”

Edhe kjo masë ka qënë e parashikuar në paketën shoqëruese fiskale të buxhetit për vitin 2022. E vetmja gjë e re është afrimi në kohë i hyrjes në fuqi të ndryshimeve, nga korriku në prill.

 

Postime të Kryeministrit në kohë të ndryshme

Për ekspertin Zef Preçi Paketa e Rezistencës Sociale përfaqëson një përpjekje të qeverisë për të qetësuar protestat, por nuk i jep përgjigje situatës së krijuar nga çmimet e larta. “ Për fat të keq, një pjesë e masave kanë qënë të parashikuara në buxhetin e 2022 dhe me një politikë më të zhdërvjellët mund të ishin marrë më herët. Një përgjigje e përshtatshme kërkon rishikim të buxhetit në dy drejtime; mbështetjen e shtresave në nevojë me pranimin e minimumit jetik si referencë dhe e dyta ndërmarrja e politikave pro prodhimit vendas,” –  thotë Preçi për Faktoje.

Pika e 6 e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon rritjen e pagës minimale në 32 000 lekë. Edhe kjo një masë e parashikuar në buxhetin e 2022. Qeveria ka afruar në kohë hyrjen në fuqi të pagës së re minimale nga korriku në muajin prill.

“Efikasiteti i politikës së pagës minimale, si një iniciativë anti varfëri varet nga fakti, se cilat familje janë përfituese nga rritja e të ardhurave dhe cilat familje duhet të paguajnë për këto të ardhura më të larta. Në fakt ndikimet e përjetuara nga punonjësit me paga minimale janë pothuajse të papërfillshme. Në fund të fundit janë konsumatorët që paguajnë për rritjen e kostove të punës përmes rritjes së padukshme të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara nga punëtorët me paga të ulta,” –thotë për Faktoje eksperti i ekonomisë Gent Beqiri.

Pika 7 dhe e fundit e Paketës së Rezistencës Sociale parashikon 28 miliardë lekë për të mbajtur të palëvizur çmimin e energjisë elektrike në faturat e bizneseve të vogla dhe konsumatorëve familjarë. Kjo është masa me peshën më të madhe të ndihmës që po jep qeveria. Në buxhetin e vitit 2022 qeveria kishte planifikuar 8 miliardë lekë për këtë zë, që do të thotë se përmes Paketës së Rezistencës, OSHEE-së i janë shtuar 20 miliardë lekë që të mos rrisë çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë.

“ Më duken shumë 20 miliardë lekë për energjinë sepse ne jemi vend që prodhojmë 3.7 terra vat, të cilat janë të mjaftueshme për konsumin e tensionit të ulët  që janë familjarët dhe biznesi i vogel. Ne s’kemi kapacitete magazinimi, ndaj importojmë kur kemi nevojë dhe eksportojme kur prodhojmë shumë. Këtu është detyra e qeverisë që të menaxhojë këtë punë që të mos humb nga levizjet e çmimit, me menaxhimin e riskut te çmimit, me kontrata të së ardhmes, me kontrata shkëmbimi. Në mënyrë që këto 20 miliardë lekë t’i kesh rezervë për probleme të tjera,” – thotë Irena Beqiraj për Faktoje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img