BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingDërgimi i satelitëve në orbitë, dëshirë e kryeministrit apo vendimmarrje zyrtare?

Dërgimi i satelitëve në orbitë, dëshirë e kryeministrit apo vendimmarrje zyrtare?

Në mars të këtij viti Shqipëria duhej të kishte dërguar satelitin “Albania one”, me qëllim kontrollin e territorit, sipas premtimit të kryeministrit Rama në tetor 2021. Një kërkim i Faktoje tregoi se asnjë institucion nuk ka marrë ndonjë vendim për formalizimin e kësaj nisme. Ndërkohë ekspertë të sigurisë e konsiderojnë të nxituar deklaratën e kryeministrit dhe theksojnë se blerja e satelitëve, bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, por ky institucion la pa përgjigje kërkesën e Faktoje.

………………

Në datën 14 tetor 2021 Kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se brenda vitit të ardhshëm qeveria do të dërgonte në hapësirë dy satellitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”.

“Do blejmë dronë. Do çojmë dhe satelitë në orbitë. “Albania one” Albania two”. Sepse për ne ky vend nuk është tokë e xanum. Zhvillimi nuk është që 7 mrekulli pati bota dhe të tetin e sollët ju. Na keni lënë një situatë që do kohë dhe durim për të pastruar. Ne shohim shumë larg. Dronët po e po, po do sjellim edhe satellite! Kontrolli mbi territorin, trafiqet dhe kufijtë të kalojë në nivelin e teknologjisë. Sa më shumë t’ia heqim inspektorëve kontrollin e bizneseve aq më mirë do jetë.” – tha kryeministri Rama.

Në datën  20/10/2021 pak ditë pas deklaratës nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri  Edi Rama publikoi në facebook një video, me disa pamje në iPad, ku duket se komunikon në anglisht me një person nga kompania “Space X” në lidhje me lëshimin e satelitëve “Albania 1” dhe “Albania 2” në orbitë. Në video, dëgjohet eksperti teksa informon kryeministrin se sateliti i parë shqiptar në hapësirë, “Albania 1” do të lëshohet në muajin mars 2022, ndërsa i dyti në muajin qershor të këtij viti.

Pjesë nga komunikimi I kryeministrit me kompaninë “Space X”

Faktoje u përpoq të komunikonte me kompaninë përmes e-mailit në faqen zyrtare, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Emaili dërguar kompanisë “Space X”

Ne kryem një kontroll në faqen zyrtare të kompanisë për lëvizjen e satelitëve në kohë reale, për të parë nëse ka satelitë të cilët kanë kryer lëvizje mbi territorin tonë.

*Faqja e “Space X” ku ofrohen pamje në kohë reale të satelitëve

Sikurse shihet qartë nuk ka asnjë satelit i cili kryen trajektore e cila përshkon territorin shqiptar.

*Pamje e zmadhuar e Europës

Edhe në këtë plan nuk shohim asnjë satelit i cili kalon mbi hapësirën shqiptare. Po ashtu edhe në listën e satelitëve të lëshuar nga “Space X” nuk ka asnjë satelitë të lëshuar me një funksion ndryshe nga ai i “Sigurimit të mbulimit me internet në të gjithë botën”

Lista e satelitëve të lëshuar nga “Space X” deri në mars 2022

 

Scili prej satelitëve të sipërlistuar mban këtë përshkrim:

*Përshkrimi që del për secilin nga satelitët e lëshuar në datën 3 mars 2022

Dërgimi i satelitëve, vendimmarrje zyrtare apo dëshirë e kryeministrit?

 

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion zyrës së Kryeministrisë në lidhje me zotimin e artikuluar në Kuvend, tetorin e vitit të kaluar, për të mësuar më shumë mbi nismën dhe procesin e dërgimit të dy satelitëve në orbitë.

*Kërkesa dërguar Kryeministrisë

Në përgjigjen që morëm nga ky institucion mësuam se nuk ka ndonjë akt të miratuar nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave në lidhje me këtë deklaratë.

Përgjigjja nga Kryeministria për Faktoje.al

 

Të njëjtën rrugë ndoqëm edhe me institucionin e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilit i dërguam një kërkesë për informacion për të mësuar nëse ishin në dijeni të kësaj nisme të kryeministrit dhe çfarë roli do të kishin në këtë projekt.  Ky institucion na u përgjigj se nuk ka koment në lidhje me deklaratën e kryeministrit.

Përgjigjja e SHISH për Faktoje.al

 

Në fund të përgjigjes, SHISH sqaron se objekt i punës së këtij institucioni është të sigurojë informacion të domosdoshëm nga zbulimi dhe kundërzbulimi për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. Kujtojmë se në deklaratën e tij Kryeminstri Rama theksoi se kriminaliteti dhe kontrolli mbi territorin janë ndër arsyet pse këta satelitë do të ngrihen, një çëshjte tërësisht objekt i punës edhe i SHISH.

Nisur nga fakti se kjo çështje lidhet pikërisht me sigurinë kombëtare, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion edhe Presidencës, e cila ka si organ këshillimor Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Në përgjigjen e saj Presidenca na informon se nuk është vënë asnjëherë në dijeni për këtë deklaratë dhe se Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk është mbledhur në lidhje me këtë çështje.

Screenshot i përgjigjes së presidencës për Faktoje

Ne kërkuam një opinion edhe nga ish kreu i SHISH Fatos Klosi në lidhje me nismën e prezantuar nga kryeministri.

“Rama është nxituar pak me këtë deklaratë, ndoshta sepse është diçka e re, diçka e padëgjuar. Këtë (satelitin) nuk do ta blejë Kryeministria, por Ministria e Mbrojtjes, sepse kontrollon kufijtë. Këta satelitë do të blihen me fonde të këtij institucioni. Sot nuk është diçka e madhe të kesh satelitë. Nga pikpamja teknike të kesh satelitë e bëjnë më të sigurt kontrollin e territorit. Njerëzit duhet të jenë dakord, qeveria di më shumë për territorin e saj.”-thotë për Faktoje ish kreu i shërbmit inteligjent, Klosi, I cili shton se parashikon që blerja dhe dërgimi i satelitëve me qëllim kontrollimin e territorit të krijojë reagim te vendet fqinje:

“Ne në përgjithësi kemi marrëdhënie të mira me Kosovën, Maqedoninë dhe Greqinë. Në një moment ndoshta këto vende mund të kërkojnë që ta shtrijmë këtë shërbim edhe te vendet e tyre.”

Faktoje kërkoi informacion zyrtar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, të cilës iu drejtua me një kërkesë, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

*Kërkesa dërguar Ministrsë së Mbrojtjes

Në mungesë të informacionit zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, Faktoje pyeti drejtpërdrejtë kryeminist Rama duke I dërguar një mesazh në profilin e tij në FB, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

*Mesazhi dërguar në faqen zyrtare të Kryeministrit Rama në Facebook

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img